Konsumizmi në faqen e tij më të zezë
Shpesh herë, për të analizuar dukuri të ndyshme në objektivin tonë, vetëm sa i bëjmë një thirrje thuajse burimore logjikës së thjeshtë. Kjo për arsye se analiza në thelb, para se të koklavitet, është tejet e thjeshtë dhe fare mirë mund të kolovitet brenda dhe jashte kontekstit, maksimalisht e ndarë në dy apo tre pika.
Një parantezë mbi përsenë e këtij shkrimi është qëndrimi vulgar publik, mënjanësimi në përgjegjësimbajtje dhe kryeneçësia vandaleske a kujtdo që kapet flagrant në shkelje galopante. Askujt nuk i pëlqen t’i kërkojnë llogari. Askujt! Në shoqërinë tonë ecet me vanitetin “…A e dinë këta kush jam unë?”. Në krahun tjetër gjithkujt i pëlqen, të jetë i pëlqyer, të jetë i përkrahur, të jetë i ndjekur, i admiruar, të jetë publik. Por personazhet me aspiratë populiste, bashkë me egon e tyre të mprehtë dhe xhelozinë mishngrënëse karshi egzistencës së çfardolloj gjëje që i antagonizon, janë një armë e ftohtë jo me dy, por me tre presa.
I rikthehemi hulumtimit tonë. Faqa e zezë e filozofisë konsumiste në vendin tonë, gjendet e shtrirë diametralisht kudo. Sidomos në qytetet e mëdha e të gjalla. Në çdo centimetër katror, kudo ku do mund të kthesh shikimin, do të gjeshë hapësira konsumimi. Kafene në një masë skandalizuese, restorante, sallonë bastesh e lojrash fati, mezeri, qofteri e birrari pafund. Por ku ndodhen ambjentet e këtyre sipërmarrjeve të vetpunësimit nga halli? Kryesisht nëpër katet e para të pallateve të banimit, të cilët duket të jenë shndërruar në miniqendra biznesi dhe shërbimesh e jo në qendra ku banojnë familje që kanë nevojë për qetësi e privatësi. Kjo është diçka serioze për komunitetin. Megjithatë zgjidhja e kësaj situate duket e largët aq sa i kapërcen ditët tona. Të gjendur me shpatulla pas murit, për hir të politikave të mbrapshta, me origjinë të kahershme në vendin tonë, individë të ndryshëm kanë marrë fatet e tyre në dorë dhe kanë investuar në vetpunësim. Deri këtu nuk ka asgjë anormale. Punëprishëse është mungesa për një kohë të gjatë e regullatorëve, që lejojnë, licensojnë, tatojnë etj duke vënë balancat e humbura në jetët e qytetarëve. Edhe kjo gjë po ashtu duket në kufijtë e skajshëm e të epërm të pamundësisë. Gjithçka është tregues i një egzekutivi të dobët e rrjedhimisht të një shteti të dobët. Nuk i referohem aq qeverisë së sotme, asaj të djeshme apo të pardjeshme, se sa i referohem mizerjes së paaftësisë sonë për të bërë shtet. Por nuk dua të merrem saktësisht me këtë se sa me dy ndër gabimet strategjike më të mëdha që kanë ndikuar historikisht në çorjentimin e jetës së qytetarëve.
Shumëkush ja ka nisur të thotë me një bindje disi miope, se ishim më mirë dikur, gjatë diktaturës, kur minimalisht të gjithë ishim të punësuar dhe kishte rend, rrjedhimisht kishte më pak pasiguri e përralla të tjera të ngjashme. Në opinionin tim, politika të mbrapshta hajdutërie, paaftësie dhe injorance në Shqipëri, janë aplikuar për shekuj me rradhë. Sepse pushtetin e kanë marrë ata që më së shumti e kanë kërkuar dhe jo ata që e kanë merituar. Nuk dua ti rikthehem historisë, për të ndërtuar rezyme të paana e të pakrye. Po i referohem politikave industrialiste të fillimit të marrëzisë komuniste shqiptaro-jugosllave, në vendin tonë, për të ardhur më pas në ditët tona.
Pritshmëritë tona ishin ato të një vendi me industri të rëndë. Për pothuajse 5 dekada, resurset publike, u fokusuan në ndërtimin e rrugëve, hekurudhave, fabrikave, uzinave, kombinateve, hidrocentralëve, burgje, kampe internimi dhe kryesorja (…për hir të kostos), ndërtimi i mbi 700 mijë bunkerëv dhe fortifikimeve të ngjashme ushtarake. Këto i mbajtën të angazhuar me punë shqipëtarët, aq sa për t’iu konsumuar vitet dhe energjitë e reflektimit mbi “pse-në” e gjithë kësaj zullumahije me llaç, tulla e beton. Gabimi i parë kryesor ishte shndërrimi i Shqipërisë në një vend me industri të rëndë tejet të amortizuar dhe jashtë ç’do standardi teknologjik. Kjo nuk solli asnjë benefit konkret në politikat afatgjate dhe progresionin ritmik të vendit drejt përparimit të shumëpërfolur. Thjesht i mbajti shqiptarët të angazhuar me punë të rënda, ndërkaq të tjerët thurnin realizmin socialist, me kashtë gruri dhe propagantë gjakatare bolshevike. Nuk dukej asnjë benefit afatgjat, për arsye se vetë ekonomia ishte e mbyllur thuajse hermetikisht. Pra çfarë prodhohej këtu, konsumohej thuajse tërësisht po këtu. Një nonsens industrialist.
Me ndërrimin e sistemeve, nga totalitarizëm me orientim nominal komunist, në pluralizëm me ekonomi nominale tregu, kjo industri e rënde e instaluar në vend, u hodh në prehër të privatëve, me anë të privatizimit. Ky privatizim, në sy të shumë specialistëve vendas dhe jo, u bë me anë të një skeme kryekëput të gabuar. Këto asete të industrisë së lehte dhe të rëndë, ju dhanë në formë aksionesh gjithsecilit prej punëtorëve që ushtronin zanatet e tyre në këto ndërmarrje. Fati i këtyre ndërmarrjeve, gjigandë çeliku të përgjunjur nga koha, ju la në dorë njerëzve të thjeshtë, që nuk e shikonin të ardhmen e tyre këtu dhe jo një rimëkëmbësi potencial, i cili të mund t’i riaktivizonte e modernizonte, veç të tjerash këto fronte te bekuara pune. Ky, në mendimin tim, është gabimi i dytë thelbësor me një impakt molepsës në mirqënien e qytetarëve.
Në këtë mënyrë iu la terren një kusarie zullumqare ishministrash, ishspecialistësh, ishdrejtorësh, ishmagazinierësh, ishustallarësh nga më të ndryshmët e kushdo tjetër që zoteronte çelësat për të hapur e mbyllur teneqetë që shërbenin si dyer ndërmarrjesh. Ju la dorë të lirë halabakëzimit në shumë fronte.
Shumë pasoja thelbësore
Halabakëria vazhdon edhe sot. Nisur nga qorrollepsja institucionale që mori revanin mbas 1991-shit, në ditët tona politikat afatgjate të shtetit janë të ngjashme me ato të një OJQ-je. “Paraqit një projekt, pasi aprovohet, uzurpo një fond miliardësh dhe ‘party’ gjatë gjithë pjesës tjetër, deri në projektin e rradhës.”
Shpresa për të ardhmen jep shpirt gjatë hilaritetit që gjeneron herë pas here alkooli, në frymën e atij ose asaj që nuk duhet ta ketë. Një dukje e hershme, e largët dhe askush nuk e diskuton gjatë, pasi dehja si shfaqie është diçka më pak se një gudulisje për syrin. Por maja e hundës së cilit Pinok shpërfaqet pas fjalimit të përçartë që bëri për të qeshur një Shqipëri të tërë. (I referohem zonjushës së FRESSH)
Nuk po dua të them se fshihet një kastë politike në jerm të dekadencës. Kjo është e qartë si drita e diellit. Ajo që vlen të theksohet e të hulumtohet me një sy shumë kritik, është një popull i lënë në rrjedhë të konsumizmit patetik. Të rinj që nuk dinë asgjë më saktë se fjalosjet për makina, celularë luksozë, fotografi seksi dhe thashetheme dashuriçkash (Seksi sa më “shqipërisht” e thënë del “e qishme”). Në anën tjetër mesoburra e mesogra, që çarvalosin pushtetin, të ardhurat, kohën gjithçka, për të përfituar nga seksi i mohuar në enverizëm. Meshkuj që mbajnë gjallë një rrjet të tërë vajzash, punë që në dukje shfaqet si punë artistike prej “Vipash”, e në padukje fërkohen afër xhepave të fryrë të xhaxhove e leshkove të pushtetit që nuk dinë më çfarë bëhet e çfarë të bëjnë me barkun e madh të babëzisë së tyre.
Por kush do ta sjellë ndryshimin e shumëpritur? Nën shembullin arrogant të PC liberalëve (politically correct) pjesa më e madhe e aktivistëve, feministëve, ambjentalistëve, protestuesve të të gjitha kategorive, poetëve, filozofëve, artistëve, etj, pas qëndrimeve parimore në aktivat e tyre të bujshme, broçkulla që vlejnë për të tjerë, të cilët qëndrojnë në nivele të ulëta. I sulen banakut dhe ahengut dhe baxhellërisë dhe tymi le ti dali të gjitha mbrapshtive. Ky zvetnim i pastajardhur duket sipas të gjitha gjasave, qëllimi real i gjithçkasë që mbizotëron unin e shformuar të intelektualëve të dështuar.
Konsumuesit po bëhen të konsumuar nga WC-të e mëdha publike mrekullisht të dekoruara, ku hahet, pihet e këndohet po njësoj, për hir të të gjitha sebepeve, kombëtare dhe ndërkombëtare. Duke filluar nga Shën Valentini në Shkurt e duke përfunduar në fund të Dhjetorit e në agim të Janarit me festën e Vitit të Ri.
Nëse mendoni se “Më falni sepse jam me veshjen e mbrëmshme…(Jolëza Koka)”, apo “…unë fshij bythën me këto vemiet në pushtet (Arian Çani)” do t’i marri rrota e historisë, gaboheni shumë rëndë. Gjithçka harrohet. Mbas një të pire të furishme edhe ne do mbetemi diku, për të kaluar natën, në pamundësi fizike për të ndërruar veshjet. Nuk vihet në dyshim që me vemiet me pushtet ky popull fshin bythën, llafollogjikisht kur është tapë. Por me fytyrat tona e me fytyrën e vendit këta e ata e kushdo tjetër ka fshirë bythën rregullisht, duke qenë tejet esëll.