Qyteti i Durrësit është bërë pararojë e risive arkitekturore e urbanistike duke eksperimentuar projekte të papara deri më tani. Arkitektët Durrsakë kanë arritur së fundmi të ndërtojnë një mur ilir 2 000 vjeçar, të cilin e kanë inplementuar në mjediset e brendshme të një pallati normal banimi. Eksperimenti ka dalë me sukses dhe vepra ka entuzjazmuar jo vetëm të apasionuarit pas zhvillimeve inxhinierike, por edhe artistët të cilët e vlerësojnë atë si një vepër arti.
Piktori i mirënjohur durrsak, Skënder Telajo, thotë për Pb se vepra shfaq një harmonizim të habitshëm midis antikes dhe modernes, duke u shkrirë këndshëm me shpirtin anarkist të urbanistikës post-komuniste shqiptare. Sipas tij, muri shkrihet mirë me duraluminin e fasadave të dyqaneve të kateve të para duke ofruar një dialektikë interesante që shpreh tërë dinamikën e jetës reale të qytetit, plot energji e patos. Vepra përën një risi epokale, që pritet të transformojë urbanistikën moderne edhe në Europë.
Zyrtarë të Bashkisë së Durrësit, na bëjnë me dije se asgjë nuk ka ardhur rastësisht, por kanë qenë një sërë projektesh, takimesh e forumesh të ngritura prej saj, në funksion të trajtimit të antikitetit në ditët e sotme. Bashkia ka kohë që inicion nxitjen e kërkimeve në këtë fushë, duke synuar të gjejë modusin e duhur të bashkëjetesës midis kaosit të sotëm urbanistik dhe mbetjeve antike të shfaqura në mënyrë kaotike, gjithkund nëpër qytet.
Bashkia po përpiqet kështu të verë rregull ndaj hapësirave monumentale dhe mbetjeve antike, të cilat janë bërë shpesh pengesë për zhvillimin urban. Ajo do ta zgjidhë këtë problem, duke i prishur objektet ekzistuese, të cilat do të rikrijohen nga firmat e ndërtimit kudo, nëpër pallate, stadiume, porte apo kënde lojrash. Në këtë mënyrë, do të mund të çlirohen shumë hapësira të reja për ndërtim, duke iu dhënë mundësi urbanistëve të shfrytëzojnë hapësirat ekzistuese monumentale, për të ndërtuar, pallate, qendra biznesi apo edhe hapësira rekreative për qytetarët. Zonat muzeale, do të mund të shpërndahen në këtë mënyrë kudo nëpër qytet, nëpërmjet veprave antike që artistët do të ndërtojnë në projektet e reja.
Bashkia ka kohë që e ka nisur tashmë këtë stad zhvillimi duke shkatërruar një sërë zonash monumentale të cilat ia kishin zënë frymën qytetit, duke krijuar mundësinë që sot të ngrihen pallate të larta në shërbim të qytetarit. Drejtuesi i zyrës urbanistike të qytetit Ilir Dyrrahu u shpreh se, tashmë të apasionuarit me vjetërsirat, do të kenë mundësi të kënaqen pa penguar jetën e qytetit të ecë me ritmet e kohës.
Në këtë mënyrë Bashkia do të ndërtojë gjithashtu, në një zonë tjetër të qytetit, edhe ish-shatërvanin e sheshit para bashkisë, të cilin do të mund ta gëzojnë të gjithë protestuesit për heqjen e tij. Ndërkohë, z. Dyrrahu nuk ngurroi të këmbëngulë që Bashkia ka punuar fort për krijimin e hapësirave të reja monumentale, siç ishte edhe ndërtimi i busteve të John Lennon, Tina Turner dhe Mick Jagger, të cilët janë krenaria e këtij qyteti. “Mirpo ka njerëz që nuk çlirohen dot nga kthetrat e së kaluarës, dhe duan të na mbajnë të gjithëve të mbërthyer në të”, – përfundoi z. Dyrrahu.