Ka ditë që në Tiranë e Prishtinë gëlon debati mbi një film që paska çliruar të tana fantazitë e grave, por edhe të burrave. Në Tiranë, një revistë në ditën e të dashuruarve u paska bërë dhuratë grave të – të emancipuara – biletat për të “shijuar” filmin e shumëpritur e të tejfolur “Pesëdhjetë hijet e Greit”. Gratë e kryeqeytetit kishin mundësinë ta shihnin filmin në shoqërinë e mikeshave, ndërsa dekorimi i sallës dhe dhuratat “speciale” ironisht, ishin si me thënë, tregues hileqarë se ato, aniqë të vetmjaftueshme, sido me qenë, kishin nevojë për pak “maskulitet” aty.
Lexuesit mesatarisht të kujdesshëm, sapo e rrotullojnë nëpër duar librin, që në prekjen e parë e kuptojnë së nuk flitet për një romancë të zakonshme. “50 shades of Gray” veç një – love story – nuk është, madje s’ka as edhe një vlerë artistike, me përjashtim të fantazisë se shfrenueme. Ky ka qenë edhe opinioni më shpesh i nxjerrur nga kritika deri më tani. Biles libri, ndër tjerash, është një copë tregimi që rroket me nxjerrë gruan si qenie te errët, me nevoja të papërmbujtuna dhe lehtësisht të rrëmbyeshme prej materializmit. Në fakt, shoqëritë tona konsumatore nuk e kanë fort të vështirë përtypjen e idesë së “shit-blerjes” në kuadër të normalitetit të deformuar.
Duke jetuar në kohë kur përdhunimi, ku vrasja, maltretimi e dhuna janë të natyrshme, zor se arrijmë të shohim vijën e hollë që e ndan të mirën prej të keqes. Kështu, Grei një djal i ri, maniak i kontrollit, ka mundësinë dhe “aftësinë” për të zotëru krejt çfarë egoja e tij synon. Ndërsa, në anën tjetër, Anastasia, një e sapodiplomuar, e çiltër dhe kurreshtare, pasqyron gruan me kapacitete të çuditshme, që nënshtrohet fill dhe nuk i reziston dinastisë së hijeve të Greit.
Me a pa vetëdije, autorja e librit nxit përshtypjen se burrat janë mbisundues, kontrollues, posedues dhe të pathyeshëm. Ndërsa gratë: të brishta të pambrojtura, të pafuqishme, djallëzore dhe të pangopura. Burrat te ky libër janë aktivë, vendimmarrës dhe të plotpushtetshëm, kurse gratë, dashnore pasive. Kjo vërehet sa herë që libri vizaton imazhin lakuriq të Anastasias, kurse privatësinë e Greit e lë të paprekun, ndonëse si shkak i pamundësisë për të kontrolluar ndjenjat e nevojat (gruaja) dhe fuqisë (mashkullore) për të mbikontrolluar situatat.
Pesëdhjetë hijet e Greit janë si të thuash, përkujtuese e një realiteti brenda të cilit orvatemi, por nuk çlirohemi. Thënë më thjeshtë, të sapodiplomuarat priren të bien pre e burrave të fuqishëm e të pasur, të cilët, për të ofru një vend pune kërkojnë diçka më tepër se CV-ja, diplomat e shkollës apo aftësitë e tjera formuese. Mbi të gjitha libri vë në pah dominimin e mashkullor që, në të shumtën e rasteve, arrihet nëpërmjet pasurisë materiale. Grei nuk pranon që Ana të flejë me rroba të tjera përveç se me mëndafsh. Ai nuk pranon asnjë justifikim nëse ajo nuk është mirëushqyer. Grei është ideal sepse ai mund të shkojë nga një cep i botës në tjetrin me avionin e tij privat, mund të blejë shtëpinë e të dashurës, iPad, iPhone, Mac, etj. etj.
Ndër të tjerash, këtu kuptojmë se si burrat, pa dallim kulture, kanë prirje të theksuara për ta mbyllur gruan, për ta izoluar atë ekskluzivisht në hapsirën private, ku ajo mund të rrijë gjithë ditën në pritje të parnerit, me të cilin mund të mos shkëmbehet fare, mjaft që t’ia plotësojë atij çdo dëshirë. Gruaja është kështu veçse një qenie mekanike në shërbim të një qenieje tjetër me aftësi shumëdimensionale.
Librat e “Pesëdhjetë Hijeve të Greit” përpiqen të shiten si edukues në lidhje me seksualitetin, por në realitet ata thjesht dëshmojnë fuqinë e pornografisë në botën tone. Autorja përpiqet që sadizmin dhe të tjera praktika perversive t’i fusë nën hijen e erotizmit, ndërsa priret që tërë çrregullimet hormonale e mentale, ti shfaqë si praktika të natyrshme.
Shqetësuese padyshim është fryma që solli libri, aspak e habitshme, për shkak të marketingut që i’u bë librit dhe filmit për muaj me radhë, por gjithsesi mbivendosja e pornografisë dhe erotizmit janë tregues të qartë të një shoqërie që përditë përdhos gratë nga të katër anët e globit. Librat, emisionet, sportet ekstreme, tekstet e këngëve etj, vazdojnë të portretizojnë gratë si vegla epshndjellëse në shërbim të pasanikëve të fortë.
Mbas gjithë kësaj, çuditem se si gratë nuk i kanë hap sytë me kuptu se ato, përveç burrave, keqtrajtohen prej shoqeve, e mbi të gjitha prej veteve të tyre: pranojn çdo situatatë pa reaguar qoftë edhe nëpërmjet refektimit. Politikat kapitaliste në shërbim të një grushti njerëzish, i kanë vu perde të rënda realitetit. Bota jonë që s’është një fushë me lule siç pretendon autorja E.L. James prej një cepi të Londrës a New York-ut. Ajo vjen e bëhet përditë më e ngushtë për jetën e grave dhe burrave normalë, pa kërkesa të veçanta.