Çelo Hoxha
Prej vitit 1978, në Europë, dhe tashmë prej rreth një viti edhe në Shqipëri, ka hyrë në ligjërim një koncepti i ri: analfabetizmi funksional. Deri atëherë është njohur vetëm analfabetizmi, paaftësia e një njeriu për të shkruar dhe lexuar, i cili, për shumë arsye dhe për një kohë të gjatë, është konsideruar një nga të këqijat më të mëdha të njerëzimit, pavarësisht se pjesa më e madhe e historisë së njerëzimit i përket analfabetizmit. Për shumë kohë njeriu ka qenë analfabet në atë nivel që nuk dinte se, një ditë, ai do mund të shkruante dhe të lexonte. Kjo lloj dije u bë e mundshme pas shpikjes së shkronajve. Dhe, për ironi, shkronjat janë shpikur në një periudhë, kur gjithë individët e racës njerëzore, përfshi shpikësin e tyre, ishin analfabetë.
Lufta kundër analfabetizmit është një melodi që është luajtur në shumicën e vendeve të botës, por mori përmasa mitologjike në vitet 20-30 të shekullit, kur sovjetikët i shpallën luftë frontale. Ky model më vonë u kopjua nga shumë vende komuniste.
Bota perëndimore kishte përparauar më shumë se vendet komuniste në këtë luftë, megjithëse nuk e propangandoi aq shumë. Në vitet 70 të shekullit të kaluar, Perëndimi eci edhe më tej në fushën betejës, kur zbuloi një armik të ri, i të njëjtës familje: analfabetizmin funksional.
Kohët e fundit në Shqipëri u botua një raport i Bankës Botërore, të cilin, mediet e konsideruan tronditës, për shkak se, sipas tij 57 për qind e shqiptarëve janë analfabetë funksionalë. Në fakt, më shumë tronditës është përkufizimi i këtij koncepti. Disa institucione ndërkombëtare serioze janë marrë me këtë çështje për disa dekada.
Ja përkufizimi, i UNESCO (Oraganizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën), sipas Gazetësh Shqiptare:
“Një person është analfabet nga pikëpamja funksionale kur nuk mund të kryejë të gjitha aktivitetet që lidhen me alfabetizmin, me synim funksionimin efikas të grupit a komunitetit të tij, e gjithashtu për t’i mundësuar përdorimin e të lexuarit, të shkruarit e të llogariturit për zhvillimin e vet e të komunitetit ku jeton.”
Në një formulim më të thjeshtë: analfabet funksional është ai person që i njeh shkronjat, di të lexojë dhe të shkruajë, por as nuk lexon, as nuk shkruan.
Nga përkufizimi, kuptohet qartë, që analfabetizmi funksional është shpikur nga një njeri që propagandon për komunitetin (kolektivin) dhe kujdeset vetëm për vete, e jo individin si njësi. Sipas tij, analfabetizmi është bërë që personat ta shfrytëzojnë atë në mirë të komunitetit dhe, meqë ata nuk e kanë shfrytëzuar, meqë kolektivi nuk ka përfituar prej tyre, atëherë lufta (e shumë propaganduar) kundër analfabetizmit ka dështuar, sepse ai që nuk shkon në shkollë është analfabet, ndërsa ai që shkon në shkollë mbetet (sipas përkufizimit të ri) përsëri analbet. Nga ky këndvështrim, njeriu i përket familjes së qepërve, një objekt i formuar me lëvore me përbërje të njëjtë dhe të mbivendosura: pas një shtrese analfabetizmi, gjendet një shtresë tjetër analfabetizmi, e kështu deri në thelb.
Siç e dinë mirë shqiptarët, kur përballeshin me dështimin e politikave të tyre, komunistët nuk shqetësoheshin të reflektonin ndaj projektin të vet, por shpiknin armikun, si përgjegjës për dështimin. Të gjithë ata që e përkrahin marrëzinë e analfabetizmit funksional nuk përpiqen të zbulojnë pse ndodh që njerëzit nuk shkruajnë e nuk lexojnë, megjithëse dinë shkrim e këndim, por shpikin një armik (sic është analfabetizmi funksiona) që u ka “sabotuar” veprën.
Alfabetizmi në anën e këtejme të Europës, e ka të keqen në ngjizje. Masivizimi u bë me urdhër njerëzor dhe jo me rrjedhje natyrale. U detyrua të mësonte shkrim e këndim çdo njeri, pavarësisht nëse do t’i hynte në punë apo jo. Pas mbarimit të shkollës, njerëzit marrin rrugë të ndryshme në jetë. Shumë nga këta alfabetë bëhen fermerë, merren vetëm me tokën ose bagëtinë, mbajnë pranë një radio për të dëgjuar lajmet, shikojnë televizor kur shkojnë në shtëpi, e nuk u duhet të lexojnë as gazetë, as romane dhe as filozofi. Për të bërë llogaritë punësojnë një financier dhe biznesi ecën birinxhi.
Sipas UNESCO këta persona janë analfabetë funksionalë. Pse? Sepse nuk shfrytëzojnë një aftësi që e kanë. Shpikësit e analfabetizmit funskional nuk janë dakord që njeriu të bëjë atë që i pëlqen dhe atë që i nevojitet. Ata duan që njeriu të bëjë atë që duan ata dhe që ata mendojnë ata se është e dobishme ose i nevojitet njeriut. Për shpikësit është më në rregull një parazit që lexon gjithë ditën gazeta e libra për të shkuar kohën dhe u shkruan letra të afërmëve t’i dërgojnë lekë, sesa një njeri që punon tokën e tij, shet e blen mall, i shërben vetes dhe komunitetit, sikur shkronjat të mos ekzistonin fare.
Ai që konsiderohet analfabetizëm funksional nuk është defekt i shoqërisë, nuk është defekt fare. Në themel të gjithë kësaj marrëzie qëndron ambicia e njeriut (ose disa njerëzve) për të devijuar zhvillimin e shoqërisë nga rrjedha natyrore e tij, si e vetmja mënyrë për ta kontrolluar atë dhe, mandej, vetë shoqërinë.