Dy vjet e gjysmë pas pushtimit rus të Ukrainës, shumë figura publike në SHBA dhe Evropë duken se nuk janë ende në gjendje të kuptojnë motivet e Rusisë.
Ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, i tha kohët e fundit një gazete boshnjake që gatishmëria e Natos për ta shtrirë anëtarësimin deri në Mal të Zi dhe mirëpritja e Bosnjës dhe Maqedonisë nuk ishte veç një gabim, por dhe provokim.
Në një takim të kohëve të fundit, një politikan evropian tha se nuk mund ta kuptonte pse Lavrovi dhe qeveria e tij ndiheshin në atë mënyrë. Ai nuk është vetëm. Shumë vetë në jetën publike nuk janë në gjendje të rrokin motivet që nxitin sjelljen ruse.
Askush me mend në kokë nuk e beson që Bosnja, Maqedonia dhe Mali i Zi, kërcënojnë Rusinë ose interesat e saj vitale, apo që Nato mund të kërcënojë Rusinë. Organizimi i tetë batalioneve për të mbrojtur aleatët në vijën parë më 2017 nuk përbën dëshmi për kërcënim.
Megjithatë, për Rusinë, vetëvendosja e këtyre vendeve përbën kërcënim. Kjo ndodh për arsye se veprimet e Moskës në Ukrainë dhe vende të tjera synojnë një objektiv të trefishtë. Fraza e lashtë romake se perandori e ruante popullaritetin e tij duke i dhënë popullit bukë dhe cirk gjen vend këtu.
Objektivi i parë është i brendshëm, duke promovuar aventurat imperialiste Putini garanton mbajtjen e pushtetit. Aventurizmi imperialist është tani parakushti për të ruajtur sistemin e Putinit dhe, nëse e para prishet nga e dyta, atëherë ose duhet të reformohet – gjë që refuzohet, ose duhet të bjerë.
Objektivi i dytë është Ukraina dhe gjithë shtetet e krijuara pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Putini dhe rrethi i tij ngushtë e kanë bërë të qartë vazhdimisht se ata besojnë që këto shtete nuk kanë sovranitet real, dhe integriteti territorial nuk asgjë më tepër se një lloj formaliteti.
Por nëse Ukraina, nga buron pretendimi i Moskës për të qeverisur gjithë “rusët”, refuzon Moskën, legjitimiteti i Putinit si rindërtues i perandorisë dhe i statusit të saj si fuqi e madhe, ekspozohet menjëherë si i cekët.
Idetë e vetëqeverisjes demokratike do të futen në Rusi përmes suksesit të Ukrainës. Prandaj, projekti reformimit të Ukrainës duhet të anulohet, veçanërisht sepse elita ruse e shikon Ukrainën si “Rusia e vogël”, e cila nuk ka punë të pretendojë pavarësi dhe as kapacitet të qeveriset jashtë Rusisë.
Objektivi i tretë është integrimi evropian.
Historikisht, integrimi evropian ka qenë kërcënimi më i madh i sigurisë për Rusinë. Por integrimi nën Napolonin, Hohenzollerët ose Hitlerin është diçka tjetër. Integrimi demokratik nën BE dhe Nato nuk kërcënon askënd, përveç autokratëve kleptokratë që nuk mund të kenë sukses pa nxitjen e konflikteve të përhershme dhe lojërave imperialiste.
Prandaj, nëse duam të kuptojmë mënyrën e të menduarit të Moskës, bëhet e qartë që Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia nuk mund të lejohen të arrijnë vetëvendosje reale dhe siguri përmes integrimit evropian.
Një Evropë e ndarë në dy pole dhe sfera influence nuk mund të arrijë “përfundimin” e dëshiruar nga BE dhe Nato dhe duhet mbajtur vazhdimisht në gjendje konflikti. Në këtë kuptim, duke cituar publicistin amerikan Randolph Bourne, lufta është shëndet i shtetit për Rusinë.
Po kështu, integrimi i Ballkani është një gozhdë tjetër në arkivolin e projektit imperialist të Moskës, sepse riafirmon të drejtën dhe aftësinë e popujve të lirë të vetëqeverisen e të zgjedhin vetë nëse duan apo jo të pjesë e një projekti politik më të madh. Edhe integrimi i këtyre shteteve ballkanikë relativisht pa peshë përbën një rrezik të madh për vetë-projektimin politik dhe pikëpamjen mbi botën të vetë-mohuar të Rusisë.
Që Rusia dhe sistemi i Putinit të jenë të sigurt, pjesa tjetër e Evropës nuk duhet të jetë e sigurt dhe integrimi duhet të mbetet i papërmbushur, një projekt i pezulluar. Rusia e përcakton sigurinë e saj në përshtatje me pjesën tjetër të Evropës dhe sovranitetin e saj mbi atë të vendeve ish-anëtare të Traktatit të Varshavës.
Si shumë nga stanjacioni i periudhës së Brezhnjevit, doktrina e Brezhnjevit për sovranitet të cunguar vazhdon të jetë e gjallë në politikën ruse. Ndaj nuk është befasuese që sekretari i shtypit i Putinit, Dmitri Peskov, tha se Brezhnjevi nuk është minus për ne.
Vetëm kur evropianët të kuptojnë pikëpamjen ruse për botën dhe forcat që motivojnë politikën e saj do ndalojnë së marri të mirëqenë që kemi interesa të përbashkëta ose probleme që ne dhe Rusia duhet të gjejmë mënyra për t’i zgjidhur. Bashkëjetesa paqësore është maksimumi që mund të ruhet ose prishet për shkak të agresionit sovjetik.
Nëse liderët evropianë këmbëngulin në dialog me Rusinë vetëm për faktin se është fqinje, kjo nuk çon gjëkundi. Për fatin e keq të Moskës, dialogu që ajo pretendon se kërkon me perëndimin nuk ka bazë, përderisa Rusia mohon parimet themelore që frymëzojnë perëndimin dhe tani përfshin një pjesë të madhe të Evropës Lindore.
Për sa kohë që Moska e konsideron demokracinë një kërcënim për vdekje, dialogu i sinqertë nuk është i pagjasë, por i pamundur.