pb
Si shumë gjëra të tjera në Shqipëri, sherri i fundit midis ish-kryeministrit Berisha dhe gazetarit Andi Bushati është një ngjarje krejt pa vlerë e pa rëndësi. Çfarë mendojnë ata për njëri-tjetrin nuk ka asnjë interes dhe as do t’i kishim kushtuar kohë kësaj shfaqjeje nëse ajo nuk do të nxirrte në pah probleme serioze mbi mënyrën e raportimit me të kaluarën diktatoriale komuniste. Shqetësuese në reagimin e Bushatit është lehtësia me të cilën ai shpërfill raportet e politikës së sotme me të shkuarën diktatoriale. Duke qenë se Bushati ka qëlluar të jetë nip i Hysni dhe Vito Kapos, dhe i biri i Mehdi Bushatit, pikërisht pse rrjedh nga një familje e tillë në majat e pushtetit të atëhershëm, ka për detyrë morale të tregohet i ndjeshëm ndaj kriminalitetit të atij regjimi. Por Bushati bën krejtësisht të kundërtën. Zhvleftëson rëndësinë e kësaj të kaluare, e madje, kësaj radhe, nuk hezitoi as ta përdorë pozitën e dikurshme si kredencial diferencues ndaj të tjerëve.
Në lidhje me akuzat që Berisha dhe Rama i bëjnë njëri-tjetrit për raportet e tyre me regjimin, Bushati shprehet se këto nuk i duhen askujt. Me një lehtësi të admirueshme ai përpiqet të lajë duart me të kaluarën duke pretenduar se ka mbetur i painfektuar nga ai regjim, duke qenë i hapur e i lirë, i pakompleksuar prej asaj kohe. Ai madje nuk ngurron as të krenohet pse, si djalë bllokmeni, ka arritur të fitojë aq vetëvlerësim sa të mos ketë adhurim për udhëheqësit e partisë, madje nuk e fsheh as përçmim e tij të dikurshëm, për njerëz të ardhur nga fshati, të dëshiruar për një post në hierarkinë e partisë. Duke ia shprehur të gjitha këto Berishës, i irrituar pse ky i fundit i kujton origjinën familjare, Bushati shkruan:
Po, unë vërtet kam lindur në bllok, por duke më bërë këtë lojë, fati më shpëtoi nga një shtrembërim i madh, të mos lëpij prapanicën e gjithkujt për tu futur deri aty. Po, vërtet unë nuk jam rritur në bjeshkë, por fakti se kam qenë fëmijë i një familje pjesë e nomenklaturës më të lartë komuniste, më shpëtoi nga zvarritja me valixhe druri në dorë, për tu bërë me çdo kusht anëtar i PPSh-së. Me shokët e mij të shkollës, ne talleshim me këta arrivistë të ngjitur që i ngjanin Andon Ledhit. Po, unë jam rritur në oborrin e rregjimit që shkoi, por shpërfillja fëmijërore ndaj idhujve, më bëri që të kem shumë më pak foto me ngjyra dhe metra filmime, me personazhet e asaj kohe, sesa ata që duan të më përgojojnë sot. Të gjitha këto rastësi, përfshirë edhe ato të moshës, më bënë që të jem sot një njeri shumë më i hapur dhe më i lirë, pa pikë brenge dhe kompleksi nga e shkuara, se shumëkush të cilin e deformoi dhe e zhburrëroi ajo diktaturë. Prandaj përmendia e biografisë në debatin e sotëm, vetëm më bën të qesh, sepse e kuptoj se ai është makthi i atyre që e kanë vuajtur.
Debati bëhet cinik kur ndjenja e një superioriteti klasor e kultivuar në mënyrë latente brenda vetë klasës përmbysëse, e shndërruar në borgjezi të nomenklaturës falë privilegjeve të ofruara jo pa “meritë” nga regjimi, vijon të ledhatojë ende sedrën e pinjojve të tyre. Nga njëra anë krenaria me një status social aspak të respektueshëm për njerëz që kanë për referencë të tjera vlera njerëzore, tregon se kurrfarë reflektimi nuk ka arritur të depërtojë në ndërgjegjen e tyre; nga ana tjetër, përkundrazi e për ironi, të përkëdhelurit e regjimit e lustrojnë dekoratën e të qenurit pjesë e tij si mjet certifikues të rebelimit të tyre ndaj nomenklaturës. Duket se kjo ndjenjë superioriteti dhe disidence të heshtur është shndërruar në kompleks, evokimi i të cilit tregon se ndërgjegjja ka mbetur e pabrejtur nga përfitimet e krijuara në shërbim të një pushteti kriminal, që vrau, burgosi, syrgjynosi, shantazhoi e poshtëroi mijëra njerëz, ndërsa i shkaktoi dëme të pariparueshme indit social e kulturor shqiptar.
Natyrisht, nuk mund të fajësohet Bushati për shërbimet që familja e tij i bëri regjimit, por nuk mund të pranohet as kjo krekosje për statusin shoqëror të përfituar në këto rrethana. Më e pakta që duhet të bëjë një njeri me një angazhim publik në të tilla raste është distancimi prej veprimtarisë së familjes dhe keqardhja për privilegjet e gëzuara kur i gjithë vendi jetonte në ferr. “Fati i tij” i mirë nuk ka qenë një kapriço e shortit të rrjedhës së historisë siç e paraqet ai, por përfitim i ardhur nga shërbimi që gjyshëritë dhe prindërit e tij i ofruan regjimit. Nëse Primo Levi “mbijetoi sepse vdiqën të tjerë”, e nëse disa prej të ardhurve me valixhe druri mbijetuan dhe bënë karriere duke (vetë)vrarë dinjitetin sepse i detyroi kasta ku përfshihej Bushati, ky i fundit dhe soji i tij u ngritën mbi fatkeqësinë e tjetrit, falë ambienteve familjare që në vend të valixhes së drurit kishin ardhur me hu dhe litar, duke detyruar të tjerë të çburrërohen për t’iu siguruar të ardhme pinjollëve të tyre. Në fund të fundit, Berisha dhe të ardhurit me valixhe druri janë aprodukt i komoditetit të Bushatit gjatë regjimit, arsye për të cilën, personi me një minimum etike nuk do duhej të krenohej aspak.