Anatole Kaletsky
Pesë vitet e fundit Britania ka qenë një parajsë stabiliteti politik dhe ekonomik mes Europës së trazuar. Jo më. Në vitet e ardhshme Britani ka mundësi të jetë vendi më i paparashikuar politikisht në Europë. Ky rrezik, fillimisht i sjellë në vëmendjen e botës nga referendumi i Skocisë për pavarësi në shtator, është konfirmuar nga humbja e Partisë Konservatore të kryeministrit David Cameron në zgjedhjet speciale të enjten.
Megjithatë, humbja e statusit nga Britania si vendi i sigurt nuk ka prekur vlerat e saj kryesore – veçanërisht sterlinën. Sterlina është ende afër nivelit më të fortë që nga 2008, pavarësisht deficitit buxhetor të vendi, më i madhi në Europë në lidhje me prodhimin e brendshëm bruto.
Megjithëse Britania pritet të ketë zgjedhje të paparashikueshme më 7 maj, shumica e investitorëve dhe bizneseve sillen sikur paqartësia politike do të ketë ndikim të kufizuar në ekonomi. Kjo vetëkënaqësi duket e gabuar, për tri arsye.
E para, Britania mund të bëhet e vështirë për t’u qeverisur pas zgjedhjeve, pa asnjë parti ose koalicion partish në gjendje të krijojë shumicë qeverisëse. Sondazhet e tanishme parashikojnë që Partia Konservatore dhe ajo Laburiste të mos fitojnë mandate të mjaftueshme për të formuar qeveri – edhe sikur të jenë koalicion me partinë Liberal Demokrate.
Mazhoranca e konservatorëve me liberalët ose e laburistëve me liberalët duken matematikisht të pamundshme për shkak të rritjes së partive periferike. Nacionalistët skocezë duket se do ta rritë numrin e gjashtë deputetëve në parlament diku mes 20 në 50, përgjithësisht në dëm të laburistëve. Partia e Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar rrezikon me dhjetëra deputetë konservatorë. Ndërkohë, është thuajse e sigurt që liberalët do të humbasin gjysmë e 56 deputetëve që kanë. Për këtë arsye, një koalicion qeveritar mund të përbëhet jo nga dy parti, por nga tri ose katër, duke përfshirë dhe grupe nacionaliste periferike.
Partia Kombëtare Skoceze është e sigurt që do të kërkojë një referendum tjetër për pavarësi si çmim për koalicionin mbështetës, ndërsa Partia e Pavarësisë së MB (UKIP) ka shumë mundësi të këmbëngulë për daljen e Britanisë nga BE. Është e vështirë të imagjinosh që laburistët ose konservatorët do të bien dakord me këto kushte.
Kjo do të thotë që qeveria të krijohet pa shumicë në parlament. Ndërsa qeveritë e pakicave janë të zakonshme në kontinent (Europë), parlamenti britanik vetëm një herë nuk ia ka dalë të prodhojë një shumicë qeverisëse – gjatë një periudhe të shkurtër në 1974 me Harold Wilson-in. Kjo krijoi valë sizmike në politikën e acaruar britanike.
Arsyeja e dytë për t’u shqetësuar është se një qeveri e një koalicioni shumëpartiak ose qeveri pakice, edhe nëse del nga pazaret pas zgjedhore, gjasat janë të bjerë brenda një ose dy vjetësh. Kryeministri i ardhshëm, Cameron apo Ed Miliband i laburistëve, do të jetë vetëm kryeministër afat shkurtër, e do të marrë vetëm vendime për çështje të pa debatueshme.
Diku gjatë vitit 2016 ose në 2017, është thuajse e sigurt që partitë opozitare do të bashkohen për të kërkuar votëbesimin e qeverisë në lidhje me ndonjë çështje të rëndësishme – duke e rrëzuar atë. Kjo do të çonte në zgjedhje të reja, pavarësisht kërkesës parimore që parlamenti duhet të përmbushë një term pesëvjeçar.
Fakti thuajse i sigurt që çfarëdo qeverie që do të dalë në maj do të rrëzohet brenda një viti ose një viti e ca, ngre çështjen e tretë më shqetësuese për biznesin. Zgjedhjet e parakohshme në 2016 ose 2017 ka shumë mundësi që të nxjerrin një qeveri euroskeptike, e përkushtuar për ta nxjerrë Britaninë nga BE.
Përderisa vazhdimi i koalicionit të tanishëm është thuajse i pamundur për shkak të betimit të konservatorëve për një referendum për çështjen e BE, të cilin liberalët e kundërshtojnë, Cameron-i mund të jetë kryeministri i ardhshëm vetëm nëse partia e tij fiton shumicë direkt ose nëse formon koalicion me nacionalistët skocezë, Partinë e Pavarësisë së MB dhe parti të tjera periferike. Një shumicë konservatore e drejtpërdrejtë është jashtë çdo diskutimi, duke iu referuar sondazheve të tanishme, dhe s’ka më kohë për shtimin e mbështetjes që konservatorët kishin parashikuar për shkak të ringritjes ekonomike.
Një qeveri konservatore e mbështetur nga nacionalistët skocezë dhe UKIP është më e mundshme, por lënda ngjitëse e një koalicioni të tillë do të ishte një referendum për qëndrimin e Britanisë në BE, gjë që Europa do ta ketë të vështirë ta pranojë. UKIP padyshim që do të punojë për një mandat të vështirë për t’u negociuar, madje dhe nacionalistët skocezë do të bëjnë të njëjtën gjë për arsye taktike. Skocezët do të insistojnë që referendumi për daljen e Britanisë nga BE të shoqërohet me një referendum për shkëputjen e Skocisë nga BE. Dhe në referendumin e dytë, skocezët përgjithësisht pro europianë është thuajse e sigurt që do të votojnë për shkëputjen. Ndarja kaotike dhe status quoja kushtetuese atëherë do të kompletohet.
Mund të duket paradoksale, por dalja nga BE mund të jetë më e mundshme nëse në maj formohet një koalicion laburisto-liberal. Megjithëse të dyja partitë janë të vendosura ta mbajnë Britaninë në BE, një qeveri laburisto-liberale e dobët do të përballej me rënien e besimit të biznesit dhe një krizë të mundshme të sterlinës. E gjasat janë më të mëdha për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, sesa në rastin e një koalicioni të konservatorëve me nacionalistët.
Ndërkohë, konservatorët, të rënë në opozitë, padyshim që do ta zëvendësojnë Cameron-in si kryetar partie me një eroskeptik të vijës së ashpër – me shumë gjasa Boris Johnson, kryetarin popullor e populist të bashkisë së Londrës. Nëse ndodh kështu, zgjedhjet e parakohshme të 2016 ose 2017 do të çonte me shumë gjasa në fitore me shumicë dërrmuese për konservatorët radikalë euroskeptikë në koalicion me Ukip. Një referendum i shpejtë që do të ngarkonte qeverinë të niste negociatat për dalje nga BE do të futej në kompanitë e basteve.
Të gjithë këta skenarë, mund të vlerësohen me shumë dyshime. Shumë befasi politike do të shfaqen me siguri prej tani deri më 2017. Në fund mund të triumfojë instinkti i kujdesshëm i votuesit britanik – siç triumfoi në referendumin skocez – duke ruajtur status quonë e anëtarësimit britanik në BE.