Edi Rama është ndoshta i vetmi Kryeministër në botë që bën paralelisht edhe një zanat të dytë krahas atij të kreut të qeverisë. Ai gjen kohë edhe për një karierë artistike krahas asaj të liderit politik. Ai madje vetëpromovohet si një kryeministër «mes artit dhe politikës», duke krijuar një distancë nga zanati i politikanit. Të dyja në fakt janë një punë e vetme, sintezë apo monteazh i një dialektike të kundërtash që nuk para qendrojnë dot pranë njëra-tjetrës.
Megjithatë pretendimi i Ramës për një qeverisje ndryshe, një qeverisje përmes artit, na e zgjidh dilemën. Kemi të bëjmë me një shpikje ekskluzive, një truk mediatik, për të ambalazhuar mungesën e një politike dhe qeverisjeje konkrete. Ai kërkon spektakolaren si të vetmin mjet që mund ta shpëtojë nga realiteti, e kjo nuk mund të gjendet në terren, në punën e përditshme e të mërzitshme të një qeverie.
Mes/përtej politikës dhe artit
Që herët Rama është përpjekur ta paraqesë veten si personazh jopolitik. Politika është diçka prozaike, e mërzitshme për natyrën e tij ekstravagante, ndërsa dështimet e njëpasnjëshme nuk e favorizojnë aspak në këtë pozicion. Duhet diçka për ta nxjerrë në bregun përtej dhe zanati i piktorit është mjeti i duhur. Profili i artistit, është mekanizmi që mund t’i ofrojë në këto kushte të gjithë legjitimitetin për të çuar në vend trillet, tekat dhe mjetet e një politike jokonvencionale që ai përdor. Arti e pajis atë si politikan me aureolën e nevojshme për t’i toleruar e justifikuar vetes gjithçka. Misticizmi i huazuar nga arti, krijon bindjen se autori i kësaj katrahure qeverisjeje, diçka ka dashur të thotë përtej asaj që duket.
Por nuk është vetëm kaq. Përtej oportunizmit politik, Rama duket se e përdor imazhin e vetëkrijuar të artistit edhe për konsum vetiak narcizist. Ai ka nevojë të ndjehet ndryshe, të besojë tek vetja kur askush ka më shpresë. Këtu është artisti Rama që e instrumentalizon statusin e kryeministrit në funksion të arritjeve në zanatin që ia përkëdhel më shumë sedrën (atë të piktorit), kariera e të cilit, duhet thënë që, nuk ka qenë dhe aq e suksesshme kur ishte vetëm një artist bohem i pavarur. Pra artisti dhe politikani brenda Ramës, përdorin njëri-tjetrin, për të kuruar dështimin e dykahshëm.
Por ky miksim i artit me politikën, në kushtet e mesianizmit retorik me të cilin kyreministri na ushqen çdo ditë, rrëfen shumë mbi vokacionet totalitare ku barset kjo mënyrë e të bërit politikë. Kjo, jo aq për përkimin e faktit se edhe një personazh par exellence i totalitarizmit si Adolf Hitler ishte gjithashtu një piktor, apo edhe për përkimin e mënyrës sesi imazhi bëhet fara që pjalmon konstruktin politik të të dyve, por më shumë për shkak të hambarit mjaft të ngjashëm të instrumenteve retorikë e fjalëve kyçe që shoqërojnë konstruktin e tij ligjërimor.
Një mjeshtër i trajtimit të totalitarizmit dhe botës moderne si Zigmund Bauman, na tregon sesi qasja estetike ndaj shoqërisë, është një prej burimeve kryesore të politikave destruktive e genocidale të shekullit XX. Sipas kësaj qasjeje, shoqëria konsiderohet si një telajo bosh, në të cilën lideri shpëtimtar duhet të krijojë veprën e vet. Njerëzit, jetët e tyre apo institucionet janë thjesht instrumente në duart e krijuesit (piktorit), i cili ka legjitimitet të plotë të t’i përdorë, t’i rikrijojë e rishpërndajë në funksion të projketit të synuar.
Për nga vetë natyra e saj, qasja estetike synon perfeksionin dhe nuk toleron asgjë të kotë apo të tepërt. Gjithçka duhet të vendoset në vendin, formën dhe mënyrën e duhur në raport me të tërën, përndryshe projekti rrëzohet. Gjithçka që nuk përkon me raportet e duhura konsiderohet joestetike, ndaj duhet asgjësuar apo eleminuar. Kjo është arsyeja, siç pohon Bauman, përse sisteme të tillë janë të destinuar të rrëshqasin drejt politikave përjashtuese që mund të degradojnë deri në vendime genocidale. Është vetë logjika e hekurt e totalitarizmit si dhe racionaliteti i ngurtë i ideologjive moderne që prodhon këto pasoja.
Shqipëria si kanavacë
Vetë ideja e një rilindjeje tregon perspektivën në të cilën Rama e shikon projektin e tij politik dhe rolin e tij në shoqëri. Që në krye ai na thotë se ka ardhur në pushtet me një mision të madh, të krahasueshëm me atë të rilindjes kombëtare. Ai ka ardhur për të përmbysur gjithçka, për t’a rikrijuar gjithçka nga fillimi. Lideri, si krijues, ka një projekt dhe asgjë jashtë këtij projekti nuk gjen dot vend në të. Çdo fenomen ekzistues, nuk mund të përkojë me të, ndaj konsiderohet si shpërfytyrimit estetik. E gjithë kjo na shpjegon arsyen përse Rama nuk mund të bëjë dot politikë dhe përse ai shfaqet si një personazh totalisht apolitik.
Politika, si art i të mundshmes, kërkon doemos një predispozitë të madhe për ta negociuar realitetin në funksion të një përmirësimi. Kjo do të thotë të njohësh e pranosh faktorë dhe aktorë të tjerë, me të cilët të duhet të gjesh modusin e bashkëjetesës apo bashkërendimit. Por siç e shpjeguam, kjo është e pamundur për politika që burojnë nga përfytyrime estetike mbi shoqërinë. Kjo do të ishte njësoj sikur një piktor të lejojë kolegët të mbarojnë disa pjesë të tablosë së tij më të dashur, apo sikur një shkrimtar të lejojë që disa kapituj të romanit të tij, t’ia shkruajnë të tjerët. Prandaj dhe Rama përplaset vazhdimisht me gjithçka që e rrethon pa mundur dot të gjejë gjuhë të përbashkët me askënd përveç atyre që i binden. Jo më kot retorika e tij është e mbushur me tensionin e një dialektike ku gjithçka kontrastohet në mënyrë bipolare bardhë e zi.
Në fakt, qëllimi i liderëve të tillë nuk është shumë shoqëria sesa vetëvetja. Arti është ndoshta fusha më e fuqishme për të kultivuar narcizizmin dhe e tillë është edhe politika e gjeneruar nga përfytyrime estetike. Nëpërmjet veprës, artisti krijon vetveten duke synuar pavdeksinë e tij. Vepra është shpesh zgjatim i së brendshmes imagjinare të artistit, i cili e materializon idealin për veten në një produkt të pakohë që mund të mbijetojë edhe pas shuarjes së ekzistencës fizike të tij.
Jo më kot Rama shprehet në një intervistë se e shikon angazhimin e tij politik si një mjet për ti shpëtuar problemit që ka me vdekjen. Shqipëria, në subkoshiencën, por ndoshta edhe në vetë koshiencën e tij, është kamardarja që do ta shpjerë heroin në bregun e përtejmë të pavdeksisë. Qeverisja estetike, është atelieja ku artisti revolucionar gatuan pavdekësinë e vet.