Antipatia që shumë britanikë ndjenë për BE buron nga instinkti i duhur, por çon në përgjigjen e gabuar. Padyshim, Brukseli e përbuz demokracinë dhe pëlqen luksin e mosdhënies së llogarisë. Kompromisi i cekët i David Cameron-it nuk do të bëjë asgjë për këtë problem. Megjithatë, dhe vota pro daljes së Britanisë nga BE, në referendumin e ardhshëm, nuk është përgjigja e duhur.
Komuniteti Europian ishte, në fillimet e tij, një sipërmarrje e mrekullueshme. Krijimi i tij mundësoi ringjalljen e kulturave kombëtare në frymën e kozmopolitanizmit evropian, zhdukjen e kufijve, institucionet e përbashkëta dhe begati të përbashkët. Pavarësisht gjuhëve të ndryshme dhe kulturave të dallueshme, Europa nisi të bashkohej, në paqe dhe harmoni të sipërfaqshme. Nga ana tjetër, veza e gjarprit po ngrohej në themelet e bashkimit urgjent.
Shtetet normale si Britania, evoluuan përgjatë shekujve si mekanizma politike për të zbutur konfliktet ekonomike dhe sociale mes grupeve dhe klasave kundërshtare (psh, monarkia, baronët, më vonë tregtarët, sindikatat, etj). BE, dhe burokracia e vet në Bruksel, nuk u zhvilluan në këtë mënyrë.
BE nisi si një kartel i industrisë së rëndë (qymyr dhe hekur, pastaj industria e prodhimit të makinave, më vonë fermerët, industritë e teknologjisë së lartë, etj.). Si të gjitha kartelet, synimi ishte që të manipulonte çmimet dhe të shpërndante fitimet përmes një burokracie të krijuar për këtë qëllim dhe e vendosur në Bruksel.
Ky kartel evropian dhe burokratët që e administronin e kishin frikë demosin dhe e përbuznin idenë e qeverisë së popullit, njëlloj si i përbuzin administratorët e prodhuesit të naftës OPEC, apo të çdo lloj korporate. Me durim dhe në mënyrë metodike, u vendos një proces depolitizomi i vendimmarrjes, rezultati ishte një përpjekje e vazhdueshme që e hoqi “demo-sin” nga “demokraci”, të paktën aq sa kishte lidhje me BE, duke e veshur gjithë krijimin e politikave me fatalizëm pseudo-teknokratik. Politikët nacionalë u shpërblyen në mënyrë të majme për kthimin e komisionit, Këshillit, Ecofin-it (ministrat e financave të BE), Eurogrupin (ministrat e financave të eurozonës) dhe Bankën Qendrore Europiane në zona pa politikë dhe demokraci. Kushdo që e kundërshtonte procesin etiketohej “jo evropian”.
Ky është, në një drejtim të rëndësishëm, shkaku themelor i përbuzjes që kanë për BE shumë vetë në Britani. Dhe kanë të drejtë: çmimi i depolitizimit të vendimeve politike nuk ka qenë veç humbja e demokracisë por dhe vendimet ekonomike të dobëta në gjithë Europën.
Në eurozonë, për të ruajtur rregullat e pazbatueshme fiskale, “teknokracitë” e vendosura në Bruksel e Frankfurt garantuan që ekonomitë që përdornin euron të marshonin drejt humnerës së shtrëngimeve konkurruese, gjë që çoi në recesion të përhershëm në vendet e më të dobëta dhe investime të ulëta në vendet e forta. Sa më shumë politikat e tyre dështuan, aq më autoritaristë ata u bënë dhe akoma më irracionale politikat që impononin.
Ndërkohë, vende anëtare të BE që kishin pasur gjykim të qartë dhe qëndruan jashtë eurozonës, si Britania, dhe ato u ndikuan nga rrëshqitja e përgjithshme në deflacion dhe tashmë janë distancuar, duke kërkuar frymëzim dhe partnerë përtej Atlantikut, ose në Kinë, ku i pret vetëm zhgënjimi dhe humbje e madhe sovraniteti (siç mund ta konfirmojë kushdo që lexon dokumentet e marrëveshjeve tregtare TTIP dhe TISA).
Sot evropianët kudo, nga Helsinki në Lisbonë, nga Dublini në Kretë, nga Lajcigu në Abedin, ndihen të braktisur nga institucionet e BE. Shumë prej tyre janë joshur nga ideja e prishjes së BE, veç faktit që mbeten të bashkuar në një treg të vetëm. Përkrahësit e daljes së Britanisë nga BE u premtojnë votuesve se ata mund të ruajnë sovranitetin e tyre dhe të kenë akses në tregun e bashkuar. Por ky është një premtim fals.
Një treg i vetëm (i bashkuar) kërkon një kornizë ligjore të vetme, industri identike, standarde të mbrojtjes së mjedisit dhe punës, dhe gjykata që do t’i zbatojnë ato me të njëjtën vendosmëri në gjithë juridiksionin e bashkuar. Por kjo kërkon gjithashtu një parlament të vetëm që shkruan ligje të cilat do të zbatohen në gjithë tregun e bashkuar si dhe një qeveri që zbaton vendimet e gjykatave.
Një popull si britanikët, ku të gjitha palët politike e çmojnë idenë e një parlamenti kombëtar sovran, nuk mund ta përfytyrojnë krijimin e një institucioni të tillë. Ata kanë të drejtë të përgatiten për të sakrifikuar, për një kauzë më të lartë, lehtësinë e blerjes së një shtëpie të dytë në Normandi ose ishujt e Greqisë.
Por cila është alternativa? Nëse as tërheqja në guaskën e shtetit komb dhe as dorëzimi në duart e zonës pa demokraci që njihet si BE nuk janë zgjidhje, atëherë a ka një rrugë të tretë?
Po, ka. Është ajo që “Europa” zyrtare”, dhe disa elita lokale, e frenojnë me mendësinë e tyre autoritariste: rikthimi i demokracisë, e orkestruar nga evropianët që duan të rimarrin kontrollin mbi jetën e tyre nga teknokratët jo llogaridhënës, politikanët bashkëpunëtorë dhe institucionet e padepërtueshme.
Më 9 shkurt disa nga ne, të bindur për sa më sipër, do të mblidhemi në Bruksel të themelojmë një lëvizje të re – DiEM25 (Lëvizja Demokraci në Europë 2025). Ne vijmë nga çdo anë e kontinentit, përfshi Britaninë, dhe jemi bashkuar nga kultura, gjuhë, qasje politike, ideologji, ngjyrë lëkure, identitete gjinore, besimi dhe konceptime, të ndryshme, për të mirën e shoqërisë.
Një ide e thjeshtë, radikale, është fuqia jonë motivuese: demokratizimi i BE duke e ditur se përndryshe ajo të shpërbëhet me kosto të tmerrshme për të gjithë. Prioriteti ynë i menjëhershëm është transparenca e vendimmarrjes (transmetim live-stream i këshillave të BE, takimet e Ecofin dhe Eurogrup; publikim i plotë i negociatave tregtare; njoftimet e BQE, etj) dhe rikthimi urgjent i institucioneve ekzistuese të BE ndjekje të politikave që trajtojnë seriozisht krizën e borxhit, bankave, investimeve të pamjaftueshme, rritjes së varfërisë dhe emigracionit.
Qëllimi ynë afatmesëm është të mbledhim një asamble kushtetuese ku evropianët të debatojnë mënyrën e realizmit, deri më 2025, një demokraci europiane të plotë, me një parlament sovran që respekton vetëvendosjen kobëtare dhe ndan pushtetin me parlamentet kombëtare, asambletë rajonale dhe këshillat e bashkive.
A është utopike kjo? Natyrisht që është. Por jo më shumë se nocioni që BE e tanishme mund t’ia dalë me arrogancën e saj anti-demokratike, dhe mungesën e madhe të kompetencës e ushqyer nga mungesa e llogaridhënies. Ose ideja që demokracia mund të mbijetojë në gjirin e shteti-komb e asfiksuar nga tregjet “e bashkuara” ndërkombëtare dhe marrëveshjet e tregtisë së lirë të fshehta.
Po, lëvizja jonë na duket utopike dhe ne. Megjithatë, e vetmja alternativë është dystopia që shfaqet para nesh ndërsa BE shpërbëhet; David Cameron feston përjashtimin e mundshëm të disa europiano-lindorëve nga përfitimet e përkrahjes sociale; ambicia iu rishtetëzohet; ksenofobia shfaqet; dhe gardhet e reja më të larta ndërtohen për të përçuar pasiguri në emër… të sigurisë.