pb
21 Janari është një datë domethënëse në këto 24 vite sepse pasqyron shumëçka nga fytyra e vërtetë e politikës shqiptare. Ajo mbetet dëshmi e trishtë e falsitetit me të cilin është ndërtuar demokracia shqiptare dhe një shfaqje e shëmtuar e përdorimit politik të qytetarit për interesa të pushtetit, e manipulimit të turmave për orekse politike. Është shëmbëlltyrë e papërgjegjshmërisë që karakterizon të gjithë spektrin politik shqiptar.
Katër jetë njerëzish, të shfrytëzuar, të manipuluar, të përdorur, u këputën në hekurat e gardhit që ndan shtetin dhe politikën nga populli, në dyert e Kryeministrisë, ndërsa sot, katër shpirtrat e tyre përdoren si flamujt e një cinizmi të paskrupullt, për të njëjtat interesa që i vranë. Askush nuk mban përgjegjësi për jetët e tyre, as ata që ua morën, qoftë edhe nga pakujdesia ose justifikimi i mbrojtjes së integritetit të shtetit, as ata që i dërguan mish për top në një betejë që nuk ishte e tyrja. Sot të dyja palët vazhdojnë grindjen e shëmtuar, duke zbrazur secila retorikën e denoncimit, dhe askush nuk ndjen përgjegjësinë për pjesën e vet të fajit.
Opozita e sotme nuk e kursen cinizmin kur shpreh keqardhjen për mosvënien në vend të drejtësisë për viktimat, ndërsa qeveria që e ka paraqitur gjithmonë këtë çështje si kauzën e vet morale, shprehet, pas një viti e gjysmë, se do të ndjekë rrugë ”alternative” për të bërë drejtësi. Kryeministri mundohet ta përqendrojë retorikën tek drejtësia e munguar, për faj të sistemit (një mënyrë për të nxjerrë fajin jashtë vetes), ndërkohë që bën sikur ndjen se në të vërtetë i djeg blloku i Ilir Metës, i cili i ka mbetur në duar, jo rastësisht, sepse e zgjodhi si aleat për të ardhur në pushtet. Me çdo kusht.
E njëjta drejtësi, e dështuar sipas ”Rilindjes”, e ka gjykuar të pafajshëm pretekstin e 21 janarit, aleatin e sotshëm Meta, që asokohe i quante kriminelë e banditë protestuesit e 21 janarit, kurse vitin e shkuar zëvendësi i tij i qante me lule në bulevard. Nuk mund të ishte ndryshe. Protesta u organizua për të ardhur në pushtet. Dështoi. Pushtetin ia ofroi Meta, si çmim për t’u shenjtëruar duke qëndruar në pushtet.
Janë katër të vrarë, që mbetën mes plumbash duke protestuar kundër qeverisjes së shkuar, kundër Metës, të shndërruar në simbolin e korrupsionit. Sot Rama nuk e zë në gojë partnerin, teksa vete për ngushëllim te familjet e të vrarëve dhe i shoqëron me lule në duar, në një paradë të nxirë jo aq nga morti sesa nga aleanca. Kjo e bën gjithçka një teatër të shëmtuar që rëndon mbi qeverinë.
21 Janari dhe historia që vazhdon ende pas tij tregojnë se pu-shteti është më i rëndësishëm se gjithçka në Shqipëri. Për pak vota më shumë, pushteti është i gatshëm të flijojë njerëz, ata që protestuan, por edhe ata që 21 janari u kujtoi mjerimin e 1997. Turmat mblidhen e brohorasin e madje edhe përleshen për pushtetarët apo forcat politike, ndërsa ata ndërkohë janë duke i rënë lapsit për interesat e veta. Shpërblimi për vdekjen është një pilaf dhe një asistencë. Mirë me kaq, sepse kush vdes në punë ose thjeshtë vdes, duke lënë pas histori e familje në nevojë, është asgjë më tepër se inert frymor.