Kryeministri bullgar Bojko Borisov paralajmëroi dje Gjermaninë kundër rikthimit të refugjatëve në vendet ku ata janë regjistruar fillimisht.
Duke folë për gazetarët në samitin për emigrantët në Valleta, Borisovi tha se, nëse Berlini fillon të zbatojë sërish marrëveshjen Dublini II, dhe nis të kthejë pas azilkërkuesit e padëshiruar, mundësitë e integrimit të tyre në Bullgari e Maqedoni do të jenë më të pakta.
Shtatorin e kaluar, kancelaria gjermane Angela Merkel pezulloi marrëveshjen Dublini II për rregullat e emigrimit, dhe vendosi për moskthimin e refugjatëve në vendet e BE ku ata ishin regjistruar për herë të parë.
Por më 9 nëntor, ministri i Brendshëm gjerman tha se do të kthehej te procedurat e Dublinit II në raport me të gjitha vendet anëtare të BE, me përjashtim të Greqisë.
“Ne s’mund të mbajmë emigrantët me forcë në Bullgari,” paralajmëroi Borisov, dhe shtoi se vendi i tij nuk kishte plane për ndërtimin e burgjeve që të mbante refugjatët.
Borisovi përmendi raste kur refugjatët ishin ndaluar 6-7 herë në përpjekje për t’u larguar nga Bullgaria. Çdo herë ata ishin kthyer në qendrat për refugjatët, dhe çdo herë ata ishin përpjekur të kalonin kufirin përsëri, tha ai.
Edhe për shpërndarjen e refugjatëve, nuk ka azilkërkues që vijnë me dëshirë në Bullgari, tha Borisovi.
Liderët e BE ranë dakord të shpërndajnë 160000 refugjatë nga Greqia dhe Italia në pjesën tjetër të Europës gjatë dy viteve të ardhshme. Bullgaria ka pranuar të marrë 1302 refugjatë: 100 në 2015, 500 në 2016, dhee 700 në 2017. Por, sipas raportimeve, asnjë refugjat i vetëm nuk dëshiron të shkojë në Bullgari, vendi më i varfër i BE.
Bullgaria është gjithashtu e shqetësuar se vendet e pasura do të mbajnë refugjatët e kualifikuar, dhe dërgojnë në vendet kufitare të BE ata integrimi i të cilëve do të jetë më problematik.
Borisovi tha se, nëse Bullgaria do të ishte në gjendje të zgjidhte refugjatë të kualifikuar, ajo do t’u gjente punë atyre. Ai tha se kishte folur për këtë çështje me sektorët e komunitetit të biznesit ku kishte nevojë për punëtorët, si në bujqësi dhe transport.
Kryeministri bullgar tha gjithashtu se kur të mbarojë kriza e tanishme, duhet të vendoset një sistem i kartave jeshile (green cards), dhe 10-20 mijë ose një shifër tjetër refugjatësh çdo vit mund të pranohen nga BE, në përputhje me kërkesat e ekonomive të BE.
Borisovi vlerësoi Turqinë për “sjelljen evropiane” të saj që ndihmon për përmbajtjen e rrjedhës së azilkërkuesve. Ai tha se ishte pro përkrahjes së Ankarasë, dhe përmendi liberalizimin e vizave si një hap pozitiv të mundshëm.