Tom Jacobs
Pacific Standard
Të gjithë jemi rritur me imazhet e Hollivudit të Shkencëtarit të Çmendur: një njeri brilant dhe i motivuar, por tmerrësisht i pashpirt. Ne kemi lexuar histori paralajmëruese për shpikje shkencore që mund të kenë një anë të errët, si inxhinieria gjenetike, por dhe i kemi falënderuar studiuesit që ndihmuan në prodhimin e sendeve nga lojërat e teknologjisë së lartë te ilaçet shpëtimtare të jetës.
Duke pasur parasysh këto narrativa kundërshtuese, si i vlerësojnë amerikanët shkencëtarët? Kërkime të reja të botuara zbulojnë “një përzierje të ndërlikuar steriotipesh pozitive dhe negative.”
Në tërësi ne i konsiderojmë shkencëtarët të besueshëm, por edhe natyra robotike dhe të pandjeshëm emocionalisht. Veç kësaj, një pjesë e jona – veçanërisht konservatorët socialë – i shikojnë shkencëtarët si të prirë të injorojnë normat etike.
“Shkencëtarët shikohen sikur jetojnë brenda një peizazhi më shumë amoral sesa imoral,” shkruajnë psikologët Bastiaan Rutjens i Universitetit të Amsterdamit dhe Steven Heine i Universitetit të Kolumbias Britanike [SHBA]. Ata zbuluan që ne nuk i shikojmë shkencëtarët si “të këqij”, por si njerëz që janë “potencialisht të rrezikshëm” për shkak të prirjes së tyre për ta “ndjekur dijen me fanatizëm.”
Në revistën online PLoS One, Rutjens dhe Heine përshkruajnë 10 studime që i çuan ata në këtë konkluzion. Shtatë prej tyre, që trajtojnë 1917 amerikanë në moshë të rritur, ishin strukturalist të ngjashëm: Pjesëmarrësit, që u rekrutuan online, nisën duke lexuar “përshkrimin e një shkelje morale të kryer nga një njeri.”
Këto shkelje ndryshonin gjerësisht, nga mashtrimi në një lojë me letra te vrasja e të pastrehëve dhe fshehjen e trupave në bodrumin e tij. Të tjerat ishin veprime që shkaktonin dëm të dukshëm, por që janë veprime të përbuzshme, si përfshirja me mirëkuptim në seks me motrën e tij.
Pastaj, pjesëmarrësit u pyetën nëse ishte më e mundshme që personi në fjalë (ose Robert ose Xhek) ishte tifoz sporti, apo tifoz sporti dhe një frazë përshkruese shtesë. Ky është një gabim logjik – gjasat janë gjithmonë që ai të përkasë grupit të parë, kategori gjithë përfshirëse – por është një instrument çmuar për të zbuluar sesi i shikon publiku anëtarët e një grupi të caktuar.
Tre nga përshkrimeve të dyta ishin për shkencëtarët (“një shkencëtar”, “një biolog qelizash”, dhe “një psikolog eksperimental”). Të tjerët përfshinin “një të krishter”, “një amerikano-latin”, “një mësues”, “një jurist”, dhe “një homoseksual”.
Rezultati zbuloi që shkencëtarët perceptohen si më të mundshëm se anëtarë të grupeve të tjera të kryejnë disa, por jo të gjitha, shkelje morale të caktuara. Veçanërisht, ata shikoheshin si më të mundshëm të përfshiheshin në vrasje në seri, incest, dhe nekrofili, por jo më të mundshmit të mashtronin ose fyenin të tjerët.
Kjo kuptohet më mirë në kontekstin e Teorisë e Themeleve Morale, e cila pohon se normat etike mund të kategorizohen në dy klasifikime të mëdha: “të individualizuarat”, të cilat ndalojnë lëndimin e të tjerëve dhe inkurajojnë drejtësi për të gjithë; dhe “të detyrueshmet”, të cilat bazohen në nocionin e pastërtisë, besnikërisë dhe dallimit nga autoriteti. Të parat udhëheqin mendimin moral liberal, ndërsa të dytat u përshtaten më shumë konservatorëve socialë.
Shkeljet që shkencëtarët mendohej se ishin më të prirë t’i bënin i përkasin përgjithësisht fushës së “pastërtisë”. Kjo i jep përgjigje pyetjes pse konservatorët janë më të prirë të mos u besojnë shkencëtarëve: Shumë prej tyre i shikojnë shkencëtarët si veprimtarë në territor të ndaluar.
Studime të tjera zbuluan që amerikanët “priren t’i shikojnë shkencëtarët si të orientuar nga qëllimi, robotë pa emocione.” Në anën pozitive, ata shikohen si më të besueshëm sesa anëtarët e shumë grupeve të tjera. Pjesëmarrësit ishin gjithashtu dakord që shkencëtarët mund të besojnë në Zot, megjithëse ata janë “disi më pak të mundshëm ta bëjnë këtë krahasuar me njerëzit e zakonshëm.”
Me sa duket dyshimi për shkencëtarët është i lidhur ngushtë me këndvështrimin e njerëzve ndaj kërkimit të njohjes në përgjithësi. Ndërsa shumë nga ne e shikojnë atë si gjë të mirë, konservatorët socialë e shikojnë si potencialisht kërcënuese, sepse kjo mund të çojë në vendosjen në dyshim ose prishjen e normave që mbrojnë shoqërinë nga shkatërrimi.
Me fjalë të tjera, shumë amerikanë mendojnë se ka vende ku ne nuk mund të shkojmë, dhe hetime që janë shumë të rrezikshme nëse bëhen. Duket që doktor Jekyll dhe Frankenstein kanë lënë një hije të gjatë.