Ky shkrim krahason nivelin e bërjes biznes në vendet e Amerikës Latine me Kinën Komuniste, e cila është një ekonomi e kontrolluar, por rezulton që Kina është shumë me miqësore ndaj biznesit sesa “demokracitë“ e Amerikës Latine. Bazuar në të njëjtin raport të Bankës Botërore, rezulton që dhe Shqipëria në disa drejtime është në nivel më të keq se Kina. Për shembull për zbatimin e kontratave Shqipëria renditet e 96, me kohëzgjatjen 525 ditë. Në lehtësitë e bërjes biznes rendiet pas Kinës (84) dhe Vietnamit (90), të dyja vende komuniste, ajo është e 97.
ANDRÉS OPPENHEIMER
Miami Herald
Ky është një lajm që duhet të tundë kambanat e alarmit në gjithë Amerikën Latine: një raport i ri i Bankës Botërore thotë se Kina me regjim komunist është shumë më e hapur ndaj kapitalizmit sesa Brazili, Argjentina, Venezuela dhe disa vende të tjera në rajon.
Në një kohë kur ekonomia e Amerikës Latine ka ndalur rritjen dhe rajoni ka nevojë të madhe për investime, raporti i BB i titulluar “Doing Business 2016” tregon që shumica e qeverive amerikano-latine vendosin pengesa për fillimin e një biznesi ose mbylljen e tij më shumë se Kina, ose një vend tjetër me regjim komunist, Vietnami.
Raporti vlerëson 189 vende në përputhje me lehtësinë e bërjes biznes në secilin prej tyre, nga më i miri te më i keqi. Kina rendite në vendin e 84 dhe Vietnami 90, ndërsa Brazili renditet në vendin e 116, Argjentina e 121, Nikaragua 125, Bolivia 157, dhe Venezuela 186.
Vlerësuar sipas kohës, për të hapur një biznes në Zelandën e Re nevojitet një orë për mbushjen e formularëve, një ditë në Hong Kong, 6 ditë në SHBA, 31 ditë në Kinë, 35 ditë në Paraguaj, 50 ditë në Bolivi, 50 ditë në Ekuador, 83 ditë në Brazil dhe – ky nuk është gabim shtypi – 144 ditë në Venezuelë.
Nuk është rastësi që disa nga vendet amerikano-latine janë ndër vendet me korrupsionin më të madh: sa më shumë procedura ligjore duhen për të nisur një biznes, aq më shumë inspektorëve duhet t’u jepet ryshfet, dhe aq më shumë zyrtarë duhet të paguhen të “verifikojnë” dokumentet.
Dhe nuk është rastësi që shumë vende amerikano-latine kanë ekonomi të zezë të madhe: sa më të shumta vështirësitë për hapjen e një biznesi të ligjshëm, aq më shumë juristë dhe llogaritarë duhen. Kjo është arsyeja pse miliona njerëz vendosin të veprojnë në mënyrë të paligjshme, dhe në disa vende kjo përbën 50 për qind të ekonomisë së përgjithshme.
Formalizimi ka disa përfitime, thotë raporti i BB. Kompanitë e regjistruara ligjërisht janë më të suksesshme, ndërsa punonjësit e tyre përfitojnë nga sigurimet dhe mbrojtja ligjore ndërsa qeveria mbledh më shumë taksa, thotë raporti.
Ka disa përjashtime në Amerikën Latine: Kili, Uruguaji, Kolumbia, Peruja dhe Meksiko, e kanë shkurtuar numrin e procedurave më pak se tetë.
Por vëreni një shembull tjetër të listuar në raport: numri i ditëve për të zgjidhur një konflikt në gjykatë nëse keni një mosmarrëveshje me partnerët tuaj në biznes.
Në Hong Kong, zbatimi i një kontrate zgjat mesatarisht 360 ditë, në pjesën tjetër të Kinës 453 ditë, në Kili 480 ditë, në Argjentinë 590 ditë, në Bolivi dhe Paraguaj 591 ditë, në Venezuelë 610 ditë, Uruguaji 725 ditë, dhe Brazili 731 ditë. Kjo është gjë e mirë për avokatët, dhe keq për gjithë të tjerët.
Kur bëhet fjalë për vështirësitë e importimit të mallrave, Kina fiton sërish. Në Hong Kong, mbushja e dokumenteve të nevojshme për eksport zgjat mesatarisht një orë, në pjesën tjetër të Kinës 66 orë, 72 orë në Peru dhe Uruguaj, 96 orë në Bolivi, 120 orë në Ekuador, 146 orë në Brazil, 336 orë në Argjentinë, dhe – e kjo nuk është shaka – 1090 orë në Venezuelë, tregojnë shifrat e BB.
Shifrat e tmerrshme të korrupsionit mund të mos kenë pasur shumë rëndësi gjatë dekadës së kaluar, kur vendet e Amerikës Latine lundronin në para për shkak të çmimeve e të larta për mallrat e eksportit. Por ato ditë kanë marrë fund. Me ekonomitë e tyre që kanë rritje zero, këto vende kanë nevojë për investime të huaja. Për të bërë këtë, ato duhet të pakësojnë në mënyrë drastike korrupsionin – dhe të tregohen miqësore me kapitalizmin të paktën sa Kina komuniste.