Juliette Garside/ Patrick Wintour/ Karen McVeigh
The Guardian
HSBC po përballet me një valë sulmi ndërkombëtare në lidhje me zbulimin se dega private e saj në Zvicër ka ndihmuar klientët të fshehin llogari të fshehta dhe u ka ofruar shërbime kriminelëve dhe biznesmenëve të korruptuar.
Banka më e madhe evropiane mund t’i nënshtrohet hetimit qeveritar në Mbretërinë e Bashkuar (MB), Europë dhe SHBA, pasi The Guardian e një duzinë mediesh të tjera botuan detaje nga llogaritë e bankës.
Në MB, hetimi i HSBC nxiti një reagim politik të ashpër. Ministri i Thesarit David Gauke u detyrua të dilte përpara Dhomës së Komuneve për të mbrojtur përpjekjet e qeverisë për të luftuar evazionin fiskal.
Jashtë MB, u shumëfishuan thirrjet gjatë gjithë ditës për hetimin e ngjarjeve në HSBC e Zvicrës, punët e brendshme të së cilës janë publikuar me të dhëna për periudhën 2005-2007.
- Në Belgjikë, ku HSBC e Zvicrës është nën hetim e dyshuar për mashtrim me taksat, një gjykatës po mendon të lëshojë një fletë arrestimi ndërkombëtar për drejtorët e degës zvicerane të kësaj banke.
- Në Zvicër, politikanë të lartë bënë thirrje që organet rregullatorë ta hetojnë këtë skandal.
- Në Shtetet e Bashkuara, një nga anëtarët kryesorë në komitetin bankar të Senatit i kërkoi qeverisë amerikane të japë shpjegime pasi mori një masë të madhe informacioni për llogaritë e fshehta të kësaj banke.
- Në Danimarkë, qeveria tha se do të kërkonte emrat e qytetarëve që mund të kenë përdorur llogari bankare në Zvicër për të shmangur taksat.
- Në Francë, e cila ka nisur një hetim, kryeministri Manuel Valls tha se ai ishte i vendosur të luftonte evazionin fiskal dhe do të vazhdonte të ndërmerrte masa në vend dhe në nivel evropian.
Dokumente që tregojnë se banka ka bashkëpunuar me qindra klientë për të fshehur llogari të padeklaruara dhe që e ka përdorur degën e saj në Zvicër për dhënë pako me kartëmonedha në monedha të ndryshme – nga euro te sterlina – ka qarkulluar në duart e zyrtarëve të taksave në gjithë botën që prej majit 2010.
Ndërsa Franca, Belgjika, Spanja, SHBA dhe Argjentina kanë nisur procedura ligjore kundër HSBC dhe rrjetit të saj të klientëve të lartë, autoriteti i taksave në Mbretërinë e Bashkuar në pesë vjet e kanë përdorur informacionin për të akuzuar vetëm një person.
Gjykatësi, hetues belg Michel Claise, është duke marrë në konsideratë faktin që të ndërmarrë një aksion të mëtejshëm, i tha agjencisë AFP një zëdhënës i prokurorisë.
“Gjykatësi beson se tani është koha që banka të bashkëpunojë, përndryshe ai do të detyrohej të lëshojë një fletë arrestimi ndërkombëtar për drejtorin e tanishëm të bankës dhe paraardhësin,” tha zëdhënësi i prokurorisë Ine Van Wymeersch.
Në Shtetet e Bashkuara, një nga anëtarët kryesorë në komitetin bankar të Senatit i kërkoi qeverisë amerikane të japë shpjegime për masat që ka marrë. The Guardian ka mësuar se informacioni i rrjedhur nga banka ka qenë në duart e rregullatorëve në SHBA që para pesë vjetësh.
“Unë jam shumë i interesuar të dëgjoj shpjegimin e plotë të qeverisë për aksionet e saj, ose mosveprimin, pasi dëgjoi për dyshimet më 2010,” tha senatori i Ohio-s, Sherrod Brown, demokrat.
Duke iu referuar akuzave të shkuara kundër HSBC, të cilat u zgjidhën në një marrëveshje civile më 2012, përfshi një gjobë 1.9 miliardë dollarë, ai shtoi: “Nëse akuzat janë të vërteta, i njëjti institucion që u kap një herë duke dhunuar ligjet e SHBA për sanksionet dhe që pastron para për llogari të karteleve të drogës në Meksikë, mundet atëherë të shpëtojë nga llogaridhënia për shkelje të ligjeve të SHBA për evazionin fiskal. Unë synoj të t’u kërkoj shpjegime rregullatorëve.”
Micheline Calmy-Rey, i cili ka shërbyer si ministër i jashtëm i Zvicrës në vitet 2003-11, tha se hapja e një hetimi “do të ishte më e pakta që mund të bëhet.”
Duke folur në radio, ai tha: “Jam i zemëruar, Zvicra ka një reputacion të mirë në përpjekjet e saj për paqe, për ekonominë e saj. E pastaj mësojmë se ka persona që bëjnë këto gjëra!”
Shoqata Bankare Zvicerane tha se bankat “duhet që të respektojnë gjithmonë ligjet ekzistuese kur kryejnë shërbimet e tyre.”
“Kjo shkon për ligjet në vendin tonë dhe ligjet në vendet ku ato veprojnë,” tha SBZ në një deklaratë për AFP, duke shtuar se, nëse bankat nuk respektojnë ligjet, “atëherë duhet të përballen me pasojat.”
*Titulli është i redaksisë