MEDIAVULGU
carangthi
“Videoja” e Sokol Ballës, teksa manovron me armë me leje, nuk është më skandaloze se fotot e Edi Ramës plazhist. E nëse konsiderojmë që Balla është eksponent i një modeli-gazetarie të specializuar në ofrimin e spektaklit të politikës shqiptare, sekuencat e tij filmike shmangen shumë pak nga ato të Inis Gjonit apo, për t’i qëndruar zhanrit të politikës, fotove të zëdhënëses së PD-së, Laura Vorpsi, me pistoletë dhe me seksin e tatuazhuar në bluzë, e po kështu të drejtoreshave seksi të kryeministrit Rama, që pikësëpari iu prezantuan shqiptarëve në rroba banjoje (transparencë apo ndershmëri?!). Përkundrazi, për t’u mahnitur dhe sigurisht revoltuar është gjesti i Top Medias, që solli largimin e gazetarit.
Konsumatori shqiptar zbulon që TCH paska moral dhe etikë. Kjo në fakt është e sanksionuar në faqen zyrtare të Fondacionit “Dritan Hoxha”, ku shkruhet se ai “synon të kontribuojë për një shoqëri shqiptare të orientuar edhe më shumë nga kultura, arti, komunikimi, zhvillimi mediatik, nëpërmjet talentit dhe inovacionit” dhe se ai kontribuon “për një realitet shqiptar më të pasur kulturor e mediatik, që ofron mundësi për ta bërë atë më cilësor dhe gjithëpërfshirës”. Kur lexon këto maksima etike nuk mund të mos e mirëkuptosh zgjedhjen e TCH për ta larguar mëkatarin Balla, por vetëm pak minuta pasi konsumon produktet e TCH të përzihet stomaku nga niveli i hipokrizisë dhe i patetizmit, të pambulueshme me foton engjëllore të themeluesit, i cili, siç e do tradita shqiptare, në fasadë emërton tre rrugë (Tiranë, Prishtinë, Tetovë), një çmim vlerësues, është nderi i dy qyteteve, personazh kënge etj, ndërsa brendësia e eposit të tij ka një ngrehinë mediatike të ndërtuar me pasuri anonime, një ortak të vrarë me eksploziv, një anshmëri të theksuar politike, epilogun tragjik në shoqërinë e një emri, si për ironi, të lënë hijeve nga TCH. E atëherë, të besojmë se i virtytshmi themelues po udhëtonte me gocën e tezes ndryshe nga i pamoralshmi pasues, pjesë e të njëjtës vathë?
Pasi TCH i mësoi shqiptarët, me anë të emisionit porn-tokalli, të qeshin me leshin e trapin është tërësisht i pakuptimtë ndëshkimi ndaj Ballës, tani që e mori “situatën në dorë”, duke e shndërruar në praktikë teorinë e shpërndarë prej një dekade nga valët e TCH në oraret kur familjet janë para ekraneve. Pasi importoi për shqiptarët risinë zoologjike Big-Brother (BB), në formën e saj më të shëmtuar, të ofruar tashmë çdo ditë e në çdo çast nga paketa Digitalb, s’ka aspak kuptim që TCH të irritohet nga intimiteti i Ballës, që madje duhej propozuar si konkurrencë ndaj pyllit të BB-së. Top Media, ajo e cila largon nga puna Ballën, është bërë përmes BB-së ekspozita publike, edhe në kuptimin e shtëpisë publike, e një degjenerimi të pafre, që i përçon rinisë një model suksesi, e nga ana tjetër ka guximin të deklarojë promovimin e “kulturës, artit, komunikimit, talentit, inovacionit”, të cilat me sa kuptohet nga botëkuptimi i punës së vyer të TCH shprehen me anë të kalimit nga një shtrat në tjetrin, nga reçeli i pjeshkës, fluturimi i zogjve e me mënyra të tilla analoge.
Ndryshe nga hapësira private e Ballës, paketa Digitalb i jep çdo ditë hapësirës publike filma me përmbajtje të lartë dhune e seksualiteti, që për oraret e transmetimit mund të shikohen lehtësisht nga fëmijët. TCH i tregoi shqiptarëve se në zonat më të thella të vendit kishte akoma insanë, të quajtur “qytetarë”, që i keqi Berishë i linte pa drita, ujë e miell, tre ingredientët e nevojshëm për të salduar njerëzit para ekraneve, por që shpëtimtari Rama do t’ua siguronte me shumëzim ose me lojën e ‘topit me tre gota’. Ndërkohë Top Channel ka vite (prej themelimit mbase) që punon për t’i bindur shqiptarët se një ditë do ta gjejnë topin e Ramës, pikërisht të atij pra që të gjithë shqiptarët e panë nudo, edhe më në dritë se i pamoralshmi Balla, e kjo nuk i pengoi aspak eprorët e ndershëm të Ballës ta promovojnë Ramën haptazi dhe më fuqishëm se kushdo.
Prandaj ndëshkimi i Ballës është vërtetë i habitshëm. Bie ndesh me parimet e një media-je të majtë, teorikisht liberale, familjare ndaj ekspozimit, promovimit dhe tregtimit të seksualitetit në format erotike e pornografike. Të ishte ndonjë kontekst i djathtë, teorikisht altoparlant i konservatorizmit, edhe mund të përtypej disi, megjithëse tashmë në media të shkruara pranë këtij spektri politik (si p.sh Mapo), të vetmet kontraste krijohen nga ndonjë palë brekë në fluturim, bikini transparentë, pozicione çiftëzimi, paralelisht me fotot e penave të filozofisë, gjeopolitikës, moralit civil e fetar dhe mendimit letrar. Me siguri arsyet e kësaj manovre duhen kërkuar diku tjetër.
Nuk mund të anashkalohet gjithashtu as politika editoriale e shantazhit mediatik të gazetës Express, që ushqehet me dinjitete njerëzish, duke iu futur të tjerëve nëpër dhoma gjumi, krevate, të mbathura e hapësira intime, nëpërmjet fijesh e hafijesh nga më të dyshimtat, e motivuar nga qëllimet më të mbrapshta, për të ekzekutuar publikisht këdo që dëshiron. Duhet thënë se vuajerizmi dhe epshi përgojues i kësaj lloj gazetarie është sigurisht më pervers sesa veprimet e viktimës. Përtej sofizmit banal, me të cilin gazeta në fjalë justifikon publikimin e kësaj shëmtie, spikat marrëzia epike, kur shndërrohet në lajm krahu me të cilin masturbohet një gazetar: kështu gazeta arrin në zbulimin epokal, me shumë interes (sipas saj) për publikun mbarëkombëtar shqiptar, se gazetari qenka mëngjërash! Duke ditur se fuqia e gazetarisë nuk qendron te krahu, por te koka, na mbetet të konstatojmë që e sigurt këtu është se gazeta ka ngatërruar kokë në përdorim për shkrimet e saj.