Në konventën e famshme të Monterey të vitit 1933, artikulli i parë i traktatit thotë:
Artikulli 1 – Shteti,si një entitet i ligjit ndërkombëtar, duhet të ketë cilësitë e mëposhtme:
a) Një popullatë permanente
b) Një territor të përcaktuar
c) Një qeveri
d) Aftësi për të hyrë në mardhënie me shtetet e tjera
Këto kritere përdoren ende sot e kësaj dite nga shumë teoricienë e shkollarë të shkencave politike apo të lëmisë së marrëdhënieve ndërkombëtare.
Nisur nga kjo logjikë, sakrificat, vuajtjet, masakrat dhe dëshira për shtet-ndërtim të shumicës së banorëve të Kosovës sot po shkojnë dëm. Si rrjedhojë e pranimit të Asociacionit të Komunave (Zajednicës), vullneti i imponuar politik në Kosovë po bie ndesh me të gjitha pikat e konventës e cila është gurthemeli në logjikën ligjore të shtet-ndërtimit dhe sovranitetit.
Një shembull konkret mbi inefiçencën e Zajednicës është modeli i menaxhimit politik të Bosnje-Hercegovinës. Një gjysma-shtet me një ç’organizim të legjitimuar nëpërmjet modelit të dhënë nga Akordi i Paqes së Dejtonit. Çdokush që dëshiron të dijë nëpërmjet fakteve se si do të jetë modeli i Zajednicës në një të ardhme të afërt, mjafton të hedhë një sy mbi situatën e Bosnje-Hercegovinës.
Arsyet për mospranimin e këtij handikapi administrativ si “Zajednica” janë të shumta. Pa analizuar faktet historike dhe autoktonitetin territorial, pranimi i kësaj forme administrimi do ta çojë Kosovën në një rrugë të sigurt të mungesës së një identiteti si shtet dhe me një status i cili mundëson interpretime të ndryshme apo kontestim nga çdokush.
Në këto pak vite përvojë si shteti ri e i pavarur, mjafton një shikim sipërfaqsor për të kuptuar zhgënjimin e popullatës në Kosovë kundrejt klasës politike dhe keq-qeverisjes që po i bëhet shtetit.
Ky zhgënjim ka ndikuar kryesisht në formën e reagimit të shoqërisë civile si dhe në humbjen e shpresës së shumë qytetarëve.Një pjesë e madhe ka vendosur largimin si zgjidhje, një pjesë e konsiderueshme po mundohet të ambientohet nëpërmjet një procesi negacionizmi të fenomeneve në fjalë, ndërkohë që një pjesë e vogël po i kundërvihet me çdo formë e mënyrë oligarkisë politike e cila ka kapur shtetin dhe po vret shpresën e qytetarëve nëpërmjet abuzimeve në emër të “prosperitetit drejt EU”. Nuk mund të lihet pa u theksuar dhe promovimi dhe financimi i tërthortë i militantizmit dhe partizanizmit politik, i cili po arrin të mbajë klikat qeverisëse në pushtet.
Në një analizë të “Vetvendosjes” është i çuditshëm fakti se si kjo lëvizje e ka zhvilluar vetveten me kalimin e viteve. Edhe pse shoqëria civile në parim duhet të qëndrojë larg sferës politike të organizimit të shtetit, kjo lëvizje ka kapërcyer pragun tejet të ndjeshëm midis sferës civile dhe asaj politike, duke u vendosur në mekanizmat shtetërorë e në logjikën politike, por çuditërisht duke funksionuar ende nëpërmjet mekanizmave autentikë të lëvizjes dhe aktivizmit civil.
Kjo zhvendosje është krejtësisht e kuptueshme nëse ndjekim vijën logjike të zhvillimeve në Kosovë. Injorimi i reagimit publik, keq-qeverisja e vazhdueshme, implikimi i klasës politike në afera korruptive e krim të organizuar kanë sjellë si domosdoshmëri përfshirjen e shoqërisë civile në politikën e përditshme. Reagimi dhe kundërshtimi nëpërmjet goditjes me vezë apo me domate ka degraduar në përdorimin e elementëve më të rrezikshëm si bombat lotsjellëse.
Ky degradim në dhunë për pengim të marrveshjeve apo vendimeve në dëm të (ende gjysma-shtetit) Kosovës, është krejtësisht i justifikuar nga ana emocionale edhe pse jo i drejtë dhe jo demokratik. Kuptohet që pjesën më të madhe të fajit e mbart oligarkia politike e cila në asnjë moment nuk përfaqson interesat afatgjatë apo afatshkurtër të popullatës së Kosovës. Mjetet dhe format e përdorura nga opozita nuk janë gjë tjetër veçse një paralelizëm me elektroshokun i cili i bëhet një pacienti në raste emergjence. Përtej kësaj, “Vetëvendosje” është një lëvizje e cila duhet pozicionuar gjithnjë në opozitë (konstruktive) për të luajtur rolin e saj si një element i rëndësishëm promovues i demokracisë gjithë-pjesmarrëse dhe shtetndërtimit.