Nga një sondazh i organizuar në institucionet parashkollore në kryeqytet nga “BEFT Albania” në bashkëpunim me Bashkësinë e Tiranës ka dalë një e dhënë mjaft befasuese. Rreth 16{27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} e fëmijëve pjesëmarrës në sondazh përfytyrojnë Enver Hoxhën në imagjinatën e tyre kur identifikojnë personazhin e dashur të festave të fundvitit. Kështu Babagjyshi i Vitit të Ri, siç njihet masivisht tek ne Santa Klausi klasik, për një kampion të konsiderueshëm fëmijësh shëmbëllehet me figurën e ish-diktatorit famëkeq shqiptar.
Rezultati befasues ka dalë krejt rastësisht pasi nuk ishte parashikuar në pyetësorin, i cili u adresohej fëmijëve të kryeqytetit. Qëllimi i organizatorëve, nisur nga një projekt ndërkombëtar i financuar nga “Save a Child, World!”, ishte që përmes sondazhit të identifikonin preferencat dhe nevojat e fëmijve për të adresuar më pas në planprogramet edukative politika për zbutje të mundshme të diferencave gjinore. Kjo e dhënë doli tërthorazi kur pyetjes se: “çfarë dëshironi t’ju sjellë për dhuratë Babagjyshi”, shumë fëmijë i janë përgjigjur në një formë që në fillim u duk si e pakuptimtë. Ndërsa shumica e fëmijve dëshironin që Babagjyshi t’u sillte aksh dhuratë apo lodër, rreth 16 përqind e tyre dhuratën e kërkonin t’ua sillte xhaxhi Enver(?!).
Në fillim BEFTA hezitoi të konfirmonte lajmin që prej ditësh qarkullonte në komunitetin e gazetarëve, por më pas një nga organizatorët e projektit pranoi të flasë në kushte anonimati. Ai, pas konfirmimit të lajmit, tha se ishte i befasuar nga kjo e dhënë pasi, edhe kur ka parë disa herë filmimet bruto të realizuara gjatë projektit, ende i duket e pabesueshme sesi një numër i konsiderueshëm fëmijësh ngatërrojnë ish-diktatorin me Babagjyshin. Ne u interesuam edhe pranë zyrës së shtypit në Bashkësinë e Tiranës, dhe në një bisedë telefonike të përzemërt me ndihmës-sekretarin e drejtorit për marrdhëniet me publikun, lajmi nuk u konfirmua, por edhe nuk u mohua prerazi. Nën zë na u tha se administrata e Bashkësisë do të ndërmarrë në të ardhmen sondazhe të ngjashme dhe më insistuese për të identifikuar ndërkëmbime të ngjashme mes Babagjyshit dhe personazheve më bashkëkohorë.
Pasi stafi i agjensisë pa filmimet e kryera gjatë projektit që konfirmojnë katërcipërisht lajmin ende të pakonfirmuar zyrtarisht, iu drejtuam psikologes, e cila ishte kontaktuar më herët nga BEFT Albania për të analizuar fenomenin, dhe për të mësuar më në detaje se nga vjen ky përfytyrim i deformuar që nuk duket të jetë rast i izoluar. Psikologja e njohur Jorida Zemreku Thëngjilli, e specializuar në parapsikologjinë e fëmijëve nën moshën e pubertetit, u tregua e rezervuar për të ndarë detajet e këtyre të dhënave pasi ajo do t’i publikojë ato si shtojcë të një studimi paraprak që lidhet me eksperiencat traumatike të të vegjëlve në sistemin e edukimit parashkollor shqiptar. Megjithatë, pas këmbënguljes sonë, ajo pranoi të jepte disa të dhëna për disa nga rastet.
Numerikisht, 16{27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} e fëmijve që ndërkëmbejnë Babagjyshin me xhaxhin Enver janë 23 individë të grupmoshave 3 deri në 5 vjeç nga një kampion prej 149 fëmijësh të përfshirë në sondazh, dhe i cili u zhvillua në 6 kopshte fëmijësh në kryeqytet. Kopshtet janë përzgjedhur në një shtrirje të tillë gjeografike që të përfshijë sa më mirë përfaqësimin social kulturor të familjeve prej nga vijnë fëmijët që frekuentojnë këto kopshte.
Zemreku Thëngjilli gjatë bashkëbisedimit tonë la të kuptohej se ky fenomen kaq i pazakontë vjen nga disa shkaqe të cilat ngërthejnë në vetvete keqvlerësime fëmijërore, të cilat vijnë nga një mbivendosje e rrethanave dhe e atmosferave festive, dhe që shkojnë deri tek mbingarkesa psikologjike me sfond ideologjik që ushtrohet në mjedisin familjar ose shoqëror ku të pranishëm janë dhe fëmijët. Më në detaje, Zemreku Thëngjilli pohon se në katër raste ky konfondim i figurave kaq të kundërta vjen nga ikonizimi i figurës së ish-diktatorit gjatë Festës së Çlirimit më 29 Nëntor dhe që përkon në kohë dhe si ndjesi me shfaqjen e strukturave dhe elementeve festive në qendrat e qytetit, në vigjilje të festave të Krishtlidjes dhe Vitit të Ri. Ngjashmëria festive me kurora lulesh, drita dhe xixa, lapidare me yje në majë apo bredhin e zbukuruar, gjithashtu duke shtuar edhe portretet e ish-diktatorit mes njerëzve dhe imazhet e babagjyshit në reklama të ndryshme ka lehtësuar në psikikën e të vegjëlve këtë ndërkëmbim të personazheve në fjalë.
Rasti më i përhapur, që vjen si ndikim i drejtpërdrejtë i mjedisit familjar kryesisht në periferi, është momenti kur në banesa rivjen energjia elektrike. Në ditët e ftohta të fundvitit, kur dhe energjia mungon shpesh gjatë ditës, riardhja e saj në orët e mbrëmjes shkakton një gëzim të natyrshëm sidomos te fëmijët. Në gjashtë raste të identifikuara lehtësisht, fëmijët kanë dëgjuar prej më të rriturve në mjediset familjare shprehje të ndryshme që si referencë kanë kohën e diktaturës, dhe prej deduksionesh fëmijërore e identifikojnë “xhaxhin Enver” si shkaktarin e ndriçimit festiv, rrjedhimisht dhe si prurësi i lodrave dhe i ëmbëlsirave. Kjo është dhe një e dhënë e tërthortë e mbijetesës, në familjet që kanë ardhur nga zona disi të thella, të mitit social mbi procesin e elektifikimit të vendit, të cilin regjimi komunist e propagandonte me sukses kryesisht në zonat rurale periferike.
Një tjetër rast është identifikimi drejtpërdrejtë i ish-diktatorit me mjekrën karakteristike, ngjashëm si personazhi i Babagjyshit, që shumë fëmijë e kanë parë në ekranet e televizorit. Bëhet fjalë për disa imazhe filmike të shfaqura së fundmi në disa programe dossier, në të cilat ish-diktatori i maskuar si Babagjyshi ndan dhurata pranë bredhit dhe zbavitet mes fëmijve, kryesisht të rrethit të ngushtë familjar. Në këtë rast, është interesant fakti se një fëmijë i moshës katër vjeçare, moderatorin e njërit prej këtyre programeve e identifikon si “elfin” kryesor të “xhaxhit Enver”, pasi edhe ai ndan për njerëzit shishe me verë si dhurata. Për këtë, ai është bindur sidomos kur ka dëgjuar dajën e tij të thotë literalisht: “ky qerosi, shumë i vjen në ndihmë xhaxhit”.
Të tjerë fëmijë janë më konkretisht të ndikuar sociologjikisht në mjedisin ku jetojnë nga venerimi i pafiltruar ideologjik, që në këtë rast nënvizon rëndom dimensionin e industrializimit gjatë diktaturës, që gjithë të mirat e supozuara materiale, të pakta por të sigurta, ia atribuon regjimit komunist. Këtu, disa fëmijë, për shkak të paformimit por dhe të shkallës ende të pazhvilluar të intelektit, nuk arrijnë t’i klasifikojnë këto informacione dhe këto produkte imagjinare që ekzistojnë të pandërprera nga e shkuara, dhe i përfytyrojnë si dhurata dhe të mira që ende i sjell për njerëzit dhe të vegjlit “xhaxhi Enver”, kryesisht gjatë festave të fundvitit tashmë të komercializuara. Sakaq, tre fëmijë nga kjo kategori këmbëngulin se “xhaxhi Enver”, ai që sjell dhurata, nuk mban mjekër, pasi ai është i “mirë”. Kjo, pasi mjekra në përfytyrimin e tyre, të formësuar dhe nga ndikimi mediatik gjithnjë e në rritje, është eskluzivitet i personazheve të ekstremizmave të dhunshëm.
Gjatë komunikimit tonë me psikologen Zemreku Thëngjilli, ajo theksoi se një nga përfundimet që na bëjnë të reflektojmë për këtë të dhënë befasuese është domosdoshmëria për të mbajtur të pacënuar në përfytyrimin popullor figurën e Babagjyshit të Vitit të Ri. Ajo theksoi se në përfundimet që do të nxjerrë në fund të raportit në lidhje me të dhënat e sondazhit do të rekomandojë dhe praktika konkrete sesi mund të arrihet drejt këtij qëllimi. Edhe ne, si redaksi, pas njohjes në brendësi të këtij fenomeni befasues, përsërisim se një proces që mundëson pastrimin e figurës së Babagjyshit duhet të jetë i plotë, i gjithanshëm dhe i pavarur.