Ta themi që në krye se, ajo që po ndodh tashmë në PD nuk është një debat i brendshëm që ka për fokus përgjegjësitë mbi humbjen ne zgjedhje, por një konflikt i nisur shumë më herët që tashmë ka arritur në monentin e shpërthimit. Retorika e grupit sfidues ndaj liderit të partisë nuk adreson kritika me qëllim zbardhjen e arsyeve të humbjes, por akuza që kërkojnë kokën e kryetarit, në një përleshje finale për jetë a vdekje. Çarja e krijuar prej kohësh ka arritur tashmë pikën e vlimit dhe është momenti i betejës finale për të ndarë përfundimisht se kush do të shkojë në shtëpi dhe kush do vazhdojë rrugën.
Mjaft të vëresh gjuhën e kritikës kundër z. Basha dhe kuptohet menjëherë që kemi të bëjmë me një situatë të pazgjidhshme. Ajo ngrihet mbi terma linçues, shoqëruar shpesh me teori konspirative, të cilat kërkojnë të bindin demokratët se kryetari i tyre i ka shitur tek Rama. Në fjalorin e një prej aktorëve kryesorë të kësaj beteje, znj. Jozefina Topalli rreshtoi një breshëri termash offensive, të cilat nuk i ka shprehur as ndaj kryeministrit Rama, të tilla si “hileqar, tallës, tinzar, banal dhe një papërgjegjshmëri e frikshme”. Ajo madje u shpreh se z. Basha nuk ka lidhje me dinjitetin, pasi ai është “i paaftë për t’u turpëruar”.
Natyrisht, kjo nuk është një gjuhë analize paszgjedhore për të zbardhur shkaqet e humbjes, siç pretendohet, por një gjuhë konflikti pa asnjë rrugë kompromisi. Në këto kushte duket se nuk ka rrugë tjetër përveç konsumimit të plotë të konfliktit, për të shkuar drejt një ristrukturimi të ri prej fituesit. Bashkëjetesa është e pamundur. Çdo përpjekje për t’i pajtuar palët, jo vetëm që duket një utopi, por vetëm e zgjat agoninë duke e dëmtuar akoma më shumë vetë Partinë Demokratike.
Natyrisht, konflikti nuk lindi sot, ai është akumuluar prej vitesh, ndoshta që në momentin kur Basha u perceptua si një pasardhës i mundshëm i z. Berisha, kur ai spikati në PD si një lider i ri premtues e karizmatik. Ky konflikt është mbajtur në gjendje të fjetur, fillimisht për shkak të autoritetit të z. Berisha, e më pas, për vetë strategjinë e ndjekur nga z. Basha në këto katër vjet, ku asnjëherë nuk u mor vesh se cilët do të ishin bashkëudhëtarët në PD-në e projektuar prej tij.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Basha nuk ka lënë një shteg të qartë ndaj gjithkujt për t’i lënë të kuptojë nëse është në projektet e tij apo jo, gjë që i ka dhënë shpresë gjithkujt dhe siguri askujt. Kjo ka krijuar një situatë të paqartë, e cila, sipas studiuesve të konfliktit në shkencat sociale, është një prej kushteve kryesore që e mban konfliktin pezull. Në një situatë të paqartë askush nuk merr iniciativë për të vepruar dhe kjo i ka dhënë Bashës kohë, shumë e çmuar kjo, në një parti ku thuajse të gjithë establishmentin e vjetër e ka pasur kundër.
Pra, deri më tani pala sfiduese ka mbetur pasive për dy arsye: Së pari askush nga aktorët nuk ka pasur të qartë pozicionin e vet në projektet e Bashës dhe së dyti, nuk kanë pasur një pretekst të mjaftueshëm për të justifikuar sulmin. E para u përmbush me publikimin e listave të kandidatëve, ku shumica prej tyre u lanë jashtë, ndërsa e dyta (preteksti) u përmbush me rezultatin e zgjedhjeve, i cili në fakt qe i pritshëm, nga vetë kushtet sesi u zhvilluan këto zgjedhje. Kjo do të thotë se gongu ka rënë dhe beteja tashmë është e pakthyeshme.
Detyra më e vështirë e një lideri në të tilla kushte nuk është të fitojë betejën, por të rivendosë rendin dhe ekuilibrin pas saj. Asnjë drejtuesi nuk i intereson konflikti dhe përçarja, pasi prishja e kohezionit të brendshëm në një parti që i duhet të konkurojë në zgjedhje elektorale është shkatërruese. Por është gjithashtu e natyrshme që çdo ndryshim i madh i një force politike, siç ishte edhe ai i 2013-s për PD-në, të shoqërohet me trazime të thella, tepër të vështira për t’u zgjidhur. Si rrjedhim, Bashës do t’i duhet që, më shumë sesa të triumfojë duke fituar zgjedhjet brenda partisë, të ndërmarrë një angazhim afatgjatë për të menaxhuar pakënaqësitë e brendshme e për të rivendosur ekuilibrin.
Parë nga një perspektivë sociologjike, detyra kryesore e Bashës, si rrugë drejt vendosjes së autoritetit, është të funksionalizojë konfliktin në shërbim të ruajtjes së lidershipit dhe kohezionit të brendshëm në parti. Lewis Coser, një nga teoricienët kryesorë të konfliktit, shpjegon se këto situata mund të shërbejnë si mjet në funksion të komunikimit. Fillimisht grupet antagoniste mund të jenë të paqartë për pozicionet e tyre dhe të kundërshtarëve. Konsumimi i konfliktit i qartëson gjërat dhe kjo mund të çojë drejt rishikimit të këtyre pozicioneve. Pasi i kanë matur forcat grupet në konflikt, apo individë në to, mund të afrohen drejt një konsensusi, të cilin Basha duhet të dijë ta ofrojë me ata aktorë që janë të pavendosur ose të afrueshëm.
Në një situatë konfliktuale ka dy mundësi për vendosjen e rregullit: imponimi dhe shpërblimi. Teoricienë si Randall Collins e shikojnë imponimin si një mjet problematik, pasi ai provokon shpesh prirje për të shtuar reagimet konfliktuale. Sipas tij, kontrolli nëpërmjet shpërblimit është më efikas për të tërhequr shumë nga aktorët problematikë për lidershipin. Megjithatë situata aktuale në PD nuk i përket një gjendjeje konflikti të zakonshëm e të përditshëm, siç ndodh përgjithësisht në të gjitha organizatat formale që trajton Collins. Situata në PD është në një gjendje ku ekuilibri i forcave është prishur tashmë në një rrugë pa kthim dhe PD-së do t’i duhet gjithsesi ta konsumojë konfliktin, derisa të rivendosë një ekuilibër të ri. Nga kjo pikëpamje, Bashës do t’i duhet tashmë doemos të godasë, më shumë se të miklojë.
Sido që të jetë, duket se Basha do ta ketë relativisht të lehtë rrugën drejt dominimit. Opozicioni ndaj tij është i dobët e i paorganizuar, ndërsa nuk duket se ka ndonjë figurë me peshë për të prodhuar një korrent të rëndësishëm. Kundërshtarët nuk janë kompaktë me njëri-tjetrin, për shkak edhe të konfliktualiteteve të vjetra të trashëguara, të mbajtura në gjendje të fjetur si pasojë e rrezikut të përbashkët. Por gjithkush e di se, me të mbaruar punë me Bashën, nëse fitojnë, ata do t’i rikthehen njëri-tjetrit, duke e çuar PD-në në një dishezë pa kthim.
Të gjitha këto do të bëjnë që anëtarët e kësaj partie, të mos dëshirojnë të hyjnë në aventuara prej të cilave zor se dilet. Ata do ta kapërdijnë shpejt shijen e hidhur të humbjes dhe do të priren të gjykojnë në mënyrë më të arsyeshme. Fundja ata në tërësi reflektojnë zhgënjimin e tyre me shumicën e figurave të establishmentit të vjetër, të njohur në shumicën e rasteve si njerëz konfliktualë dhe, prej vitesh, burim përçarjesh në PD. Reagimet e tyre në komentet e qendrimeve të mbajtura prej shumicës së kundërshtarëve të Bashës, e reflektojnë dukshëm këtë. Për këtë arsye gjasat janë që Basha ta ketë shumë të lehtë triumfin në zgjedhje, por të vështirë menaxhimin e përçarjes, për sa kohë përplasjet brenda PD-së do të duket se do vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve për kryetarin.