1 Në librin e parë, i dashur Rilindas, të rrëfeva për gjithë ç’bëri Rama, për atë që na mësoi që prej fillimit e deri në ditën kur u ngrit në qiell pasi hoqi kalvarin e vetingut e u dha porositë apostujve të dekriminalizuar, të cilët i zgjodhi me dorën e vet nëpërmjet Shën Hiendronimit të Fugës.
2 Ai, pas sakrificës së tij sublime dhe ekstraligjore, me shumë prova, fakte, çertifikata dhe dëshmi penaliteti u vërtetoi rilindasve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke u folur për Mbretërinë e Rilindjes.
3 E, njëherë, ndërsa ishte ulur mes tyre të hante bukë, i porositi të mos e braktisin Shqipërinë, por ta presin aty Premtimin e Sorosit: “Dëgjojeni pra të Vërtetën prej meje, se të Vërtetën ju them: Shën Tahiri ju ka vajosur nga bima e bekuar e kanabisit, Lali Eri ju ka bekuar me frutet e pemës së fuqisë së përjetshme, fikut, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të miroseni me bojën hyjnore të Atit Piktor, Lindës së Panjollë dhe Zahos, foshnjës së Tij të vetëmlindur.”
Të shëlbuarit – ngjitja në qiell
4 Tani, ata që u ndodhën bashkë me të, e pyetën: “Kapiten, a do të na e risjellësh ti në këtë kohë mbretërinë e Rilindjes?” Ai iu përgjigj: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin kur Sorosi i ka përcaktuar Rilindje pushtetit të vet në këtë tokë. Aq më tepër që kur e katranosa me Trampin. Por deri sa të vijë ajo ditë ju do të merrni fuqinë e Shën Fugës, i cili do të zbresë mbë ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Tiranë, në mbarë Jugun e bukëshkalit Koço, në Surrel, madje dhe deri tek Qendra “Tulla” në skajin e epërm të botës.”
5 Dhe, kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre, u ngjit në qiell dhe një re menjëherë ua zuri pamjen atyre. Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin se si ai ngritej në qiell, ia behën dy njerëz të veshur me pardesy të bardha, zunë vend para tyre dhe u thanë: “O burra të Rilindjes, pse rrini si naçu duke shikuar andej-këndej të çoroditur dhe të frikur si studentë fallso Dhjetori? Rama, që para jush u ngrit në qiell, do të kthehet pikërisht prej qiellit, përsëri këtu!”
Zgjedhja e pasardhësit të Koços
6 Pastaj nga Surreli ata u kthyen në Tiranë. Dhe, pasi hynë në qytet, u ngjitën në dhomën e sipërme, ku bënin mbledhjet e dishepujve. Aty ishin Lali Eri, Shën Gramoz Ruçi i njohur si Shkëmbi, gjykatësi i Sinedrit të Lartë Fatmir Xhafa i njohur si apostulli i xhaketës së vjetër të rikthyer, Taulant Balla i njohur si Ajaksi, Tom Doshi i njohur si Graniti dhe Shën Sajme Tahiri, mbrojtësi i të verbërve dhe i njerëzve me probleme të mëdha në shikim. Të gjithë ishin të zhytur thellë në lutje bashkë me disa gra me besë – Oltën e Xhaçkave, Elizën e Çudirave, Dianën e Çulave, si dhe me pagëzorin e Lalit, shën Arbër Maznikun.
7 Po në ato ditë, Lali Eri u ngrit në mes të zgjedhurve ‑ ishin mbledhur afërsisht njëqind e njëzet shokë rilindas ‑ dhe u tha:
8 “Vëllezër, Zoti e ka ndarë mendjen të përmbushet Shkrimi i shenjtë të cilin me gojë të Fatosit e parafoli Shën Tokata dhe Fuga për Koçon, i cili u bë prijësi i faqezinjve që mëtuan të rrëzojnë Birin e Perëndisë Edi Ramën. Ai ishte vërtet nga soji ynë dhe kishte pjesë në këtë shërbesë. Porse ai, me makutërinë e tij madhe, bleu një lëvizje për 30 aspra, andaj vari veten në degë fiku dhe theu qafën, kësisoj ne e shporrëm nga besëlidhja e shenjtë. Kjo gjë u mësua prej banorëve të Shqipërisë, të cilët këtë lëvizje e quajtën në gjuhën e tyre ‘Zgjebja’
9 Duhet, pra, që njëri prej këtyre njerëzve, të cilët qenë me ne gjatë tërë kohës që Kapiten Rama jetoi në mesin tonë, ‑ duke filluar prej bekimit të Klosit e deri atë ditë kur prej nesh u ngrit në qiell ‑ të bëhet bashkë me ne dëshmitari i ngjalljes së tij.”
10 Dhe ata paraqitën sërish të njëjtat kandidatura: Andin e Tokës së Kanaanit dhe Laertin e Kolës së Kokës të fisit të Barabës: Atëherë ranë në gjunjë dhe u lutën:
“Ti, Soros, që njeh zemrat e të gjithë mjaftistëve dhe ojëfëistëve, trego cilin prej këtyre të dyve e ke zgjedhur për të marrë vendin e kësaj shërbese rilindëse, prej të cilës u tërhoq Koço për të shkuar në vendin që i takon.”
11 Atëherë hodhën short e shorti i ra Laertit, e kësisoj ai u radhit në numrin e të Njëmbëdhjetë Rilindasve.
12 Atëherë Lali Eri ra në gjunjë, puthi breshkën e shenjtë me gjyra të bashkisë së vjetër, dhe me dorën mbi fik, e falendëroi Zotin, e adhuroi dhe e përgëzoi:
“Jemi shumë krenarë që kemi një patriark, një lider, një kapiten, një drejtues, një rabbi të përkushtuar. Një Zot e di si e gjen kohën ti o Zot të merresh me riparimin e haneve në Vermosh, me uljen e gjakërave në Halep, me çifutët në Hebron, me Trumpin në Uashington, me ribashkimin e Evropës në Berlin, me shpëtimin e Ballkanit në Beograd, me ekspozitën e artit në Nju Jork, me arkitekturën në Konispol, me skulpturën në Sarandë, me dialogun ndërfetar në Sinai, me Bunkartin II në Dajt, me vilën tënde në Surrel, duke qenë sot dhe gjithmonë i gjithëpranishëm dhe i tërëpushtetshëm në këtë ditë vere, sa ballokum në Tiranë, aq dhe ballaboks në Elbasan. Zoti i vetëm, zoti i mirë, zoti i fuqishëm zot i mëshirshëm Edi! Shpirti i Shenjtë ta zgjattë penelin tënd mrekullibërës dhe Shën Vllahutina dorën e dashurisë! Për të gjithë pasionin dhe jo vetëm që ke injektuar në venat e çetës së profetëve, unë, kryeprifti i Judushkave të Tempullit të Mjaftit të Bijve të Sorosit, ndihem i privilegjuar, ndaj të lëpihem, të falem, e bie bëlldum në gjunjë para teje ndërsa ti rri në këmbë para meje i shenjtë, i madhërishëm dhe pa asnjë synim të keq! Amin!”
Ky ishte dhe mesazhi i transmetuar në mënyrë gojore nga Shën Lali i Fikut.