Agjencia Telegrafike Shqiptare ka bërë humor në një lajm të botuar për shtatlartësinë e Ramës, sipas të cilit ai është shpallur kryeministri më i gjatë në botë nga revista Playboy. Por kësaj rradhe gazetarët nuk kanë rënë në grackën e kësaj shakaje, duke mos e konsideruar si lajm, megjithëse ai është vendosur në rubrikën ’Lajme nga vendi’. Humori i ATSH-së ka qenë i nivelit brilant, duke ia atribuar lajmin një reviste edhe më prestigjize se Foxy Lady News, të cilës i është referuar postbllok. Ja çfarë shkruhet në lajmin e ATSH-së:
Revista amerikane Play Boy’ rendit Edi Ramën si kryeministrin më të gjatë në botë me 2 metra e 2 cm, dukë lënë pas kryeministrin serb me 198 cm, Hashim Thaçin me 190 cm dhe Barack Obamën me 188 cm. Play Boy është një nga revistat më prestigjoze në botë.
I pyetur për këtë, analisti Fonci Çupa tha se lajmi i botuar nga ATSH është më eksplicit sesa ai i botuar nga ’pb’ (jo Play Boy, por postbllok), ndaj dhe gazetarët e kanë kuptuar se bëhet fjalë për shaka. Z. Çupa me këtë rast ka kritikuar humorin e postbllok, si hermetik dhe i pakuptueshëm nga populli, gjë që ka çuar në keqkuptimin masiv të mediave.
Në fakt lajmi i ATSH-së i ka luhatur shumë gazetarët të cilët kanë kërkuar mbarë e mbrapsht në revistën prestigjioze pa gjetur asgjë të ngjashme. Shumë prej tyre kanë menduar edhe se janë hutuar nga materialet interesante që kjo revistë ofron për publikun botëror, dhe ndoshta nuk kanë qenë dhe aq të vëmendshëm për ta gjetur atë që kërkonin: mbase Play Boy e ka publikuar në seksionin kushtuar çupave, që, duke konsideruar fokusin e revistës, duhet të bëhet fjalë për gejtë. Nga ana tjetër, lajmi i ATSH-së nuk ka vendosur asnjë link, sespe tashmë ka arritur besueshmërinë trashendenciale, pra edhe kur pohon se Play Boy është interesuar për gjatësinë e Ramës e Thaçit, duhet me doemos të jetë ashtu. Akoma po perpiqemi të imagjinojmë kryeminsitrin tonë si lepurush. Të keqen e telegrafisë.
Disa media madje janë përpjekur të marrin kontakt me kolegët e tyre të Playboy-t dhe stafi i kësaj reviste ka qenë shumë i entuziazmuar nga vlerësimi i bërë prej një agjencie po kaq prestigjioze sa ATSH. Madje thuhet se ata po mendojnë që në numrin e ardhshëm do t’i nxjerrin modelet e tyre me kapuçë pellushi, të dizenjuar me logon e ATSH-së, nën veshët e gjatë të lepurushëve mavi. Me këtë rast ATSH-ja ka dhënë shpresa se ka dhe gazetari serioze në këtë vend.