Rreth një vit më parë, në prag të Vitit të Ri, mediat njoftuan për një grabitje tepër të veçantë në një qendër tregtare elitare. Disa persona të maskuar si babagjyshë, me kallashë dhe çanta në duar, zbrazën një argjendari dhe dolën prej andej duke shfrytëzuar hutimin që shkaktoi prania e tyre e pazakontë. Në kohën e festave të fundvitit jemi mësuar të shohim një atmosferë elektrizuese, të pandashme me misionin që promovon biznesi. Një simbol i atyre ditëve është personazhi i babagjyshit, i cili me thesin e tij plot me dhurata vjen e i kënaq dëshirat e fëmijëve. Kjo kategori e re babagjyshësh, braktisi misionin e vet tradicional, dhe thesin, sendin ku fëmijët mbajnë sytë ngulur, e mbushi për vete sakaq, plot me “dhurata” të vyera.
Prej afro një viti situata e kriminalitetit në vend ka hyrë në një fazë dinamike. Kemi grabitje spektakolare, si ajo e babagjyshëve; kemi avionë sportivë (të ashtuquajturit mushkonja) të mbushur me kanabis; kemi laboratorë kolumbianë kokaine dhe më pikantja: kemi tritol, sidomos tritol. Viti që lamë pas, por edhe ky fillimviti, si asnjëherë tjetër, e familjarizoi në publik tritolin, si mjetin me të cilin u vranë, gjymtuan apo u tromaksën një numër i lartë qytetarësh. Lënda plasëse, siç rëndom klasifikohet në gjuhën standarte të autoriteteve, me fuqinë e saj goditëse, sëfundmi arriti edhe pranë zyrtarëve të lartë të sigurisë, ndërsa autorët ndërkohë “harruan” edhe disa pako të tjera rrugës. Me këtë rekord dramatik të kësaj situate shpërthyese gjithnjë në ngjitje, besimi se siguria publike do të restaurohet në një kohë të afërt, është në nivele të ulta.
Banka Shqipërisë, e karakterizuar si nga të paktat institucione serioze në vend, u përfshi së fundmi nga një skandal vjedhjeje të paimagjinueshëm. Personi i cili u vetëdenoncua në cilësinë e një brejtësi të vogël, por të kujdesshëm, i kishte përlarë arkave të saj disa miliardë lekë. Më tej, për ta banalizuar dhe më misterin e zhdukjes së një sasie kaq të madhe nga një institucion i tillë, mësuam se grabitësi gjithçka e kishte nisur për të sfiduar fatin e tij në lojrat e bixhozit. Përsëri në sferën e financës, disa ditë para skanalit në Bankën e Shqipërisë, një manjat i financës u ekzekutua në hyrje të zyave të tij në mes të Tiranës. Si në ato filmat e realizmit socialist me ngjarje nga lufta, atentatorët kapërcyen mbikalime, nënkalime e vreshta dhe u zhdukën duke marrë me vete të vërtetën e ngjarjes së bujshme.
Vitin që shkoi mësuam për përmasën e vërtetë të Lazaratit. Deri në momentin kur në fshatin emblematik vuri këmbë policia, publiku përcillej me lajme të tipit “disa mushka pa pronar u braktisën në filan mal, bashkë me disa çanta kanabisi”. Gjithashtu mësonim se sëpaku ndonjë ambulancë apo gomone me lëndë narkotike ndalohej andej apo këndej kufirit. Çelja së fundmi e portave të Lazaratit na solli para syve tonelatat e kanabisit të cilat pritej të dyndeshin në Europë a gjetkë. Gjithë këtë sasi të magazinuar, në pritje edhe të një bastisje nga policia, trafikantët e kanabisit u turrën ta shpërrndanin, sa duke e fshehur dyshemeve të dyfishta të kamionëve, deri përmes flotiljeve me avionë enigmatikë. Pas përmbylljes së këtij kapitulli, shpejt e shpejt kaluam nga epoka e kanabisit tek ajo e kokainës e zbuluar tashmë në periferitë e Elbasanit. Përmasat ishin gjithashtu përmbytëse, disa tonelata me përzierës apo tretësira të droguara pritej të çliroheshin apo të mbingopeshin, të gatshme për të pushtuar mendjet e miletit.
Ndërkaq fenomeni i Lazaratit u ndërkombëtarizua. Sa nga televizione italiane e sa nga dëshmia pamore e disa hollandezëve të hareshëm, lajmi tejkaloi kufinjtë e vendit. Ndërsa tek ne Lazarati u kategorizua tek rubrikat e gosipit. Një këngëtar i njohur pozoi për një të përditshme pranë një pirgu me kanabis, duke evokuar kështu në publik shpehjen e famshme, “u bë deti kos”. Po kështu, gazetarë elitarë, mbushën statuset e tyre në facebook me selfije mes gjelbërimit, plot keqardhje për “bereqetin” e arave të çuar dëm.
Kështu dalëngadalë, me këtë prekshmëri përherë e më të madhe të së paligjshmes, mes nesh u familiarizua e keqja dhe kriminalja. Bashkë me babagjyshët, të cilët i pamë të armatosur e me çantat plot, media na shfaqi vajza e gra të reja të cilat, si nikoqire të kujesshme, përgatisin për treg prodhimin e ri të plantacioneve të kanabisit. Ky zhanër i ri lajmi, i cili padyshim ka brenda dhe spektaklin, po gjen përherë e më tepër terren në përditshmërinë e shqiptarve. Fill pas çdo krimi tronditës, shprehja e kryeministrit “nuk keni parë asgjë akoma”, po amplifikohet në këtë kontekst të ri në studiot televizive nga gazetarët e kronikës.
Kjo lloj gazetarie që mes konstatimit dhe parashikimit po lulëzon si pasojë e kriminalizimit të frikshëm të shoqërisë, konkuron tashmë atë që mendohej si e pakonkurueshme në këto dekada: Olimpin ku vegjeton specia e analistëve politikë. Debatet lindin dhe zhvillohen në lidhje me çmimin e bombave me celular, mbi bursën e gramëve dhe kilogramëve të kokainës së pastër apo se ku e se si u plagos filan personazh me precedentë penalë. Shpesh kufiri mes këtyre protagonistëve të ndryshëm të medias shkrihet dhe humbet atëherë kur, edhe pse të pafaktuara, gishtërinjtë e akuzave për lidhjet me krimin, herë me zë të mekur e herë me britma, u drejtohen forcave kryesore politike.
Kjo bashkëjetesë e sforcuar me krimin po gjen hapësirë normalizimi në atë masë sa lajmi për humbjet njerëzore nga gremisja e ndonjë automjeti, përmbytja e rradhës apo dhe vdekja e një vogëlushje nga të ftohtët, vijnë në vëmendjen e njerëzve të thjeshtë si fatalitet i pashmangshëm rutinor. Sytë janë drejtuar nga ekranët për të parë vendosjen e tritolit nga një biçiklist në dukje hallexhi, ekzekutimin me gjakftohtesi të bankierit më të njohur në vend, dhunimin e deputetit në korridoret e Kuvendit, apo grabitjen e miliona eurove në bankën e rradhës nga një bandë e maskuar.
Përsëritja deri në veleritje e imazheve të tilla, me vetëdije po mbjell në vend kulturën e dhunës në një dimension të ri. Kur pafundësisht në ekrane shfaqen skena dhune të cilave u mungon “kolona zanore”, thjesht e kemi dekontekstualizuar krimin; ai na është ulur këmbëkryq në kolltukun përbri, përballë televizorit. Në këtë vorbull kriminale, e cila qarkullon miliona para, padyshim që nga ushtria gjithnjë në rritje e të papunëve, do të ketë përherë e më tepër syresh që do të braktisë pultin e televizorit për të provuar fatin në sfidë me ligjin apo jetën. Lajmet normale, që promovojnë suksesin e punës së ndershme në buqësi, turizëm apo industri, konkurohen turpshëm nga kjo sfilatë galopante dhe e frikshme krimi që parakalon e pazë gjithnjë e më shpesh në sytë tanë.
Si me babagjyshë, biçiklistë apo me skafandra motorçikletash, krimi po e magjeps shoqërinë tonë, falë edhe kësaj papërgjegjshmërie në angazhimin falas të medias në ushtrimin e “misionit” të saj ndaj publikut. Duke na tulatur deri në agoni, kjo stinë e pazakontë krimi po u peshon më tej njerëzve si mbivendosje e papërballueshme përsipër halleve tona të zakonshme. Nëse ndodhitë e shpeshta kriminale thjesht i kapërdijmë, të servirura bruto nga agjentët mediatikë, pa pasur si synim më tej angazhimin energjik në refuzimin e tyre, “babagjyshët” ose çirakët e tjerë ortakë të tyre, thjeshtë do të vetëdemaskohen të patrazuar, për t’u ulur përbri nesh në eglendisjen e rradhës me telenovelën e krimit.