Alex von Tunzelmann
History Today
Bota jonë mori formë nga perandoritë. Gjuhët, kulturat, infrastruktura, hartat dhe monumentet janë gjurmët e lëvizjes së pushtetit në sipërfaqen e saj. Thuhej që Perandoria Britanike i dha ngjyrë rozë një të katërtës së planetit, ngjyra që përfaqësonte zotërimet e saj në atlaset perandorake. Pjesë të Amerikës së Veriut, Australisë, Zelandës së Re dhe Afrikës ishin emërtuar Jamestow, Victoria, Wellington dhe Livingstone. Luani britanik nuk ishte e vetmja bishë që shënonte territorin e saj. Aleksandri i Madh i emërtoi shumicën e qyteteve që themeloi Aleksandri. Një radhë qytetesh romake quheshin Çezar. Kolombi emërtoi ishujt e Karaibeve La Isla Española and Juana. Imperialistët gjermanë krijuan një Caprivi dhe Schuckmannsburg në Namibi. Kongua belge kishte qytete të quajtur Léopoldville, Élisabethville dhe Baudoinville. Këto qytete ishin mbushur me monumente për madhështinë e kolonizatorëve: emra, institucione publike, parqe, vende faljeje dhe statuja.
Siç tregon debati për statujën e Cecil Rhodes në Oriel College, Oxford, trashëgimia perandorake mund të kundërshtohet shumë breza më vonë. Sa i përket argumentit që Rhodes ishte “njeri i kohës së tij”, ai ishte thellësisht polarizues kur ishte i gjallë: i urryer nga njerëzit të cilëve u kishte kolonizuar tokën dhe nga rivalët e tij, Boerët, shihej me përbuzje nga shumë vetë në Britani, që i trembeshin amoralitetit dhe megalomanisë së tij. Ai mbikëqyri luftën: padrejtësi civile dhe vdekjen e mijëra afrikanëve. Ai ishte dhe zemërgjerë dhe bamirës transformues për Universitetin e Oxford-it. Në respekt të faktit të fundit, që nga 1911 një statujë e tij qëndron mbi hyrjen kryesore të Oriel-it. Studentët që zhvillojnë fushatën “Rhods-i duhet të rrëzohet” kanë bërë thirrje që ajo statujë të shkojë në ndonjë muzeum.
Ka mundësi më pak polarizuese sesa mbajtja e statujës në formën që është ose largimin e saj; ajo mund të transformohet në mënyrë imagjinatave ose t’i vendoset një mbishkrim tjetër. Oriel-i iu përgjigj fushatës në dhjetor 2015 me një deklaratë të balancuar duke kërkuar gjashtë muaj për diskutim. Pastaj, në janar të këtij viti, kolegji deklaroi që statuja do të qëndrojë, në përgjigje, të kërcënimit të ish-studentëve të pasur që mund të anulojnë trashëgiminë me vlerë deri në 100 milionë sterlina. Kundër fushatës “Rhodes-i duhet të rrëzohet” ka pasur reagime të udhëhequra nga F.W. de Klerk, lideri i fundit i Afrikës së Jugut nën aparteid; Tony Abbott, ish-kryeministër i Australisë; dhe Lordi Patten, kancelar i Universitetit të Oxford-it. Studentët janë akuzuar për vandalizëm, përdorim të retorikës së korrektesës politike dhe për përpjekje që të fshijnë faktet historike që nuk u pëlqejnë.
Cilado qofshin të drejtat dhe gabimet e heqjes së statujës, sugjerimi që anëtarët e fushatës duan të fshijnë faktet që nuk iu pëlqejnë në lidhje me Rhodes-in është i gabuar. Kundërshtimi është për shkak se ata i mbajnë mend mirë gjithë ato fakte. Statujat nuk janë histori në kuptimin që të kenë vlerë pedagogjike. Ato janë simbole politike, që janë në përputhje ose jo me shijet politike dhe estetike. Protestuesit që rrëzuan statujën e Sadam Huseinit në Bagdad më 2003 nuk e mohuan ose dëmtuan historinë e Irakut. Ata kujtuan trashëgiminë e Sadamit; për këtë arsye, ata hodhën poshtë glorifikimin e tij. Shumë vetë në perëndim u gëzuan kur rebelët rrëzuan një statujë të Stalinit më 1956 në Hungari dhe kur në Ukrainë u rrëzuan disa statuja të Leninit më 2013-14. Historia e Bashkimit Sovjetik dhe satelitëve të saj mund të tregohet dhe debatohet lirisht pavarësisht humbjes së atyre monumenteve.
Përkujtimi i vazhdueshëm i Konfederatës është ende polarizues në shkollën Nathan Bedford Forrest në Jacksonville, Florida, e cila ishte një shkollë vetëm për të bardhët: emri i saj nderonte një gjeneral të Konfederatës pronar skllevërish, i cili ishte lideri i parë i Ku Klux Klan-it. Më 2014, studentët e saj ishin kryesisht afro-amerikanë dhe bordi i saj vendosi të ndryshonte emrin në Westside High. New Orleans-i votoi kohët e fundit të hiqte katër statuja të gjeneralëve të Konfederatës. Ajo mund të ndjekë shembullin e Delhit, Moskës dhe Budapestit, të cilët kanë krijuar një “varrezë” për monumentet e regjimeve të kaluara. Fytyra e gurtë e aparatçikëve të parisë dhe burokratëve kolonialë zhduken ngadalë kur ekspozohen me elementët e motit, ose mbulohen nga barishtet që rriten. Bronzi i madh i Mbretëreshës Viktoria, e cila dikur qëndronte në Charing Cross, Lahore (tani Pakistani), qëndron në një dhomë në muzeumin e Lahores. Nxënësit e shkollave ulen në prehrin e saj të gjerë dhe bëjnë selfie.
Disa qytete kanë ende gjurmët perandorake: Abbottabad në Pakistan, Livingstone në Zambia, Brazzaville në Congo. Nëse banorët janë të kënaqur me këtë emra, nuk është nevoja që ato të ndryshohen. Të tjerët i kanë ndryshuar. Alexandria Arachiosa tani quhet Kandahar. Juana është Cuba. Léopold-ville është Kinshasa. Rhodesia e Jugut, e emërtuar për nder të Cecil Rhodes, është Zimbabwe. Historia e Raj-it Britanik nuk u zhduk kur Kalkuta vendosi ta shkruante emrin e saj Kolkata; atë nuk mund ta arrijnë as kritikët dhe as mbrojtësit e saj. Në Rusi, Shën Petërburgu u bë Petrograd, pastaj Leningrad, pastaj sërish Shën Peterburg. Një fushatë tani synon t’i rikthejë Volgogradit emrin e dikurshëm Stalingrad, i ndryshuar nga Hrushovi më 1961 si pjesë e programit të destalinizimit. Statuja të reja të Stalinit u ngritën vitin e kaluar në disa qytete ruse. Portretet e tij varen në rrugët e Donetskut (dikur Stalino). Rehabilitimi i Stalinit është një prirje shqetësuese, megjithatë, si të tjerë para tyre, monumentet e reja nuk do të zgjasin përgjithmonë.
Shumica e kritikave ndaj fushatës “Rhodes duhet të rrëzohet” kanë këtë shqetësim: Cili është fundi i kësaj? Kush e ka radhën? Cromwell, Clive, Churchill-i madje? Përgjigjia është që kjo nuk ka fund. Brezat e ardhshëm munden dhe do ta hetojnë të shkuarën. Çfarëdo që të ndodhë me statujën e Rhodes-it, debati është shenjë e angazhimit publik të shëndetshëm me historinë. Monumentet e figurave historike dhe regjimeve nuk qëndrojnë bazuar në të drejtë hyjnore, por nga mirësia e atyre që jetojnë përkrah tyre. Asnjë vizion i të shkuarës nuk mund të gdhendet përjetësisht në gur.
Gjashtëdhjetë vjet para se statuja e Cecil Rhodes u ngrit në Oriel, Percy Shelley u pranua në University College ngjitur me të. Poema e tij Ozymandias përshkruan një udhëtar në një shkretëtirë që ndesh ‘këmbë pa turp’ dhe një ‘fyt të shkatërruar’ të një statuje, me mbishkrimin: “Emri im është Ozymandias, mbreti i mbretërve; shikoni veprat e mia, ju të fuqishëm, dhe dëshpërohuni!” Perandoria Britanike nuk ishte fuqia e madhe as e para dhe as e fundit të shikojë ikonat e saj të shemben. Në këndvështrim të gjatë historik, siç ra Ozymandias, do të bjerë dhe Rhodes-i. Është vetëm çështje kohe.
______________
Titulli është redaksional nga pb