SOFJE/SHKUP: Nëse Athina nuk e paguan borxhin e huaj të saj, fqinjët ish-komuniste të Greqisë do të rrezikohen nga epidemia e përcjellë përmes huadhënësve me pronarë grekë, të cilat kontrollojnë pjesë të mëdha të sektorit bankar të tyre.
Zyrtarë në Shqipëri, Bullgari, Maqedoni, Rumani dhe Serbi thonë se kanë vendosur në karantinë bankat lokale, duke e bllokuar kapitalin e tyre me qëllim që, kur të bien bankat mëmë në Greqi, degët e tyre të mbijetojnë.
Por ata nuk mund të bllokojnë depozitat: nëse një krizë në Greqi i nxit klientët në panik të tërheqin para nga bankat me pronarë grekë në vende të tjera, rezultati do të jetë i paparashikueshëm.
“Nuk është mirë për ju kur në shtëpinë e fqinjit tënd ka rënë zjarri,” tha Levon Hampartzoumian, kryetar i shoqatës së bankave në Bullgari, megjithëse ai tha se nuk shikonte ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë nga Greqia.
Vendet ballkanike që rrezikohen kanë ekonomi të vogla, por kanë gjithashtu dhe një histori financiare të brishtë, kështu që valët nga Greqia do të kenë ndikim të madh në ato vende.
Të njëjtat banka që tashmë përballen me krizë në vendin e tyre, si Pireu dhe Alpha Bank, u zgjeruan në mënyrë agresive në tregjet e Ballkanit para krizës financiare të 2008.
Bankat greke përbëjnë 1/5 e sektorit bankar në Bullgari dhe Maqedoni, dhe pak më pak në Rumani, Serbi dhe Greqi.
MASA TË VEÇANTA
Reuters pyeti banka qendrore në vendet e ekspozuara ndaj bankave greke për hollësi se çfarë masash parandaluese kishin marrë.
Në Bullgari, bankat greke nuk kanë dokumente të thesarit grek, dhe nuk e bllokojnë financimin nga bankat mëmë, i tha Reuters në maj Emil Angelov, zv/shef ekzekutiv i Bankës Pireu të Bullgarisë.
Banka qendrore ka autoritetin ta kufizojë sasinë e parave që mund transferohet nga degët bullgare te aksionarët e tyre në Greqi.
“Bankat greke në Bullgari janë struktura të ndara,” tha presidenti bullgar Rosen Pleneliev në fillim të këtij muaji.
Në disa vende, ekzistojnë ligje që ndalojnë bankat mëmë të transferojnë kapital financiar nga degët e tyre pa lejen e bankës qendrore.
Një numër bankash qendrore thanë se muajt e fundit ato kanë shtuar monitorimin e bankave greke.
“Atyre u duhet të na informojnë përditë për të gjitha transaksionet që bëjnë me bankat mëmë. Deri tani nuk kemi vënë re asgjë të pazakonshme,” tha një zyrtar në bankën qendrore të Maqedonisë, i cili nuk pranoi t’i përmendej emri.
DEPOZITA TË FRIKËSUARA
Lubomir Mitov, shef ekonomist i UniCredit për Europën Qendrore dhe Lindore, tha se të gjitha kanalet e rrezikut janë të mbikëqyrura, përveç njërit.
“Ne mund të kemi problem vetëm nëse njerëzit sulen drejt bankave të tërheqin depozitat e tyre,” tha ai.
Mes njerëzve që kanë kursime në bankat greke ka një farë tensioni – megjithëse nuk ka shenja për zbrazjen e depozitave.
Orlin Yasenov, një pensionist në kryeqytetin bullgar, tha të hënën se kishte tërhequr ¼ e parave që kishte në një bankë greke, “si masë parandaluse”.
“Duhet të jem i kujdesshëm sepse kam nevojë për para të blej ilaçe,” tha ai. “Është e vështirë të mos shqetësohesh kur dëgjojmë për problemet në Greqi.”
Në Sofje njerëzit me para në bankat greke thanë se nuk kishin plan t’i tërhiqnin depozitat.
Në rast të një sulmi nga depozituesit, bankat qendrore në rajon kanë marrë masa vitet e fundit të përmirësojnë pozicionin e kapitalit në sektorin bankar dhe likuiditetin e tyre.
Bankat greke të Rumanisë kanë raportin e kapitalit 17 për qind, tha banka qendrore e vendit, më mirë se minimumi 10 për qind i kërkuar nga rregullatori.
Bankat e Bullgarisë kanë kapitale dhe likuiditet të mirë, sipas analizës së Standard Bank.
Zyrtarët në bankën qendrore të Maqedonisë thanë se i kanë marrë masat për skenarin më të keq.
“Njerëzit e dinë që paratë janë të sigurta,” tha ai. “Nëse Greqia bie, mund të ketë ca panik në fillim, por do të zbutet shpejt.”