Mes lajmeve tronditëse që buron kriza e emigrantëve në Europë, ndoshta asnjë nuk është më shokuese se ajo që ndodh në Gjermani. Ky vend, që parashikon të presë deri më një milionë refugjatë këtë vit dhe kryeministrja e të cilit ka qenë avokatja më e madhe publike në Europë për pranimin e refugjatëve, ka përjetuar gjithashtu më shumë se 200 sulme, shumica zjarrvënie, ndaj shtëpive të azilkërkuesve gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, sipas ministrisë së Punëve të Brendshme. Shumë evropianë, veçanërisht gjermanë, po shikojnë me një ndjenjë pafuqie: A do të çlirojë, dëshira jonë për të ndihmuar, demonët tanë më të errët? Lajm i mirë është që, megjithëse politika evropiane e emigrimit ka probleme, vendet ku ajo duhet rregulluar janë të qarta.
Së pari, BE duhet të rregullojë të ashtuquajturin mekanizëm të Dublinit, që thotë se vendi evropian ku një azilkërkues shkel për herë të parë ka përgjegjësi për aplikimin e tij. Kjo është një recetë për shkatërrim: Ndërsa shumica e refugjatëve vijnë nga Afrika dhe Lindja e Mesme, ndalesa e parë e tyre është zakonisht Italia, Greqia dhe vende të tjera të dobët ekonomikisht në Europën jugore.
Edhe sistemi i kuotave, sipas të cilit ndahen refugjatë në vendet e BE, ka nevojë të rregullohet. Shumë shtete u bëjnë bisht detyrimeve, pa u ndëshkuar. Dhe Europa ka nevojë për një standard që klasifikon vendet si “të rrezikshme” dhe “të sigurta”, e kështu të gjitha vendet do të bien dakord se kush llogaritet si refugjat e kush jo.
Dhe vende të veçanta kanë probleme, por të paktën në Gjermani problemet po trajtohen. Qeveria federale e Gjermanisë e ka rritur tashmë ndihmë për shtetet dhe qeveritë lokale që kanë vështirësi në thithjen e mijëra refugjatëve. Rregullat po rishikohen, procedurat zhvillohen me rrjedhshmëri. Sërish shumë gjëra nuk funksionojnë. Por ka një vullnet politik për t’iu përshtatur nevojave të reja.
Më e vështirë për t’u prekur është dimensioni psikologjik. Refugjatët janë në mendjen e çdonjërit. Disa ditë më parë, në fushën e sportit të djalit tim në lagjen Kreuzberg të Berlinit, një djalë gjerman, rreth 7 vjeç, mbartte në shpinë një fëmijë më të vogël. “Ne jemi refugjatë,” u shpjegoi ai shokëve. “Duhet të kalojmë Mesdheun.” Nuk ka bisedë pas pune apo pas darke që, herët a vonë, nuk prek “çështjen e refugjatëve”. Kjo është befasuese, në një farë mënyre. Nuk është se janë refugjatë të pastrehë të përhapur në rrugë, apo sikur janë shkurtuar pensionet për t’i ushqyer. Nëse nuk jeton afër një qendre të përkohshme refugjatësh, problemi i emigrimit mbetet diçka abstrakte.
Atëherë, pse shumë gjermanë ndihen personalisht të prekur? Për Gjermaninë, ky është rikthim në histori. Gjatë dekadës së fundit shumë gjermanë ia kanë futur gjumit për çështjet politike, të zhytur në rritje ekonomike dhe besnikërinë ndaj Angela Merkelit. Ushtarët gjermanë kanë vdekur në Afganistan, por jo shumë. Tani, trupat e vdekur dalin në breg thuajse çdo ditë në brigjet e pëlqyera nga gjermanët, në Itali dhe Greqi, duke e ndërprerë në mënyrë brutale harresën tonë.
Reagimi është i dyfishtë. Ndihma qytetare është e pashoqe. Mësuesit në pension ndihmojnë studentët sirianë të mësojnë gjermanisht. Doktorët i vizitojnë refugjatët pa pagesë. Familjet strehojnë familje. Por janë dhe ata që besojnë se po përballemi me një apokalips të qartë. Kur unë shkruaj për këtë çështje në gazetën time, Der Tagesspiegel, më vijnë telefonata të zemëruara nga lexues që më shpjegojnë se do të “përmbytemi”, se prosperiteti dhe kultura jonë do të mbyten nga “dallga” [e refugjatëve].
Vija ndarëse mes atyre që kanë frikë ndryshimin dhe atyre që e presin me lumturi një mundësi për t’u hedhur në krahët e urrejtjes, është e vështirë të hiqet. Duke folur për “dallgën” e refugjatëve, kjo shpreh shqetësimin e kuptueshëm (megjithëse të panevojshëm) se nuk do të përballohen shpenzimet e pranimit të një numri kaq të madh.
Por konsiderimi i refugjatëve si një masë anonime, kërcënuese përmban bërthamën e “Menschenverachtung,” që afërsisht do të thotë “urrejtje për njerëzimin”, një fjalë që është unike në gjuhën gjermane dhe një disiplinë mendimi që ky vend e ka pasur në të shkuarën – dhe jo vetëm nën regjimin nazist.
Megjithatë, ne duhet ta vendosim këtë, aspektin më të errët të krizës së tanishme, në perspektivë. Nuk është një dukuri natyrore. Megjithëse dhuna është në rritje dhe sondazhet tregojnë një rënie në vullnetin për të pranuar refugjatë të tjerë, fryma e përgjithshme në Gjermani ende është në favor të refugjatëve. Për më tepër, fjalimet me urrejtje dhe protestat e dhunshme janë të paktën pjesërisht të organizuara nga Partia Demokratike Kombëtare, një grup i ekstremit të djathtë, që ka pasur rënie anëtarësh dhe me sa duket e shikon rritjen e emigrantëve si mundësinë e fundit të mbijetojë. Nuk janë demonët e së shkuarës të ngritur, por kriminelë politikë të kohës së sotme në veprim. S’kemi nevojë për ekzorcist, por një taks forcë të policisë. Nëse gjendja psikologjike e Gjermanisë mbetet ose jo e qëndrueshme, kjo varet nga mënyra sa mirë do të menaxhohet dimensioni praktik, por, në një masë të madhe, te mënyra si do të ruajnë ekuilibrin politikanët tanë.
Ata kanë vepruar mirë. Ndryshe nga fillimi i viteve 1990, kur shumë prej tyre shfrytëzuan ndjenjat kundër emigrantëve, udhëheqësit kombëtarë në gjithë spektrin politik janë treguar të kujdesshëm të shprehin një shqetësim të përbashkët, mikëpritjeje. Atyre u duhet të ecin mbi një vijë të hollë, dhe kërkon mjeshtëri t’i bësh ata që kanë frikë ndryshimi të kuptojnë se zëri i tyre po dëgjohet, ndërkohë të mos lësh aspak hapësirë për jehonën me të vogël të ideologjisë raciste.
Kancelarja Merkel, pasi ka marrë kohën e saj tipike, me kujdes, u ka bërë thirrje gjermanëve t’i mirëpresin refugjatët; duke pranuar përmasat e sfidës, ajo i ka denoncuar ekstremistët kundër emigrantëve dhe këmbënguli se, bashkë, “Ne mund t’ia dalim”. Deri tani shumica e gjermanëve janë dakord me të.