Pyetja që duhet shtruar fillimisht është: Çfarë duhet të quajmë çlirim? A mund të quhet vendi i çliruar kur nuk ka këmbë pushtuesi në territorin e tij, apo kur pushtuesi nuk ka më në dorë institucionet dhe mjetet kontrolluese të këtij territori?
Nga ky këndvështrim, pothuaj të gjitha vendet në botë festojnë si datë çlirimi ditën kur çlirohet kryeqyteti. Në kryeqytet ndodhen institucionet themelore të shtetit dhe nëse bie kryeqyteti, ka rënë i gjithë vendi. Pra dita reale e çlirimit të vendit duhet të jetë pikërisht 17 nëntori, çlirimi i Tiranës dhe jo ai i Shkodrës.
Por përse kjo datë u shty, deri në ikjen e diskutueshme të gjermanit të fundit, kur, për më tepër, vetë Enver Hoxha e kish festuar çlirimin që me marrjen e Tiranës, ku dhe hyri triumfalisht në kryeqytet me një parakalim pompoz para qytetarëve? Natyrisht, ka një mezash politik në zgjedhjen e kësaj date, dhe arsyeja duhet kërkuar në marrëdhëniet e Enver Hoxhës me Jugosllavët.
Duke qenë vasal i Titos, kryetar i një partie të themeluar nga delegatët e Partisë Komuniste Jugosllave, Enver Hoxha do ti shërbente atij me zell. Zgjedhja si festë çlirimi, e momentit kur nga territori tij (jo ai i shqiptarëve) largohet gjermani i fundit është një mesazh për eprorin e tij politik, si dhe për të gjithë popullin shqiptar.
Duke u ndalur këtu, para se të pyesim, kur iku gjermani i fundit, duhet të shtrojmë pyetjen: Në cilin vend iku gjermani i fundit? Cili është vendi që shenjon fundin e hapësirës shqiptare? Pra, ky diskutim, ngre fillimisht debatin se ku mbaron Shqipëria: Në Shkodër apo në Ulqin, Tivar e më tej? Përpara se të shënojë një pozicion kronologjik (29 nëntori), debati shënon një pozicion gjeografik (Shkodra). Pra, për Enver Hoxhën, nuk ka rëndësi se kur u largua gjermani i fundit. Rëndësi ka se ku ai konsiderohet si i larguar.
Për Enver Hoxhën, Shqipëria mbaron në Shkodër, dhe kjo duhet potencuar. Ndaj dhe çlirimi i saj duhet konsideruar si çlirim i të gjithë Shqipërisë, jo çlirimi i Tiranës, e as i Ulqinit apo Mitrovicës, të cilat ishin nën juridiksionin shqiptar gjatë pushtimit gjerman. Pra, mesazhi që duhet dhënë është se Kosova nuk është Shqipëri.
Paradoksalisht shqiptarët kanë festuar 29 nëntorin, megjithëse trupat e Mehmet Shehut kanë vijuar ta ndjekin gjermanin e fundit edhe matanë “kufirit”, me pretekstin e nevojës për t’i ardhur në ndihmë partizanëve jugosllavë. Në të vërtetë ata iu ndihmuan komunistëve jugosllavë për të nënshtruar popullsinë shqiptare në Jugosllavi, e cila në këtë moment u ndje më shumë e pushtuar.
Gjithçka është në përputhje me atë çfarë Enver Hoxha ka bërë në çdo aspekt me Kosovën. E gjithë retorika enveriste i ka shërbyer përjashtimit të Kosovës nga vetëdija kombëtare shqiptare. Në librat shkollorë të asaj kohe Shqipëria përcaktohej dhe theksohej si një vend i bukur i përbërë nga 28 mijë km katrorë, për të cilin, gjatë luftës, janë vrarë 28 mijë dëshmorë: një dëshmor për km katror (një shifër kjo e flasifikuar pikërisht për këtë qëllim). Asnjë pikë gjak për vëllezërit tanë prej gjaku në Kosovë! Për vëllezërt tanë jugosllavë të idealit, po!
Për këtë arsye, zgjedhja e 29 nëntorit si datë çlirimi, dhe jo ajo e 17 nëntorit, motivohet nga një politikë vasaliste pro-jugosllave e antishqiptare. Ajo është një shenjues ideologjik për harresën e madhe të Kosovës tek shqiptarët, harresë e cila vijon të ketë gjurmë të forta edhe sot, megjithë ngjarjet e shumta që na kanë afruar vitet e fundit.