Ka disa qerratallarë në media që përpiqen të bëhen zëri dhe ndërgjegjia e publikut, duke u pozicionuar kundër të gjithë politikës shqiptare në tërësi. Dialektika e tyre i ndan aktorët publikë në dy grupe: politikë dhe kundërpolitikë. Politikanët janë ata që e varfërojnë dhe shkatërrojnë këtë vend ndërsa ata që i kundërvihen kësaj politike vetëm përpiqen ta zhvillojnë atë. Nga kjo premisë, antipolitika shfaqet si e vetmja formë legjitime dhe morale e angazhimit politik.
Mbështetësit e këtyre qendrimeve prodhojnë një narrativë të pastër moraliste, e cila na rrëfen sesa larg idealit të tyre është realiteti dhe sesa shkatërrim i sjell kjo klasë politike vendit. Ideali, Shqipëria idilike e imagjinatës së tyre është etaloni që mat realitetin dhe kontrasti midis tyre, Shqipërisë së përfytyruar me realitetin e vërtetë, është kostoja reale e zullumeve të politikës sonë. Si kundërpërgjigje ndaj këtij realiteti, ata sugjerojnë indinjatë dhe bojkot, si instrumentat kryesorë për ndëshkimin e saj. Bojkoti është i vetmi shkop magjik që ata sugjerojnë si zgjidhje. Por megjithatë, askush nuk na tregon realisht sesi realizohet ky projekt imagjinar.
Kjo retorikë farkëton mitin e paanësisë, si bazament moral mbi të cilin legjitimohet kultura e bojkotit. Ky mit promovon barazlargim nga të gjitha forcat politike, si një kusht moral për legjitimitet. I paanshmi, sipas kësaj mendësie, është ai që i akuzon në mënyrë të barabartë, të gjitha partitë, sidomos dy kryesoret (PD dhe PS), si bashkëfajtorë pa asnjë dallim për mjerimin ku vendi ka mbetur prej 27 vjetësh.
Kjo retorikë është një lloj klisheje që ngjit mirë në mendjet e njerëzve, sidomos tek rinia. Në një kulturë mosmendimi, është e lehtë të gjejë terren teza se të gjithë janë njësoj e duhen shkulur me rrënjë, por problemi ngec tek mënyra sesi bëhet kjo. Në fund të inventarit të 27 vjetëve demokracia shqiptare nuk ia ka dalë të ndëshkojë ndokënd, teksa politika ka ardhur duke u përkeqësuar. Në fakt miti i paanshmërisë kultivon konformizëm në dëm të objektivitetit.
Në të vërtetë, asnjanësia nuk ka kuptim si barazlargim nga palët, kur palët nuk janë në të njëjtin nivel paudhësie. Asnjanësia e vërtetë do të kërkonte që t’i jepnim gjithkujt hakun, aq sa i takon, gjë që nuk e shohim tek “të paanshmit” në opinionin publik shqiptar. Duke mos ndëshkuar asnjëherë fajtorët kryesorë, ajo çfarë e ka përcaktuar deri më tani pushtetin ka qenë pazari ose rotacioni, e jo vullneti i popullit. Këto teza në fakt nuk bëjnë që tjetër, vetëm se demotivojnë vullnetin e popullit, duke përftuar kulturën e braktisjes së pjesëmarrjes në votime a angazhime të tjera.
Shumë prej tyre e përdorin asnjanësinë në funksion të një anësie të fshehur, për aq sa bojkoti i shërben gjithmonë njërës palë. Bojkoti i të indinjuarve i shërben gjithmonë forcës në pushtet. Por ka dhe të tjerë që e përdorin këtë pozicion për të tërhequr simpatinë e audiencës. Në të vërtetë, ky është sharlatanizëm. Përpjekja për të vjedhur autoritet moral, duke ofruar si alternativeë hiçin, është shumë më e pavirtytshme sesa ajo e atyre që mbrojnë me fanatizëm partinë që mendojnë se i përfaqëson. Si e tillë, asnjanësia e përcaktuar në këto terma është amorale dhe jo në përputhje me misionin e intelektualit apo gazetarit.
Me të drejtë, shumëkush mund të pyesë: Cila është zgjidhja? Kjo është një pyetje që nuk mund të marrë një përgjigje të vetme, shterruese, të thënë shkurt e prerë. E pikërisht pse është kështu, përpjekjet për t’i rënë shkurt, duke akuzuar të gjithë politikën pa dallim, janë vetëm sharlatanizëm. Fundja intelektualët janë aty, pikërisht për të gjetur orientimet e duhura në momente kyçe, siç janë edhe zgjedhjet. Ata duhet t’u tregojnë njerëzve se nga vijnë kërcënimet më të rëndësishme. Beteja me të keqen është dicka e përditshme dhe kërkon njerëz kurajozë, por edhe me këmbë në tokë, që dijnë të peshojnë dhe vlerësojnë situatat për të ofruar orientime që mund të shërbejnë si stacione në një rrugë të gjatë e të lodhshme drejt normalizimit.
Ky popull nuk mund të ketë më shumë. Kjo vjen jo vetëm për shkak se njerëzit gënjehen kollaj, por edhe për shkak se shumë prej tyre janë jopak të korruptuar. Jemi një shoqëri që nuk ka ndjeshmëri ndaj krimit, ndaj vjedhjes, ndaj padrejtësisë, kemi një popull që shet votën, që rrëmben pronën, që ndërhyn për të fituar një vend punë me të padrejtë… Asnjë politikë në botë nuk do të mund ti shkatërronte institucionet siç ka bërë ajo në Shqipëri, pa një basen barbarie ne themelet e shoqerisë si kjo që ne kemi. Në këto kushte, edhe nëse do të kishim vërtetë lirderë të predispozuar për të sakrifikuar për hallet e njerëzve, nuk do t’ia kishin dalë dot të ndërtonin një realitet për të qenë.
A do të vazhdojmë të qeverisemi keq? Unë mendoj se po. Për të gjithë ata që na tregojnë sesi duhet të jetë politika, iu ofroj një adresë ku mund të aplikojnë për turizëm hapsinor. Politika nuk mund të jetë “e mirë”. Përndryshe nuk do ishte politikë. Njerëzit nuk do kishin nëvojë për të, nëse do ishin përfundimisht të drejtë dhe të ndershëm deri në fund. Bota nuk është parajsë, dhe realiteti nuk mund të jetë i tillë. Ndaj dhe politika është, siç thuhet rëndom, “arti i së mundshmes”. Ata që na kanë premtuar parajsën nëpërmjet politikës, kanë qenë gjithmonë ata që kanë ndërtuar ferrin. Prandaj dhe janë gjithmonë më të ligjtë, më të ligj se klasa politike, të cilën ata sulmojnë me kaq pezm.