8 Nëntori është një datë e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, e cila ka nevojë të përkujtohet si një moment reflektimi për gjithçka ka vuajtur ky popull përgjatë më shumë se gjysmës së jetës së tij në një shtet të pavarur. Në këtë datë, lindi një forcë politike që do të ndryshojë e determinojë fatet e shqiptarëve duke i dhënë një rrjedhë tjetër historisë, e cila kushtëzon ende sot pjesën më të madhe të jetës politike e kulturore në vend. Për këtë arsye, kemi nevojë të përkujtojmë këtë pjesë të historisë sonë, si një vaksinë për të ardhmen, ashtu siç gjermanët kujtojnë, ende pas 70 vjetësh rrënimin dhe kriminalitetin e regjimit nazist.
Lindja e Partisë Komuniste është momenti më fatkeq në historinë moderne të këtij kombi dhe një moment kthese që e orientoi vendin drejt modeleve më kriminale dhe shkatërrimtare që ka njohur njerëzimi. Kjo datë është fillimi i një procesi dehumanizimi, dekulturimi, dekombëtarizimi dhe sipari i një projekti të tmerrshëm degradimi moral, intelektual, ideologjik e kulturor në këtë vend. Paaftësia e sotme për të bërë shtet, për të patur qytetarë të përgjegjshëm e për të ndërtuar marrëdhënie shoqërore të shëndetshme i ka rrënjët në shkretimin e truallit shoqëror, kulturor, intelektual e politik të instaluar nga terrori dhe ideologjia komuniste.
E projektuar nga jugosllavët nën mikqyrjen e rreptë të Miladin Popoviçit dhe Setfan Mugoshës, kjo parti u krijua si një zgjatim i interesave antishqiptare, ku objektivi kryesor do të ishte asgjësimi i forcave politike nacionaliste në vend dhe pengimi i aspiratave kombëtare, për t’i siguruar Titos sundim të qetë të tokave shqiptare. Duke lënë pas një mal me krime, atentate, përleshje vëllavrasëse, ajo ia doli të triumfojë, duke instaluar regjimin më kriminal që ky vend ka njohur ndonjëherë, ku asgjësoi totalisht, jo vetëm forcat politike tradicionale, por edhe klasat aristokratike e inteligjencën e vendit. Për zëvendësim, ajo ngriti në pushtet e institucione drejtuese njerëzit më pa integritet, pa moral e pa kulturë, të cilët instaluan një makineri dhune e krimi nga më barbaret në Europë.
Regjimi komunist përmbysi jo vetëm klasat, por edhe vlerat, duke luftuar traditat dhe trashëgiminë kulturore të cilat u konstruktuan sipas një inxhinierie sociale totalitare, të instaluar nëpërmjet terrorit, propagandës, arsimit dhe organizimit politik. Ai prodhoi defunksionalizim të strukturave sociale, atomizëm e ndërprerje të lidhjeve shoqërore, izolim social të individit dhe shoqërizim kolektiv artificial të imponuar nga strukturat shtetërore. Ai prodhoi gjithashtu një ideologjizim agresiv, duke ngurtësuar të menduarit e individit sipas skemave totalitare që turbullojnë çdo mendje. Ai e ngushtoi botën e shqiptarit duke e lënë në një errësirë të frikshme.
Përfundimi: komunizmi la pas një mal me të vrarë, të burgosur, internuar, deklasuar, persekutuar, dhe një popull të vuajtur, të varfër deri në kufinjtë e mbijetesës, të paditur, të pakulturuar dhe të paaftë për të organizuar institucione e jetë shoqërore funksionale. Ai kultivoi bjerrjen shpirtërore si dhe kulturën e mosbesimit tek tjetri, duke i bërë shqiptarët të paaftë për të bashkëpunuar e për të bashkëndarë hapësirën e përbashkët. Ai na la të varfër në trup e në shpirt, dhe mbi të gjitha, të varfër në ëndërrat tona për ta parë veten më mirë.
Sot e kemi të vështirë të ndërtojnë një shoqëri të shëndetshme në një truall politik e kulturor të helmuar nga pesticidet më shkatërrimtare që mund të arrijë të prodhojë një regjim. Sot jemi të paaftë për të ndërtuar një sistem shoqëror, kulturor, ekonomik e politik. Të paaftë të reagojmë përballë padrejtësive që na bëhen çdo ditë, të organizohemi për të penguar të ligën, apo të mbajmë qendrime parimore ndaj problemeve. Sot vazhdojmë të mosbesojmë tek askush, teksa brohorasim ata që nuk na e kursejnë kamzhikun. Të gjitha këto, janë reflekse të një gjysëm shekulli ku u zhveshëm nga çdo vlerë njerëzore e humbëm çdo virtyt.
Njeriu i ri, i prodhuar në seri nga fabrika totalitare komuniste, ishte një monstër e paaftë të rregullojë formacionin e vet genetik, në mënyrë që, të paktën, të trashëgojë njerëz normalë. Ndaj dhe sot, jemi të detyruar të vuajmë e përpëlitemi në mënyrë dramatike, për të ndërtuar diçka mbi rrënojat e maktheve të së shkuarës.