Tom Lehrer deklaroi dikur se satira politike vdiq kur iu dha Henry Kissinger-it Çmimi Nobel për Paqen. Ajo vdiq dhe një herë tjetër luftënxitësi i rritur në vendin tonë, Tony Blair, u caktua si i ngarkuar për paqen në Lindjen e Mesme. Qëndrimi i stafit të fonacionit Save the Children në rastin e Kissinger-it nuk dihet, megjithëse nuk besoj të ketë qenë dhe aq përgëzues. Megjithatë, qëndrimi ndaj Blair-it është i padyshimtë.
Dyqind prej tyre kanë firmosur një letër proteste kundër çmimit të trashëgimisë globale dhënë Tony Blair-it në New York javën e kaluar, dhe deri në mesditën e djeshme një peticion online që i bënte thirrjes shoqatës bamirëse të anullonte çmimin kishte arritur në 99 000 firma. Çmimi, thuhet në letër, është “një tradhti i parimeve të fondacionit Save the Children”.
Matësi i ironisë së stafit të fondacionit duket sikur nuk punon. Save Children është një nga firmëtarët e një letre të botuar sot në The Independent, ku i bëhet thirrje Mbretërisë së Bashkuar të pranojë më shumë refugjatë sirianë – ndërkohë që nderuan një person, i cili ka një farë përgjegjësie për vuajtjet e tyre. Është thjesht rastësi, ne vetëm mund të hamendësojmë, që shefi ekzekutiv i Save the Children të Britanisë është Justin Forsyth, i cili për tre vjet ishte vartës i besuar i ish-kryeministrit.
Ashtu si në rastin e Kissinger-it, edhe për Blair-in ka pasur thirrje që të gjykohej për krime lufte, për rolin e Britanisë në pushtimin e Irakut. Kur Kissinger-i po zhvillonte luftën në Vietnam në emër të botës së lirë, Harold Wilson (kryeministri britanik) nuk pranoi ta përkrahte. Çfarë do të kishte bërë Tony Blair?
Duke i dhënë çmimin, Save the Children përmendi dy samitet e G8 që Blair organizoi kur ishte kryeminister, sidomos deklaratën e vitit 2005 “Bëje varfërinë histori”. Duke lënë objektivitetin mënjanë, unë jam i lirë të theksoj se “Bëje varfërinë histori” është një nga frazat më boshe e artikuluar ndonjëherë nga një lider politik.
Duke marrë çmimin, Blair the se “që nga fillimi i njerëzimit ka pasur brutalitet, konflikt, intrigë, dhe obsesion shkatërrimtar me interesa personale të ngushta”. E vërtetë: p.sh pushtimi i Irakut. Më tej ai tha: “por përgjatë gjithë historisë, kurrë nuk është shuar dëshira e palodhur dhe pamposhtur për të bërë mirë”. Ky do të jetë shkaku që ai firmosi marrëveshjen e majme dhe të pistë për të këshilluar regjimin e Kazakistanit.
Po a ka njeri, përveç vendimmarrësve te Save the Children dhe presidentit kazak, Nursultan Nazarbayev, që vazhdon ta marrë seriozisht Tony Blair-in? Stafi i Save the Children, sigurisht që jo – letra e tyre e thotë që çmimi “rrezikon besueshmërinë tonë globalisht”. Në fakt, përveç trafikut të armëve dhe autokracive – a ka ndonjë kauzë që nuk do të dëmtohej nga afërsia me Tony Blair-in?