Flirtimi i republikanit Jeb Bush me mundësinë e garimit për Shtëpinë e Bardhë më 2016 ka qenë i një profili kaq tëulët sa një pjesë njerëzish në partinë e tij nuk janë të bindur që ai është i përgatitur për këtë sfidë.
Ish-guvernatori i Floridës me një familje me emër të njohur është një nga liderët potencialë republikanë të sondazheve për garën e 2016 dhe thotë se do të vendosë nga fundi i këtij viti ose fillimi i vitit tjetër.
Por ndryshe nga disa kandidatë të mundshëm, si guvernatori i New Jersey-it Chris Christie, që bëjnë deklarata të drejtpërdrejta, Bush-i e shpreh publikisht paqartësinë e tij. Pikëpyetjet peshojnë rëndë mbi Bush-in, 61, në lidhje me ndikimin mbi gruan dhe familjen e tij dhe faktin në se ai është ose jo në gjendje të ofrojë një agjendë që do t’i bashkonte amerikanët.
Pyetja në do të kandidojë apo jo Bush-i është një pyetje që bëhet përditë, ndërsa ai po bën fushatë për kandidatët republikanë para zgjedhjeve për Kongres të 4 nëntorit. Të enjten, ai ishte në Greenville, South Carolina, në mbështetje të guvernatorit Nikki Haley, i cili kërkon të rizgjidhet.
“Është një vendim me peshë,” u tha ai gazetarëve në Greenville. “Lidhet me familjen.”
“Mendoj se gara e ardhshme presidenciale duhet t’i përkasë së ardhmes dhe duhet të zgjidhë disa probleme të mëdha,” tha ai.
“Mendoj se ai po e mendon shumë seriozisht këtë dhe po shkon përpara,” tha djali i Bush-it, George P. Bush, për emisionin e ABC “This Week” të dielën. “Familja do të jetë 100 përqind në mbështetje të tij nëse ai vdendos të kandidojë.”
Vendimarrja e Bush-it duket shumë pak e përparuar se presidentët Bush të së shkuarës, kur ishin në pika të ngjashme në karrierën e tyre, duke i bërë një pjesë republikanësh të ngrenë dyshime. Babai tij, ish-presidenti George H.W. Bush, filloi përgatitjet e tij për garën e 1988 që më 1985. Vëllai i tij, ish-presidenti George W. Bush, e planifikoi garimin e tij për zgjedhjet e 2000, që më 1998.
“Përgatitjet për një kandidim serioz përfshijnë një sërë aktivitetesh, që përfshijnë shumë kontakte me donatorët dhe strategjistët,” tha strategjisti republikan i Floridës, Rick Wilson. “Njerëzit nuk e shikojnë këtë gjë te Jeb-i. Mund të them që ai ka qenë më aktiv, ka folur me njerëzit, por jo në shkallën që e ka bërë Chris Christie.
Miqtë e Jeb Bush thonë se kujdesi i tij është rrjedhojë e sjelljes së tij dhe përvojës ngaqë ka parë babain dhe vëllain të përjetojnë diçka që mund të quhet proces brejtës. Miqtë e tij thonë gjithashtu se ai është njeri që pret të përzgjidhet, rekrutohet ose të bindet. Kjo nuk është në stilin e tij.
“Ai nuk është tip që harxhon netë të tëra me sytë në tavan duke u menduar të kandidojë apo jo për president,” tha Ana Navarro, strategjiste republikane dhe mike e Jeb Bush.
“Ai është person i disiplinuar dhe do ta marrë këtë vendim ashtu siç merr vendimet e tjera të mëdha, përmes një procesi meditativ duke peshuar të mirat dhe të këqijat e duke këqyrur thellë brenda vetes. Ky është një vendim që do të merret nga Jeb-i, bashkëshortja dhe fëmijët e tij,” tha ajo.
Nëse kandidon, Bush do të hyjë në një garë presidenciale me një Parti Republikane që ka shkuar djathtas qysh kur ai la detyrën e guvernatorit më 2006.
Bush-i, bashkëshortja e të cilit, Columba, e lindur në Meksikë, ka pikëpamje më dashamirëse ndaj emigrantëve se shumë konservatorë të partisë, të cilët e kritikojnë mbështetjen e tij për një reformë më gjithëpërfshirëse që do të lejonte krijimin e një rruge drejt statusit ligjor për emigrantët pa dekoumente.
Nëse Bush-i fiton garën brenda republikanëve dhe bëhet kandidati i tyre, atij do t’i duhet të bindë shumicën e amerikanëve se ia vlen barra qiranë për të patur një president të tretë të quajtur Bush në Zyrën Ovale.
Nëse ai kandidaon, donatorët thonë se Bush menjëherë do të vendosë në funksionim një rrjet përkrahësish financiarë të ndërtuar nga aleancat e tij dhe ato të mbështetësve të kandidaturave të parardhëse Bush.
Babai dhe i vëllai i kanë bërë thirrje publike që të kandidojë. Njerëz që i njohin thonë se ata nuk janë të sigurt për planet e Jeb Bush.
“Jeb ka një rreth shumë të ngushtë këshillimi për planet e tij të ardhshme,” tha Jim McGrath, zëdhënësi i Bush-it më të moshuar. “Nuk mendoj se ai është gati për një vendim. Mendoj se ai është shumë i sinqertë kur thotë se do të presë deri pas zgjedhjeve për të vendosur.”