Gjenereta të tëra zyrtarësh të lartë të Fifa-s janë përfshirë në korrupsion “të madh, sistematik, dhe të rrënjosur thellë, i cili e ka helmuar botën e futbollit për dekada, u pretendua dje, pasi dy hetime të veçanta ndezën krizën më të madhe në historinë e sportit.
Nëntë zyrtarë të lartë të Fifa-s kanë marrë ryshfet në vlerë qindra milionë dollarë për më shumë se 20 vjet, në shkëmbim të dhënies së të drejtës për organizimeve e turnamenteve fitimprurëse për vende të caktuara dhe abuzimi me zgjedhjet e presidenciale të Fifa-s, thanë prokurorët e SHBA.
Në të njëjtën ditë, autoritetet zviceriane njoftuan një tjetër hetim për “keqmanaxhim kriminal” dhe pastrim parash në lidhje me vendimin për organizimin e kupës së botës më 2018 dhe 2022 në Rusi dhe Katar, duke e vendosur të ardhmen e të dy turneve në dyshim.
Vetëm 48 orë para zgjedhjeve më të fundit presidenciale të Fifa-s, një dosje me 47 akuza e mbushur në një gjykatë federale të New York-ut detajoi 12 skema të ndara korrupsioni që dyshohet se janë kryer nga zyrtarët e Fifa-s. Në tërësi, ata dyshohen të kenë marrë ryshfet në një shifër më të madhe se 150 milionë dollarë përgjatë 24 viteve, duke nisur që nga 1991.
Një nga skemat e dyshuara përfshin dhënien e një ryshfeti 10 milionë dollarë nga qeveria e Afrikës së Jugut para kandidaturës së sukseshme të saj për Kupën e Botës 2010. Një tjetër përfshinte abuzimin me zgjedhjet presidenciale të Fifa-s më 2011 nga Jack Warner, ish-politikan nga Tirnidadi dhe zv/presidnet i Fifa-s. Trinidadi lëshoi fletë arresti për të pas kërkesës nga SHBA dhe më vonë ai u dorëzua. Ai u lirua me kusht, me garanci 2.5 milionë dollarë.
Sipas akuzës, zoti Warner u kujdes që zyrtarëve t’u jepeshin si “dhuratë” zarfe me 40 mijë dollarë në shkëmbim të votës së tyre. Dyshohet që ai u ka thënë kolegëve: “Këtu ka disa njerëz që mendojnë se janë shenjtorë. Nëse je shenjtor, hapni një kishë, miq. Biznesi ynë është biznesi ynë.” Në një deklaratë ai tha se “ishte i pafajshëm për të gjitha akuzat.”
Në një konferencë për shtyp, Richard Weber i IRS Criminal Investigation e përshkroi veprimtarinë e këtyre njerëzve si “Kupa e Botës së mashtrimit”. Prokuroria e Përgjitshme e SHBA e shtoi se zyrtarët kishin përdorur pozicionin e tyre për të dhënë e marrë ryshfet “gjithnjë e gjithnjë, vit për vit, turne pas turneu.”
Mes nëntë të arrestuarve, të cilët akuzohen për ryshfet, mashtrim dhe pastrim parash konspirative, është dhe një nga zv/presidentët e Fifa-s, Jeffrey Webb, i konsideruar prej kohësh si një zë për reforma. Ai ka kërkuar më herët publikimin e raportit të procesit të përzgjedhjes së organizatorëve të Kupës së Botës për 2018 dhe 2022, i cili nuk është bërë kurrë publik.
Shtatë nga zyrtarët, përfshi zotin Webb, u arrestuan herët në mëngjes në hotelin me pesë yje të Zyrihut, Baur au Lac, nga autoritetet zviceriane me kërkesë të SHBA. Pesë persona të tjerë, përfshi katër anëtarët të drejtues të kompanive sportive, u arrestuan gjithashtu.
Prokurorët amerikanë thanë se akuzat “nuk ishin kapitulli përfundimtar” në përpjekjet për të çrrënjosur korrupsionin nga bota e futbollit. “Nuk mbaron këtu. Puna do të vazhdojë deri sa të zbulohet korrupsioni dhe një mesazh është përcjellë në botë,” tha drejtori i FBI James Comey.
Ndërsa po arrestoheshin zyrtarët, policët zvicerianë që hetonin “parregullsitë” në dhënine e Kupës së Botës 2018 dhe 2022 Rusisë e Katarit kontrolluan zyrat qendrore të Fifa-s në Zyrih për të mbledhur dokumente. Të dy hetimet u nisën njëkohësisht për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme mes të dyshuarve.
Presidenti i tanishëm Sepp Blatter, i cili kandidon për rizgjedhje të premten, nuk u arrestua. Por Andre Marty, zëdhënës i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm zvicerian, tha se ai “do të pyetet në javët e ardhshme”. “Teorikisht, çdo person që është përfshirë në përcaktimin e organizimit të Kupës së Botës do të pytetet,” shtoi ai.
Fifa është nën presion të shtyjë zgjedhjet, ndërsa sekretari i përgjithshëm i Fifa-s bën thirrje që të shtyhen gjashtë muaj. Por Fifa këmbënguli se do të zhvillohen sipas planit.
Zëdhënësi Walter de Gregorio tha se akuzat i ishin “të mira” për organizatën. “Nuk janë të mira në drejtim të imazhit ose reputacionit, por në drejtim të pastrimit, kjo është e mirë… Nuk është ditë e mirë, por është e mirë gjithashtu. Procesi vazhdon dhe ne presim me padurim,” tha ai.
Në një deklaratë, Fifa tha se “i mirëpriste veprimet që mund të ndihmojnë në çrrënjosjen e çdo të keqeje në futboll,” duke shtuar: “Ne jemi të lumtur që hetimi ndiqet me energji për të mirën e futbollit dhe besojmë që do të ndihmojë në zbatimin e masave që Fifa ka marrë tashmë.”
Komiteti Etik i Fifa-s njoftoi që kishte ndaluar “përkohësisht” tashmë 11 nga 14 personat [e arrestuar] për ushtrimin e çdo veprimtarie lidhur me futbollin në dritë me dyshimet.
Megjithatë, princi Ali Bin Al Hussein i Jordanisë, i cili kandidon kundër zotit Blatter, tha se ishte koha për një ndryshim në krye të trupit drejtues të futbollit. “Ne s’mund të vazhdojmë me krizën në Fifa, një krizë që ka vazhduar dhe nuk ka lidhje vetëm me ngjarjet e sotme,” tha ai. “Fifa ka nevojë për udhëheqje që… pranon përgjegjësi për veprime dhe nuk fajëson të tjerët.”
Damian Collins, deputeti konservator britanik,i cili ka bërë fushatë për reformë në Fifa, e përshkroi zotin Blatter si “njeriu më i urryer në sport” dhe i bëri thirrje të japë dorëheqje. Ai kërkoi gjithashtu që të bëhet votim i ri për Kupën e Botës 2018 dhe 2022 pas këtyre pretendimeve.
“Përgjatë viteve ata janë munduar të hedhin poshtë çdo sugjerim për shpërdorimet e përhapura në organizatë… dhe ja ku jemi sot në këtë rrëmujë të tmerrshme që ata e kanë krijuar vetë,” tha ai. “Ky është një dëm i pallogaritshëm për botën e futbollit dhe duhet të ndalojë, me largimin e Blatter-it dhe ribërjen e votimit e të drejtës për Kupën e Botës. Njerëzit brenda Fifa-s nuk duhet të befasohen hiç. Ky është fundi i tyre.”