Në librin Hëna e Shqipërisë Ben Blushi u paraqit si Nostradamus i fatit të këtij vendi, duke teorizuar mbi ndryshimet që presin të ndodhin në dekadat e ardhshme. Mori lavde nga shkrimtarë, gazetarë e publicistë, të cilët u entuziazmuan mbi vlerat profetike të dëshmuara në libër dhe e vlerësuan si një orakull të shoqërisë shqiptare. Madje Henri Çili, njëkohësisht edhe botues i tij, nuk ngurroi të shihte realizimin e disa prej profecive që në javët e para të botimit. Një koncert tipik ky, për një vend të braktisur nga kritika letarare dhe eseistike që para ardhjes së regjimit, aq sa tashmë është e panjohur si zhanër.
Mirëpo, ja që gjërat nuk të ecin gjithmonë. Blushi, që s’ka lënë gjë pa parashikuar e parathënë për Shqipërinë e shqiptarët, madje edhe për Europën e rajonin mesdhetar, nuk parashikon dot as veten e tij: ndërsa një vit më parë e shihte lëvizjen Gülen si rrezik e kërcënim parësor për vendin, sot e dekoron.
Ndoshta është ekzaltimi për mundësitë e protagonizmit që ofron gjithmonë ardhja e presidentit turk në Shqipëri që e kanë bërë Blushin të nxitohet e të flasë, ndoshta jehona e tifozerive në pritje të gladiatorëve të rradhës ia ka prishur magjinë, apo ndoshta ‘winds of change’ ia kanë ndërprerë rrotullimin e zareve. Sidoqoftë, lotët e Erdoğanit duket se marrin forcën e shkopit të Harry Potterit: e njëjta poezi elektorale që e emocionon presidentin turk në çdo shtëpi mitingjesh, në Shqipëri është vaditje e mirë për lulëzimin e kalorësve, të verifikuar kryesisht pas ikjes së dushmanit.
Blushi vjen nga një traditë e konsoliduar post-burrërimi, e nisur me ikjen e gjermanit të fundit dhe vizatimin politik të Europës së atëhershme – ngjarje të cilat i dhuruan disa paraardhësve lirinë e nevojshme për të eksperimentuar burrëri te shqiptarët për gjysmë shekulli – dhe e vazhduar me kritika vetëm pasi fillimisht është fituar karrigia ose janë siguruar mbështetje për kolltukë më të rehatshëm. Pas fjalimit të tij të fundit në Parlament, shpërtheu menjëherë eposi digjital, ku u cilësua si “zog shqiponje”. Që ne kemi zogj me shumicë është fakt, por problem mbetet kategoria.
Në fakt vetë Blushi e çakordon konsumatorin e këtij eposi me rrokadën me vetveten:
“Bëhet fjalë për të mbyllur shkolla, shkolla që kur janë hapur në Turqi apo në Shqipëri para 10 apo 15 vjetësh ishin krenaria e arsimit turk dhe në një kuptim mesa unë jam informuar ka ndihmuar me mijëra fëmijë shqiptarë që në kushtet kur arsimi ynë u trondit këto 20 vjet, të merrnin arsimin e duhur […]. Keni parë ju vëlla apo mik që thotë mbyllni shkollën? Unë nuk kam parë”.
Një vit më parë, në librin e cituar, Blushi i përfshinte strukturat drejtuese të këtyre shkollave si mekanizma depërtimi të turqizmit te shqiptarët, në kuptimin kulturor e natyrisht fetar. Ai përshkruante Fethullah Gülenin, Turqinë në tërësi, kreun e ri të KMSH-së dhe prapavijën turke, për të arritur deri te pohimi se “mbi dhjetë për qind e policëve shqiptarë janë gylenxhi”, ngaqë të trajnuar në infrastrukturën e të njëjtës lëvizje, por pa ofruar asnjë burim. I tërë ky kompleks ilustrohet nga autori në argumentim të rreziqeve për Shqipërinë e ardhshme. Megjithëse libri ka ende erën e shtypshkronjës, dhe herë pas herë publicizohet me realizmin e profecive, autori sapo i bëri një retushim, nga foltorja e Parlamentit: strukturat deri dje të dëmshme tani duhen mbrojtur.
Mbi arsyet mund të spekulohet në pafundësi, por dy konkluzione të menjëhershme janë më se evidente. Blushi politikan është déjà vu. Asgjë e re, asgjë ndryshe, asnjë hënë shpresëdhënëse. Thjesht politikë me lot. Blushi eseist mund të ketë sukses vetëm në Shqipëri, për ironi të atyre që besojnë se këtu ka vlera europiane të fosilizuara. Vetëm këtu autori mund t’ia transformojë tërësisht argumentet punës së tij studimore sa hap e mbyll sytë, duke ruajtur koherencën personale, në nivel pavetëdijeje, në lidhje me një kah superior dhe një tjetër inferior të gjeo-kulturës botërore.
Te ne ndodh absurdi. Kërkesa për të ndryshuar një drejtim turk me një tjetër po turk – pasi në vendin e origjinës së sfondeve e strukturave është përmbysur raporti politik brenda grupeve të interesuara – prodhon kalorës të zjarrtë, në një kohë që drejtuesit shqiptarë të shkollave shqiptare zëvendësohen me t’u ndryshuar partia në pushtet ose në bazë të kuotave të koalicioneve politike. Gazetat që deri dje trajtonin çështje të tilla dhe ato që dje heshtnin e sot informojnë, sidoqoftë kurrsesi me hapësirën kushtuar porno-gazetarisë, bashkë me politikanët e intelektualët që pretendojnë ndryshime, duhet të marrin mundimit të demonstrojnë nganjëherë ato vlera të cilat na bëjnë pjesë të një “botë superiore” dhe njëkohësisht na largojnë nga “inferiorët”. Përndryshe, duke e marrë të mirëqenë këtë ndarje abuzive, do të mbesin me këta të fundit, shtëpi e dytë për këdo që shkel mbi vlerat-model.