Michael Heise
project-syndicate.org
Debati, nëse Greqia duhet të dalë nga zona euro apo jo, ka rikthyer idenë që Gjermania, dhe vende të tjera me ekonomi të fortë, mund t’i bëjnë një shërbim më të mirë kontinentit, nëse janë ato që dalin nga zona euro. Por, megjithëse kjo ide mund të gjejë një farë përkrahje, zbatimi i saj do të ishte dritëshkurtër, jo praktik, dhe ekonomikisht e dyshimtë.
Si fillim, nuk do të ishte e lehtë për të shkëputur ekonominë më të madhe të Europës nga monedha e përbashkët. Çdo diskutim serioz për një objektiv të tillë do të shkaktonte kaos në tregjet financiare, duke pasur parasysh paqartësitë e shumta që shkojnë bashkë me procesin.
Akoma më të rëndësishme janë të metat ekonomike të argumentit, tre prej të cilave janë menjëherë të dukshme. Një, përkrahësit e një dalje të mundshme të Gjermanisë kanë besim të tepruar te fuqia e monedhave të dobëta për të ushqyer ekonominë. Ata argumentojnë se, nëse Gjermania del, pjesa e tjetër e eurozonës do të bëjë zhvlerësimin dhe ky zhvlerësim do të rikthejë rritjen. Kjo s’është e mundur.
Para prezantimit të euros, vende si Italia, Greqia, Spanja, dhe Portugalia – dhe deri në vitet 1980 edhe Franca – i zhvlerësonin rregullisht monedhat e tyre. Rezultati ishte inflacion me rritje të dobët. Ishin pikërisht pasojat e dhimbshme të rënies së monedhave të tyre që i shtynë këto vende të bënin bashkim monetar me Gjermaninë.
Zhvlerësimi i monedhës mund të nxitë eksportet në afat të shkurtër, por ndërkohë i bën importet më të shtrenjta, dhe ul fuqinë blerëse të familjeve. Pastaj punëtorët kërkojnë paga më të larta për kompensim. Po qe se banka qendrore nuk është shumë e fortë dhe përgatitur të shkaktojë frenim të ekonomisë, rritja e pagave ka prirjen të rritë inflacionin. Rezultati shpesh është një spirale pagë-çmim e cila shmang përfitimet nga konkurueshmëria e një monedhe më të dobët.
Dy, avokatët e daljes së Gjermanisë debatojnë se ekonomia e saj është shumë konkurruese të ketë të njëjtën monedhë me lojtarë më të dobët si Italia, Franca dhe Spanja. Kjo është komplimentuese, por e gabuar. Që nga viti 2000, rritja e GDP të Francës ka qenë e njëjtë me atë të Gjermanisë. Irlanda dhe Spanja kanë ecur dhe mëzirë, pavarësisht rënies së thellë që iu desh të përjetonin gjatë krizës.
Konkurueshmëria nuk varet vetëm, ose kryesisht, nga norma e shkëmbimit. Gjëra themelore si produktiviteti, arsimi, kërkimi dhe zhvillimi, dhe sistemi taksave janë më të rëndësishme. Në këto fusha, Gjermania nuk dallon shumë nga të tjerët. Përkundrazi, Gjermania do të rifillojë reforma të brendshme, nëse dëshiron të ruajë pozicionin e saj të fortë në eurozonë dhe në botë. Sido që të jetë, do të ishte absurde të bëhej rirregullimi i bashkimit monetar sa herë që ndryshon konkurueshmëria relative e vendeve anëtare individuale.
Së fundi, propozuesit e daljes së Gjermanisë nga euro pretendojnë se zona euro në formën e tanishme ka të meta të thella. Të jemi të sigurt, eurozona nuk i përmbush të gjitha kushtet një zone monetare ideale (që përfshin një ekonomi të hapur dhe diversive, lëvizje të lirë të kapitalit dhe punës, dhe çmime e paga elastike). Por, megjithëse eurozona ka shumë hapësirë për t’u përmirësuar, kriza ka sjellë më shumë progres në drejtim të integrimit dhe fleksibilitetit. Eurozona mund të mos jetë e përsosur, por është aq e mirë sa të jetojë gjatë.
Një nga kushtet më të rëndësishme – por shpesh i injoruar – për një bashkim monetar të përbashkët është aftësia e anëtarëve të tij të bien dakord për disa gjëra themelore në politikat ekonomike. Pavarësisht dallimeve historike dhe kulturore që shfaqen mes sistemeve ekonomike të Italisë, Francës, Spanjës, dhe Gjermanisë, të gjitha këto vende bien dakord për parimin themelor të ekonomisë së bazuar te tregu. Ato bien dakord që është sektori privat, dhe jo ai shtetëror, ai që është përgjegjës për krijimin e vendeve të punës, dhe një rritje ekonomike e qëndrueshme kërkon treg pune dhe prodhimi të hapur.
Në rastin e Greqisë, këto ide themelore nuk duket se janë pranuar gjerësisht. Për dekada, shteti vepro si punëdhënës i parë e i fundit. Tregjet e prodhimit u shtrënguan nga rregullat, për shkak të interesave të pushtetit. Ky sistem mund të qëndrojë në këmbë veç me huazim të vazhdueshëm. Gjatë 20 viteve të fundit – përfshi dhe periudhën para se Greqia të anëtarësohej në euro – deficiti buxhetor i saj vjetor ishte mesatarisht 7 për qind e GDP.
Tashmë pagat dhe çmimet e grekëve kanë rënë në mënyrë të konsiderueshme për të rikthyer konkurrencën; tani vendi ka nevojë për një kornizë në të cilën të zhvillohet veprimtaria private. Nëse kushtet që shoqëruan ndihmën e tretë financiare ndihmojnë që Greqia të ecë drejt një modeli ekonomik të qëndrueshëm, edhe aji mund të ketë të ardhme në eurozonë.
Mbijetesa e eurozonë kërkon, para së gjithash, që të gjitha vendet anëtare të saj të kenë ekonomi të forta dhe elastike, që do të thotë që të gjitha të ndërmarrin masa të vazhdueshme për të qëndruar konkurruese. Debati, nëse ekonomitë më konkurruese duhet të dalin apo jo nga euro, mund të jetë një ushtrim intelektual interesant. Por kontribuon fare pak në çështjen në fjalë.