William E. Pomeranz
Reuters
Pavarësisht retorikës së tij nacionaliste dhe të ekonomisë së mbështetur në forcat e veta, Vladimir Putin mund të gjendet i kufizuar në aftësinë e tij për t’iu përgjigjur veprimeve të Komisionit Europian kundër Gazprom.
Vendimi i Komisionit Europian për t’i vendosur kufizime antitrust gjigantit rus të energjisë shpërtheu një ankesë të menjëhershme nga ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Ai protestoi me zë të lartë se BE po ndryshonte rregullat në mes të rrjedhës. Megjithatë, BE u përpoq t’i dërgonte një mesazh tjetër Rusisë: institucionet kanë rëndësi, dhe Gazprom-i nuk lejohet te shkelë rregullat e saj.
Komisioni e akuzoi Gazprom-in se ka abuzuar tregun e saj dominues dhe u ka shitur me çmime të larta disa vendeve. Si një firmë shtetërore me lidhje gjeostrategjike, Gazprom-i nuk është një kompani e zakonshme. Për më tepër, për shkak se gjobat janë të mëdha – deri në 10 për qind të të ardhurave globale të kompanisë – këto akuza antitrust nuk mund të shkojnë pa përgjigje.
Putinit do t’i duhet të përgjigjet në një kohë kur opsionet ekonomike dhe energjetike të vendit të tij janë të kufizuara. Atij i duhet të gëlltisë kujtesën e BE që pas Ukrainës. Rusia nuk është një rregullbërës ndërkombëtar.
“Deklarata e kundërshtimeve” të komisionit u fokusua në përdorimin e tregut të parcelizuar, që do të thotë se gazi mund të përdoret vetëm në vendin që e blen pa të drejtën ta rishesë. Kufizime të tilla territoriale shkelin kërkesat e konkurrencës së BE, sipas komisionit, dhe kanë rezultuar në çmime më të larta në 5 vende të BE – Bullgari, Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni.
Megjithatë, Rusia këmbëngul se, për shkak se Gazprom është një kompani shtetërore, ajo nuk duhet t’u nënshtrohet rregullave të konkurrencës së Europës. Por, si një kompani “strategjike” (e krijuar nga qeveria ruse), BE dhe Rusia duhet t’i sqarojnë gjobat në nivel ndërkombëtar – dhe jo përmes procesit rregullator normal.
Projektimi i Gazprom-it si një kompani strategjike ka ekzistuar nën ligjin rus për disa vite. Ky klasifikim u bë për t’ua vështirësuar investitorëve të huaj të blejnë aksione kontrolluese në një duzinë industrish ruse, përfshi energjinë, teknologjinë dhe burimet natyrore. Megjithatë, ky term nuk ka kuptim ligjor jashtë Rusisë dhe do të jetë e vështirë që komisioni të heqë akuzat.
Për vite, Gazprom-i është përpjekur të fitojë status special në Europë. Por më kot. Paketa e Tretë Energjetike e BE e 2009-ës kërkon ndarjen e furnizuesve dhe shpërndarësve evropianë të energjisë. Kjo kërkesë do të minonte biznesin e Gazprom-it në Europë, ngaqë monoli energjetik nuk dëshiron t’i ndajë linjat e saj të furnizimit me kompani të jtera. Moska nuk pranoi ta ratifikonte traktatin e energjisë dhe, më 2014, kërkoi konsultime në Organizatën Botërore të Tregtisë, por pa ndryshime të dallueshme në politikë.
Duke gjykuara nga veprimet e BE në të kaluarën, komisioni duket se nuk është i gatshëm t’i ofrojë rol të veçantë Gazprom-it.
Padia ndaj Gazprom-it konfirmon atë që është bërë e dukshme gjatë krizës në Ukrainë – Rusia është shumë më e integruar në ekonominë globale nga ajo çfarë mendohej fillimisht. Këto marrëdhënie mund të zgjidhen vetëm me një kosto të lartë.
Në realitet, opsionet e Putinit në frontin e energjisë janë të kufizuara. Ai, sigurisht, mund ta kërcënojë BE me prerjen e gazit, siç ka bërë në të shkuarën. Por kjo do ta privonte Rusinë – dhe Gazprom-in – nga fitimet në një kohë që Rusia është ngushtë financiarisht. Fitimet neto të Gazprom-it janë rreth 70 për qind më pak këtë vit. Me Rusinë që përballet me deficit buxhetor të lartë dhe me punëtorët që ankohen se nuk paguhen, Putini nuk mund të humbasë para shtesë.
Putini mund të kërkojë tregje të tjera për gazin rus. Shumë bujë bëri marrëveshja për gaz me Kinën rreth 400 miliardë dollarë në maj 2014. Fitimi nga kjo marrëveshje është në dyshim, së pari për shkak se palët nuk shpallën marrëveshje për çmimin.
Në të ardhmen e afërme, Kina nuk mund ta zëvendësojë Europën si treg kryesor për gazin rus.
Kufizime të ngjashme ekzistojnë në tregjet financiare. Për shembull, Putini dëshiron t’i inkurajojë individë e kompani që kanë para në llogari jashtë vendit, që të kthehen në Rusi ku do të amnistohen. Një riatdhetësim i tillë i parave – pa kontrollet e duhura për origjinë jo kriminale – bie ndesh me rekomandimet kundër pastrimit të parave të Taksë-forcës së Veprimit Financiar. Rusia nuk dëshiron që të identifikohet nga taks-forca si jo bashkëpunuese, e kështu amnistia mbetet në sirtar. Kurse paratë ruse mbeten jashtë vendit.
Leksioni është i qartë. Rusia është pjesë integrale e tregjeve globale financiare dhe energjike. Deri sa Putini do të jetë në gjendje të bindë vendet e tjera se Rusia ka një sistem ligjor më të mirë, ai duhet t’i bindet sistemit global aktual.