U fashit tashmë një përplasje në distancë mes botueses Arlinda Dudaj dhe këngëtares së njohur Eli Fara në lidhje me bukurinë femërore të kësaj të fundit. Fërkimi, me aq sa u kuptua i paqëllimtë, nisi kur në një listë të femrave me te bukura shqiptare përgjatë dekadave të fundit, renditur në një emision televiziv, zonja Dudaj nuk përfshiu këngëtaren Fara. Nuk dihet se çfarë ka pasur ndërmend zonja Dudaj kur e ka etiketuar hirin femëror të Farës si tip “telenovelash turke”, por gjithsesi ajo mori rrugë dhe mbërriti tek ne e amplifikuar në një formë disi më të ngjeshur. Me nuhatjen tipike të gjahut mediatik, gazetarët e skupeve, gjithnjë të gatshëm të shkartisin fjalët, e pyetën këngëtaren se si ndjehej e klasifikuar si “bukuri turke”.
“Bukuri turke”, me siguri, ashtu e paqartë ia doli të tërhiqte vëmendjen e këngëtares e cila menjëhere, edhe me ndihmën e kolegëve, e refuzoi me përçmim këtë etiketim, sipas saj, produkt i një “xhelozie grash të pabukura”. Gjithsesi askush nuk na ndihmoi në këtë fërkim të na shpjegonte se përse në vetvete “bukuria turke” është jo e bukur, ose tamam-tamam, një bukuri inferiore. Vetë botuesja na ndihmoji disi kur hezitoi ta gjente këngëtaren mes listës së femrave të bukura shqiptare të dekadave të fundit. Kjo edhe sepse po në të njëjtin emision, ku e ashtuquajtura “bukuri turke” u interceptua lehtësisht që më pas të gjuhej, pak më përpara u admirua “bukuria hungareze”, një tjetër lloj bukurie etnokulturore. Me një fjalë, nuri femëror i mbretëreshës Geraldinë, e ashtuquajtur në epokën e saj “trëndafili i bardhë i Budapestit”, mblodhi menjëherë konsensus tek të pranishmit, pa pasur ndokush bezdinë se një e huaj në karakteristika mund të deformojë gjenetikën estetike të së bukurës shqiptare.
Hollë-hollë “bukuri turke” është e bukur, por e bukur ndryshe, që nuk përligjet plotësisht, sipas kalibrit vlerësues të agjentëve tanë kulturorë. “Bukuria turke” është mall turk, është i vlefshëm dhe funksional kur nuk ke ekuivalentin e saj origjinal, që sigurisht gjendet gjetiu, i dobishëm pra për sa kohë konstatohet mosprania e tjetrit. “Bukuria turke” megjithëse e bukur, i mungon diçka, është e paplotësuar, sepse gjithsesi mbetet reflektim i diçkaje tjetër, që është sakaq e përkryer; ripërsëritja edhe pse e përpiktë është imazhi fals i origjinalit që mahnit. “Bukuria turke”, pra, nuk është bukuri, edhe pse me hatër i themi “bukuri”. Përderisa nuk gjeneron prej vetvetes, ajo në çdo gjendje është margjinale, në çdo moment është një hap larg drejt kategorizimit të mosqenit “bukuri”.
Po të mos ishte ky kontekst lokal i përplasjes së perceptimeve të konstruktuara estetike, “bukuria turke” do të na çonte menjëherë drejt përfytyrimeve për imazhet femërore që na vijnë nga kulturat turke, më specifikisht ato që burojnë nga trashëgimia e Perandorisë Osmane. Nga të parët piktorë osmanë që pikturon imazhe njerëzore në situata krejtësisht profanë është mjeshtri Abdulcelil Levni, artist simbol i “Periudhës së Tulipanit”. Levni me këtë risi, si dhe më tendencën për dritëhije, do të konsiderohet si një nga pionierët e arteve figurative turke. Megjithatë, si produkt i kulturës perandorake, imazhet e tij të vjelura nga jeta e përditshme dokumentojnë personazhe nga etni të ndryshme dhe është tërësisht abuzive të gjesh aty fillesat figurative femërore të asaj që mund të konsiderohet “bukuri turke”.
Imazhi i femrës turke, rrjedhimisht i bukurisë femërore, gjatë shekullit të XIX është përshkruar si një model zhgënjyes, një model i cili orvatet që të çlirohet, por që gjithsesi do të mbetet përsëri peng i kulturës së saj, e cila është e patransformueshme. Përmes një alkimie zhanri që bashkon sa realitetin, fiksionin dhe nostalgjinë, femra turke do të skalitet në imagjinarin kulturor kolektiv si një vajzë e mekur, e ulur në divanin e saj, sytë e lyer fort me kohl por sakaq të mbuluara me tyl i janë drejtuar hapësirës së dritares prej nga ku shihet Bosfori. I refuzuar gjerësisht tashmë si model, duke filluar që nga shkrimet e Zejnep Hanëmit e deri tek shkencat humane post-said, vështirë se ka mbetur tek ky imazh diçka për të formësuar karakteristikat e “bukurisë turke” që na sjell tradita.
Vetëm në rastin e Italisë mund të thuhet pa droje se, përgjatë kohërave, vendi dhe bukuria femërore kanë gjetur përputhje mjaftueshëm për të përcaktuar një identitet kulturor tashmë të mirënjohur, prej nga ka lindur dhe togfjalëshin “bukuri italiane”. Që nga kohët e Dantes dhe Petrarkës, duke kulmuar me Botiçellin dhe Leonardon, idelali i së bukurës ka qenë preokupimi i artistëve italianë, i përthyer në kryevepra që kanë kultivuar parametrat estetikë. Gjatë epokës se “Grand Tour”, ku pinjollët e aristokracisë së Veriut të Europës plotësonin formimin e tyre klasik në truallin italik, termi mori kuptimin e tij modern duke formësuar stereotipin e femrës natyrale, pasionante dhe të zeshkët, i përdorur sakaq simbolikisht nga nacionalistët italianë, si dhe ideologjitë e shekullit XX. Në fakt do të jetë kinemaja ajo që do të mbërthejë karakteristikat e “bukurisë italiane”, por dhe aty për shkak të natyrës së kinemasë si art masiv argëtimi, ajo vjen si një traditë e manipuluar e së bukurës.
Në imagjinarin tonë kolektiv sidomos të paraviteve 90, aktorja Türkan Şoray, ose personazhi i Shamikuqes është mishërimi i femrës së bukur turke. Për shkak të përthyerjes më të kollajtë të dramës dhe mesazhit të saj tek publiku ynë, filmi u kthye simbol i kinematografisë turke, bashkë me të dhe personazhi i vajzës që donte të thyente tabutë e shoqërisë. Por edhe pse një produkt kulturor që vjen nga një traditë me ngjashmëri, ku refuzohen normat konservatore që kufizojnë lirinë e femrës, përsëri “Shamikuqja” mbeti një film i pëlqyer vetëm për publikun masiv dhe jo atë elitar. Edhe pse një film tipik i romancave të atyre viteve, larg arritjeve të sotme të kinematografisë turke, ai krijon njëfarë parehatie në publikun e kultivuar, jorehati që vjen më tepër nga tradita e “përbuzjes” së gjithçkaje turke, se sa nga fakti që kemi të bëjmë me një film modest. I kultivuar me këtë klimë stereotipizimi, shijet e publikut shqiptar e ndrydhin admirimin madje edhe për bukurinë femërore të aktores. Për rrjedhojë Şoray nuk mund të konkurrojë për nga bukuria një divë si, bie fjala, Sofia Loren.
Kjo “bukuria turke” është një konstrukt tipik i ligjërimit orientalist. Në mënyrë të pavetëdijshme kjo lojë bërrylash është mishërimi autentik se si ky ligjërim komunikon me aktorë shoqërorë gjithëçfarë. Edhe reagimi i këngëtares ndaj etiketimit si “bukuri turke”, përmes pohimit se është “një zonjë tipike e krishterë nga jugu i Shqipërisë” konfirmon një dimension sakaq vulgar të asaj që E. Sulstarova e quan “Arratisje nga Lindja”. Ky zhvillim kaq periferik për kulturën shqiptare, dëshmon përditshmërinë e triumfit të ligjërimit orientalist, i cili disiplinon shoqërinë edhe përmes këtyre krasitjeve edhe pse larg lulishteve.