Clive Crook
Bloombergview
Qëndrimi i fortë kundërshtues në të dy anët e debatit grek për deficitin është moderuar tashmë. Kjo krizë evropiane më e fundit është e mundshme të zgjidhet dhe, siç e kam shpjeguar, shanset janë që të zgjidhet. Megjithatë, mos jini optimistë të tepruar për mundësinë afatgjatë të mbijetesës për eurozonën! Zhurma që BE ka bërë për urgjencën e fundit greke, një çështje e vogël e relativisht e zgjidhshme, do të thotë që gjasat nuk janë të mira. Imagjinoni një rënie ekonomike tjetër. Eurozona në formën e tanishme nuk mund të shpresojë se do të mbijetojë. Edhe tani, pas kësaj që ndodhi, udhëheqësit e BE nuk janë në gjendje të mendojnë për këtë. Ndoshta ata mendojnë se një krizë tjetër nuk do të ndodhë kurrë. Ky lloj vizioni e krijoi monedhën e vetme.
Problemi nuk është Greqia – ose nuk duhet të jetë. Ajo po menaxhohet sepse është një vend i vogël dhe sepse asnjë vend tjetër anëtar nuk ka probleme të tilla. Burimet e nevojshme për të rregulluar janë relativisht të vogla; dhe një marrëveshje e re për deficitin e Greqisë nuk duhet të shërbejë si shembull për vendet e tjera në nevojë. Greqia mund të trajtohet si rast i veçantë.
Në fakt, për këtë ka një justifikim të mirë. Rikonstrukturimi buxhetor i mëparshëm i Greqisë me gabime, nuk i ishte i mjaftueshëm për ta shpëtuar – borxhi qeveritar i Greqisë është ende më shumë se 170 për qind i GDP – dhe ndihma, siç ishte, iu dha me kushte fiskale drakoniane që e rënduan një ekonomi tashmë në gjendje të rëndë. Marrëveshja e ardhshme greke duhet të mendohet që t’i korrigjojë këto gabime, si një mundësi për ti bërë gjërat si duhen, jo si një inovacion që bëhet precedent.
Zbatimi i lehtësimit kuantitativ nga Banka Qendrore Europiane ishte një hap i mirë, por kjo reformë nuk do të jetë aq efektive në zonën euro si në SHBA. Dhe politika fiskale mbetet e shtrënguar, veçanërisht në ekonomitë më të dobëta të Europës, ndërsa qeveritë përpiqen të ulin barrën e borxhit duke menaxhuar teprica fiskle. Kjo është pjesërisht vetëshkatërruese, sepse masat shtrënguese frenojnë rritjen.
Tani le të supozojmë, siç them unë, që një rënie tjetër godet këtë prirje frenimi. Është tërësisht e mundshme. Sistemi financiar i Europës mbetet i brishtë, dhe projektet e saj për të krijuar një bashkim bankar dhe një treg kapitali të integruar lëvizin, respektivisht, me ngadalë, ose dhe hiç fare. Kjo e ekspozon BE përballë një mundësie më madhe se normale për aksidente financiare.
Në gjendjen që janë gjërat, mundësitë politike do të ishin të kufizuara. Normat e interesit janë tashmë në nivelin zero. BQE e ka të ndaluar të ndërmarrë financim monetar direkt për qeveritë. Me lehtësimin kuantitativ, ajo vendos më në fund të testojë kufijtë e këtij ndalimi, por forma më efektive të zgjerimit me bazë monetare – si të ashtuquajturat para helikopter – shihen si rreptësisht të ndaluara.
Stimuli fiskal, nga ana tjetër, është përjashtuar nga kombinimi dashakeq i paaftësisë institucionale dhe armiqësisë së përbashkët. Të jem i qartë, zonës euro si një e tërë nuk i mungojnë kapacitetet fiskale. Borxhi i qeverive të zonës euro është më i vogël se borxhi publik i SHBA. Nuk arsye ekonomike pse Europa të mos huazojë (me norma interesi tejet të ulëta) dhe të shpenzojë, le të themi, në projekte të mëdha infrastrukturore. Por kur Europa projektoi bashkimin e saj monetar harroi të projektonte bashkimin monetar më rudimentar për të cilin, siç e mësuam, kanë nevojë sipërmarrjet e mëdha.
Atëherë pse të mos fillojnë ndërtimin e një bashkimi të tillë? Pjesërisht sepse kjo do të kërkonte një marrëveshje evropiane, e cila pastaj do të kërkonte miratimin popullor. Më themelore, përkushtimi i solidaritetit evropian, i evokuar gjatë viteve për motivuar gjithë projektin, është zhdukur. Larg shprehjes “jemi në këtë gjë së bashku”, Gjermania e shikon Greqinë si një shtet mashtruesish dhe hajdutësh, ndërsa Greqia e shikon Gjermaninë si një vend shtypës.
Nëse ky bashkim i dështuar nuk rirregullohet me perspektivë të gjatë, skenari më optimist është stanjacion për një kohë të gjatë. Ku janë udhëheqësit evropianë të gatshëm të përballen me sfidën? Më thoni një emër prej tyre që ka filluar të mendojë për këtë!