carangthi
“Nuk duhet të lejojmë që të fortët të kenë një rol publik”, titullonte Mustafa Nano një shkrim të ngacmuar nga pamjet e një posteri elektoral veshur një makine në rrugën Tiranë-Durrës, që nuk dihet përse sematikisht ligjërimi i opinionistëve shqiptarë i ngre në nivelin e ‘të fortëve’. Kjo kategori e PS-së, në shqetësimin e qytetarit Nano, ofrohet me një nga përfaqësuesit e zonave më informale të Shqipërisë së pas ’90, Kamzën, konkretisht me kandidatin Safet Gjici. Ai e përforcon perceptimin e tij lidhur me periferizmin e kësaj tendence kur pohon se Shkodra e Tirana përjetojnë fushata të admirueshme, me gjasë pa ‘të fortë’, ndërkohë që llumi me epitetin ‘i fortë’ shoqëron drejtimin e duhur kudo, aq më tepër aleatin e rilindësit Rama. Nëpër zyrat elektorale, krahas fytyrave femërore të kontraktuara për publicitet, mund të evidentohen fare mirë ata të cilët janë shërbimi policor i qarkullimit sipas kodit rrugor të drejtimit të duhur, që tapetojnë çdo hapësirë publike, e sigurisht private, përfshi edhe autoveturat e fotografuara nga Nano, dhe që garantojnë investimin e sipërmarrjeve politike gjatë dhe pas fushatës.
Nuk mjaftojnë fytyrat e kandidateve të dy qyteteve të cituara dhe eksperienca e tyre për ta kanalizuar fushatën e të fortëve në periferi, sikur ky degradim paska mbetur në rrugën Tiranë-Durrës, rastësisht e populluar nga lëvizjet migratore të veriut, me ata gegët që para ca kohësh Nano njësohej në librin e tij. Siç nuk mjaftojnë një çifteli e një qeleshe kopertine apo ca fjalë të Lahutës së Malësisë e ndonjë lustër pushtetesh sektare për t’u bere gegë, ashtu nuk mjafton një kritikë ndaj ca “gringove”, që mbulojnë xhama e targa makinash me posterat e politikës, për të shkëlqyer dekoratat e rrëmbyera të ‘shoqërisë civile’, të indinjuar nga këto ‘të fortë’, që për ironi as policia e sotme e ripërtërirë nuk i ndalon dot, as në një aks rrugor rishtazi të sistemuar me sadizmin e shpejtësisë maksimale 60 km/h.
Kur thuhet se “këta të fortë, rrugaçë, banditë, ndoshta kriminelë, janë ende në rolin e protagonistit në fushatën elektorale”, referenca bie mbi të shkuarën, atë të largëtën por edhe atë të zgjedhjeve 2013, ku i njëjti llum u kontraktua për të rilindur, duke vijuar traditën e filluar që në vitet ’90 nga dy forcat kryesore të politikës shqiptare. Shfaqjet e sotme janë faturat që duhen paguar për hirë të ndërrimit të pushteteve dhe do të jenë të përhershme derisa të ekzistojnë një kategori që herë bën moralisten e herë të mahniturën. Dhe jo se kjo kategori me pushtet mediatik është kusht për ekzistencën e ‘të fortëve’, sesa është tregues i një sistemi të pandreqshëm: aty ku ka pushtete publike të privatizuara dhe media që i bëjnë serenata, me siguri ka edhe banalizim të shprehur deri me mbulimin e targës së autoveturës me ndonjë poster elektoral.
Çështja është se, ngjashëm me ata dy djemtë “që ishin brenda makinës” dhe “kishin pamje të fortësh”, fytyra të tilla, sikur të dala nga filat e Sergio Leone-s, gjenden në Parlamentin shqiptar dhe faktikisht ndodhen aty sepse thjesht mbështeten në kontingjente ‘të fortësh’ ose vijnë si mishërim i drejtpërdrejtë. Përfaqësues politikë me të kaluar kriminale, të pasuruar në mënyra të dyshimta, që shoqërohen me kriminelë, dhunojnë (e sigurisht blejnë) gazetarë e kolegë deputetë (imagjinojmë popullin) dhe plot arrogancë dalin të pafajshëm, janë ideal-tipi në botëkuptimin e ‘të fortëve’ të hasur nga Nano rrugës. Se mos duhen vlera, shkollim dhe kulturë! Dy neuronet që kanë ‘të fortë’ të tillë janë më se të mjaftueshëm për ta kuptuar drejtimin e duhur në këtë vend drejt parasë, pushtetit ose karrierës.
Çdo përqendrim te kjo kategori është përpjekje për t’u shmangur nga burimi i vërtetë i gangrenës, sepse e banalizon të keqen në nivel gati-gati folklorik. “Nuk duhet të lejomë që këta të kenë rol publik”: “duhet të na qërohen nga ajo që quhet Res Publica, kjo e fundit na përket ne të tjerëve”, shkruan Nano. Ndërkohë që përfaqësuesit e (pu)shtetit janë produkt dhe prodhues i tyre. Sigurisht nga kjo industri nuk përjashtohen as mediat, sidomos ata që pretendojnë të jenë “ne të tjerët” e njëkohësisht promovojnë një politikëbërje plot ‘të fortë’. E fortë kjo apo jo?!