Bordi editorial
New York Times
Presidenti i Egjiptit Abdel Fattah el-Sisi ishte gjithë arrogancë ndërsa ishte organizatori i një konference investitorësh me biznesmenë e diplomatë të lartë javën e kaluar në Sharm el Sheikh. Konferenca në qytetin bregdetar në Detin e Kuq synonte të tregonte se vendi më i populluar në botën arabe i kishte lënë pas trazirat e vitit 2011, të cilat për një kohë të shkurtër e futën Egjiptin në rrugën e reformave demokratike.
Egjipti pas revolucionit është i hapur për biznes, deklaruan me krenari zyrtarët egjiptianë. Duke dërguar Sekretarin e Shtetit John Kerry në takim, administrata Obama u duk e gatshme të sinjalizonte përkrahjen e saj për synimet e qeverisë egjiptiane për të tërhequr investime të huaja të reja e me shumicë. “Mënyra si do të zhvillohet Egjipti në vitet e ardhshme, si do t’ia dalë me sukses, do të ketë ndikim të thellë në gjithë rajonin,” tha zoti Kerry.
Një Egjipt i fortë, i qëndrueshëm dhe i begatë është në interes të rajonit dhe SHBA. Por, duke përkrahur gjerësisht një qeveri autoritariste gjithnjë e më shumë, SHBA po ndjek një politikë të pa moralshme dhe të rrezikshme.
Zyrtarët të lartë të administratës e shikojnë Egjiptin si një aleat të pandashëm në fushatën kundër Shtetit Islamik, si dhe në prioritete të tjera të politikës së jashtme në rajon. Por goditja e qeverisë egjiptiane ndaj lëvizjeve islamike, përfshi ato të moderuarat që janë kundër dhunës, ka gjasa të çojë në radikalizëm më të gjerë në komunitete që s’kanë asnjë mënyrë për të arritur objektivat e tyre dhe të ngenë zërin për shqetësimet e veta.
Qysh kur zoti Sisi mori pushtetin në korrik 2013, pas një vale protestash kundër presidentit të parë të vendit i zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohamad Morsi, islamik, po bëhet gjithnjë e më qartë se qeveria egjiptiane nuk ka asnjë lloj synimi të ndërtojë institucione demokratike ose të tolerojë pikëpamjet e kundërta.
Shoqëria civile dhe organizatat pro demokracisë janë kërcënuar ose janë detyruar të mbyllen. Lajmet në media kontrollohen me rreptësi, protestat janë ndaluar. Thuajse gjithë udhëheqësit e Vëllazërisë Myslimane, lëvizja islamike që u bë forca politike dominuese në vend pas protestave të pranverës arabe, janë burgosur.
Ndërsa zyrtarët amerikanë kanë ngritur shqetësimet e tyre për këto çështje, ata vazhdojnë t’i japin Egjiptit 1.3 miliardë dollarë si ndihmë ushtarake çdo vit dhe kanë ndërmarrë hapa modeste për t’i vënë kushte. Shumicën e kohës, ata thjeshtë shfaqin shpresë që të ketë progres, ndërkohë që anashkalojnë nivelin e brutalitetit dhe shtypjen që është më e keq se në kohën e Hosni Mubarakut.
Qeveria e Sisit, dukshëm e interesuar për investime të huaja, dëshiron të shfaqet si qeveri e zgjedhur në mënyrë legjitime që luan rol konstruktiv në rajon. Por është bërë e qartë që Egjipti është kthyer në një diktaturë që justifikon abuzimet e saj me pretekstin se luftës ndaj kërcënimeve prej radikalëve islamikë. Zgjedhjet parlamentare që ishin planifikuar të mbaheshin këtë muaj janë shtyrë pa afat të përcaktuar. Gazetarë po vuajnë në qeli. Gjykatat kanë dhënë dënime me vdekje në masë pas procesesh që zgjatën vetëm disa minuta. Ndërsa ligjbërës amerikanë kanë dhënë alarmin dhe kanë kërkuar që të ndërpritet, ose kushtëzohet, ndihma ushtarake, ata janë lënë në baltë nga ata që mendojnë se përkrahja për regjimin e Sisit është një e keqe e domosdoshme në atë pjesë delikate të botës.
Vitin e kaluar, Kongresi i dha Shtëpisë së Bardhë autoriteti të vazhdonte ndihmën ushtarake për Egjiptin pa iu dashur të qartësojë që qeveria [egjiptiane] respekton të drejtat e njeriut dhe po hedh hapa të qeverisë në mënyrë demokratike, kushte që kishin qenë faturën e mëparshme të shpenzimeve. Dhe, për herë të parë, ligjbërësit i dhanë Departamentit të Shtetit të drejtën ta mbante si sekret të klasifikuar argumentin e saj për dhënien e ndihmës.
Zyrtarë të administratës thanë se zoti Kerry është në favor të vazhdimit të ndihmës ushtarake dhe po pret vendimin përfundimtar të Shtëpisë së Bardhë. Nëse ndihma zgjatet, SHBA do të jetë bashkëpunëtore në krimet e përditshme të regjimit egjiptian.