Ndërsa politika shqiptare shfaq ekzaltimin e saj patriotik në nivele ekstreme kur luan kombëtarja, nuk bën asgjë për probleme jetike me të cilat përballet kombi. Paradoksalisht politika shqiptare është nacionaliste në futboll dhe totalisht tolerante dhe indiferente në politikë ndaj vendeve që nuk janë dhe aq miqësorë ndaj kombit tonë. Ky realitet rrëfen për një kontradiktë të thellë midis asaj çfarë kjo politikë shfaq në shkallët e stadiumit dhe asaj çfarë bën në realitet.
Kualifikimi i kombëtares shqiptare në eleminatoret e Euro 2016 solli një shpërthim masiv ekzaltimi e krenarie kombëtare, të krahasueshme vetëm me kremtimet e 100 vjetorit të pavarësisë. Politika, si gjithmonë, u mundua të jetë në ballë të festimeve, ku kryeministri u shfaq protagnist edhe më shumë se vetë futbollistët. Ai doli në Rinas, organizoi një program maratonë me hartime, retorikë, tituj Nderi i Kombit dhe premtime ndërtimesh deri me pllakë floriri, ndërkohë që stadiumi i Shkodrës, ku sipas të njëjtit kryeministër do të zhvillohej ndeshja me Serbinë, ka mbetur ngrehinë fantazëm, për t’u inauguruar në kushedi se ç’celebrim politik. Ai nuk u mjaftua me kaq por pushtoi vëmendjen e publikut edhe gtjatë një emisioni sportiv i shfaqur në rolin e tifozit, trajnerit, kapitenit të skuadrës, sekretarit të federatës, gazetarit sportiv etj. Te kombëtarja, kryeministri u mundua të mishërojë aspiratën e një populli, për të qenë krenar me kombin e vet, përkrah kombeve të tjerë në botë…
Por teksa retorika kryeministrore kulmonte nga tonet emocionale të patriotizmit futbollistik, re të errëta mbuluan qiellin e politikës në Kosovë, të asaj pjese të atdheut pra, nga ku vjen shumica e skuadrës patriotike. Qeveria atje po mundohet të kalojë në parlament një marrëveshje shkatërrimtare, e cila e ka detyruar opozitën të bllokojë seancën, duke arritur te gazi lotsjellës. Marrëveshja e qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë do t’i japë serbëve të Kosovës jo vetëm të drejtën e një komuniteti të privilegjuar, duke u zgjeruar deri gati në çerekun e territorit të vendit, por u krijon atyre edhe mundësinë të bllokojnë çdo politikë e ndërmarrje në funksion të forcimit të shtetit. Me këtë marrëveshje serbët kanë në dorë stabilitetin e Kosovës. Kjo marrëveshje është ngjarja më e hidhur e këtyre viteve pavarësi, e cila çon drejt pengmarrjes së këtij vendi nga Serbia.
E megjithatë kjo nuk përbën asnjë ngjarje me rëndësi për politikën e Tiranës. Asnjë deklaratë e asnjë qendrim institucional, asnjë fjalë me seriozitetin e facebook-ut për situatën atje. Me rëndësi ishte fakti që futbolli po njeh suksese, kurse gjithçka që ka të bëjë realisht me shqiptarët e kombëtares nuk vlen as për një prononcim (kujtoni Kumanovën). Shqetësimi i Ramës ishte do të vinte apo jo Vuçiçi në Elbasan, për të parë ndeshjen përkrah tij, në mënyrë që të mund t’i tregojmë botës sesa “të qytetëruar” e tolerantë jemi me “armikun”, pa nuk ka rëndësi që Vuçiçi po mban peng të ardhmen e Kosovës. Kryeministri shfaqet aktiv në futboll e pasiv në politikë. I kërkon homologut serb njohjen e Kosovës, po cilës Kosovë?
Siç është theksuar edhe herë të tjera nga autorë të ndryshëm, kjo politikë është demonstrim i mungesës së çdo skrupulli. Retorika nacionaliste si kostum tallava mbi servilizmin ndaj politikave të huaja antishqiptare është vetëm ironia e një fatkeqësie kombëtare, pasojat e së cilës do të duhet t’i vuajmë gjatë, me koncensione që ndoshta nuk mund të zhbëhen më kurrë. Serbia tallet me shqiptarët, ndërsa politika jonë krihet nëpër stadiume duke brohoritur: “Oh sa mirë me qenë shqiptar”.
Vërtetë është mirë me qenë shqiptar, por nga ata lloj shqiptarësh që sfidojnë indiferencën ndaj kombit, nga ata që nuk e tregtojnë të qenurit shqiptar me komoditetin e poltronës politike. Patriotizmi i shkallëve të stadiumit të zyrtarëve që nuk kan bërë asgjë përveç ligësive për këtë komb është refreni më i shëmtuar i një cinizmi të hidhur që duhet ta kapërdijmë të gjithë.