Fenomeni i azilkërkuesve e shoqëroi verën si një nga temat më të nxehta të problemeve sociale në Shqipëri, akt i një emigracioni të konsoliduar, i cili përshkon historinë e shqiptarëve duke u shndërruar në karakteristikë të prekshme ose të ëndërruar të 103 viteve shtet. Dyndja kryesisht drejt Gjermanisë, me synim sistemimin e justifikuar se Shqipëria është vend i pasigurt e për rrjedhojë eksportues i azilantëve, ka njohur një inflacion gjatë qeverisjes që duhej të na rilindte, edhe si pasojë e zvarritur në kohë e qeverisjes së shkuar – arsyetim ky mjaft i kuotuar nga pozita e sotme dhe altoparlantët e saj mediatikë – e gjithashtu e krizës ndërkombëtare. Fakt është se hemorragjia demografike pati peshë të konsiderueshme në qëndrimet publike të kancelares Merkel gjatë vizitës në Shqipëri, e duke konsideruar se nuk rastis shpesh të gjendemi në trajektoret e vizitave të tilla, fenomeni, të paktën në Gjermani, është i përmasave alarmante.
Nga vendi i eksportuesve, përveç përdorimit në betejën politike të opozitës, që në sytë e publikut i ofron një frymëmarrje në apatinë në të cilën ajo ndodhet prej 2013, fenomeni ka trazuar vetëm egon personale të disa qytetarëve dhe pushtetarët e ndodhur nën presionet gjermane. Egos së atyre që emigrojnë për të ndërtuar jo një jetë më të mirë, por një jetë, mjaft të indinjuar të rrjeteve sociale i përballën egot e tyre, të ndryshme dhe njëkohësisht lehtësisht të lexueshme në justifikimet (a) ‘na turpëruan’ dhe (b) ‘mund të na e pezullojnë lëvizjen pa viza’. Pra ajo çka paraqitet si rreziku turpërues i të indinjuarve, që përdorin shumësin për t’i dhënë jehonë kombëtare moralit, janë të pashpresët dhe jo shkaqet që i prodhojnë, të cilët duhet të jenë kolektivisht më turpërueset, pasi është tërësia jonë që nuk arrin të funksionojë si komunitet qytetar, të kultivojë liderë (në të gjitha fushat) e të udhëhiqet nga një minimum i domosdoshëm drejtësie sociale, dhe është gjithashtu tërësia jonë që reagon ndaj shfaqjeve e jo ndaj shkaqeve.
S’ka nevojë për shumë teorizime sociale për të evidentuar se nga anon peshorja e përparësive nëse nga njëra anë vendoset domosdoshmëria për të jetuar dhe nga ana tjetër dëshira/nevoja për të kaluar pushimet në plazhet italiane apo për t’u bashkuar përkohësisht, pa vizë, me familjarë të emigruar, apo për të vazhduar rutinën si emigrant të hershëm që të ardhurit e rinj po u nxijnë një fytyrë po aq të nxirë. Të turpëruarit le të hyjnë për një çast në rrobat e atij që ka vetëm familje dhe asgjë tjetër, të atij që e ka përfshirë vala e gjakmarrjes, të atij që e ka përfshirë vala e hakmarrjes në administratën publike, të atij që ka mbaruar studime e kualifikime dhe parakalohet nga mediokriteti i radhës, të atij që duhet të dhunohet nga sipërmarrësi shqiptar për 100-150 euro në muaj. Kjo panoramë turpërimi nga bashkëqytetari i pashpresë në çadrat gjermane është maksimumi shprehje e dehumanizimit të një shoqërie që prej dekadash përkëdhel përbuzjen e handikapit të tjetrit dhe instinktet kafshërore të egocentrizmit ekstrem, aq sa ka shndërruar ‘vjedhjen’ në ‘shkathtësi’ dhe këtë të fundit në ‘virtyt’: faktin që dikush zëvendëson dikë me 20 vite eksperiencë në një profesion të spektrit publik, sepse e ka emëruar një X parti, tashmë kemi arritur ta pranojmë si normë dhe mjet në sigurimin e të ardhmes.
Ajo çka e bën fenomenin ‘azilkërkuesit’ të kapërcejë limitin e tragjedisë është mënyra sesi po e menaxhon shteti pas propozimeve të Gjermanisë për punësime të programuara. Fillimisht, kur presionet gjermane u shtuan, drejtori i Policisë – mes të shumtëve – u shfaq duke u bërë thirrje (nga Rinasi) azilkërkuesve të kthehen, jo me propozimin e ndonjë plani shpresëdhënës, por me kërcënimin e ndëshkimit: pra dalëngadalë u zbuluam xhandarë që shtiem mbi tanët – zanat që dimë ta bëjmë si pakkush – për hesap të vendeve të tjera. Në konfirmim të këtij evolucioni, bashkë me papërgjegjshmërinë më absurde, erdhën deklaratat e drejtuesve të organeve të tjera shtetërore se Gjermania ka gjetur zgjidhjen: do të punësojë profesionistë të ndryshëm sipas nevojave gjermane.
Listae profesioneve të kërkuara, praktikisht, e boshatis vendin nga ajka e profesionistëve, të shkolluar ose me eksperiencë. Për ironi kjo trumbetohet nga shteti dhe nga mjaft media si ndihmë gjermane, si rrugëzgjidhje. Për disa sigurisht që është. Po për tërësinë? Për vendin? Nëse Gjermania do të kishte për zemër altruizmin dhe investime për ta rimëkëmbur vendin tonë, që të integrohemi në BE sa më shpejt, atëherë nuk do të kishte implikuar një konkurrencë kaq të pandershme – ajo mund të ofrojë paga të larta – e cila e varfëron Shqipërinë duke i lënë ato që për Gjermaninë janë skorie. Që Gjermania di të bëjë hesape cinike – shkencore, burokratike, juridike e morale – edhe kur luhet me jete njerëzore e ka dëshmuar historia, dhe kjo fundja është politika e tyre. Ndërsa që të festojmë rrugëve – ashtu si në botërorin e fundit – sepse ky projekt është alternativa e shtetit shqiptar, ofruar me supostën ‘vjen nga Europa’, s’ka të bëjë fare me politikën për shqiptarët dhe renditet mes papërgjegjshmërive më fatale, pasi me një makijazh komod për presionet gjermane dhe për show
mediatik hapen fronte
të reja problemesh dhe thellohen ekzistuesit.
Së pari, shteti shqiptar duhet të garantojë jetën dhe të ardhmen e të gjithë qytetarëve dhe jo të eksportojë profesionistët e të bëhet xhandar për shumicën. Eksportimi i trurit është fenomen i njohur, për ne dhe në nivel ndërkombëtar, por një shtet që ngazëllen se ka zbuluar metodën për të larguar më të mirët, shteti i kujt është? Ky eksod i përzgjedhur, në një kohë të gjatë, (1) e varfëron vendin nga krahu i specializuar i punës dhe nga profesionistët e diplomuar, (2) zhvlerëson çdo investim në arsim, publik e privat, për të kualifikuar dhe prodhuar profesionistë, (3) e kthen eksodin në mjet dhe objektiv parësor të individëve të shkolluar, (4) e privon vendin nga një shtresë me një nivel arsimor mbi mesataren duke ndikuar drejtpërdrejtë në probleme
të tjera sociale.
Së dyti, anashkalohen shkaqet e fenomenit. Për aq sa Gjermania apo ndonjë komision i një shteti tjetër, i certifikueshëm tek ne sepse është europian, mund ta etiketojë Shqipërinë si vend i sigurt, e rrjedhimisht jo-eksportues azilantësh, asgjë nuk ndryshon në vendin tonë: papunësia do të mbetet e lartë (do të reduktohet sepse disa inxhinierë e mjekë propozon t’i importojë Gjermania); rroga familjesh që kërcënojnë me vetëvrasje sepse i ka zëvendësuar Lsizmi me të shkathëtit e vet do të regjistrohen sërish, siç do të regjistrohen biznese të rrezikuara nga taksimi, çmimi i karburantit dhe konkurrenca e të pushtetshmëve; modeli
politik (tipi Roshi-Doshi) do të mbetet i paprekur; as nuk do të shteren ato salla gjyqi që lirojnë nënkryetarin kriminel të një partie, që më pas e përdorin në zgjedhje administrative ata të cilët kanë shënjestruar Drejtësinë si gangrenën e këtij vendi; e po kështu as shpura e vrasësve me pagesë, e mjekësisë së paaftë – dhe vrastare më shumë se ata me pagesë –, e atyre që tregtojnë karburantet me cilësinë më të ulët dhe çmimin më të lartë, e atyre që përziejnë lloj-lloj helmesh në produktet ushqimore, e oligarkive mediatike që shesin tym dhe kontrollojnë anestezinë kolektive, e zhvatësve të hapësirave publike, e shitblerësve të votës, të notës, të diplomës, të vendit të punës e me radhë. Ky sistem e mban shpresën në koma, ndërsa shqiptarët kanë një dritare të hapur dhe të vetme nga Europa
, ndërkohë që një pjesë e saj ofron si shpresë shpëtim e disave, se të tjerët le të vrasin veten, ‘por mos të vijnë tek ne’.
Ankthi në një vend të pasigurt si Siria është produkt i aliazhit të vdekjes me rutinën, por mungesa e tij nuk e bën më të sigurt një vend si Shqipëria ku aliazhi shkrin mungesën e shpresës me rutinën.