Militant komunist i edukuar në Rusi, protagonist i luftës çlirimtare antijaponeze me mbështetjen e Stalin-it, themelues e diktator i regjimit komunist në Korenë e Veriut prej 1948, Kim il-Sung-u kishte huazuar modelin stalinist për të ngritur kultin e personalitetit pas eliminimit të rivalëve të brendshëm. Duke filluar nga vitet ’60 ai i dha shtysë maksimale ngritjes së një feje politike të themeluar në hyjnizimin e personit të tij dhe në sakralizimin e mendimit të tij, e njohur ndryshe si doktrina Juche (“Mbështetje në forcat tona”), një amalgamë marksizmi, leninizmi e nacionalizmi, që i imponohej popullsisë me terror, propagandë dhe indoktrinim kapilar e depërtues.
E izoluar nga bota, Koreja e Veriut u transformua në laborator totalitar dhe vetëquhej “mbretëri eremitësh”, komunistësh luftëtarë që përpiqeshin kundër kapitalizmit nën urdhrat e “Udhëheqësit të Madh”, të angazhuar në realizimin e socializmit dhe në ëndjen e personalitetit të kolektivizuar të “njeriut të ri” socialist, sipas doktrinës së “Liderit të Madh”. U ngritën 40,000 qendra studimi në fshatra, fabrika, shkolla, kooperativa dhe forca të armatosura, për të mësuar doktrinën e kimilsungizmit, teksa një aparat simbolik e ritual i qëndrueshëm jetësonte hyjnizimin e Kim il-Sung-ut, i madhëruar si “Shpëtimtari i atdheut”, “Dielli i kombit”, “Ati i popullit”, “Gjeni i njerëzimit”.
Pas shuarjes në 1994 ai u konsakrua me pavdekësi përmes balsamimit, dhe trupi i tij ruhet e adhurohet sot në një mauzole të madh. Gjithashtu, që nga 1997 kalendari zyrtar i Koresë së Veriut i numëron ditët duke filluar prej 1911, viti i ngjizjes së Kim il-Sung-ut, ndërsa lindja e “Diellit të Atdheut”, më 12 prill 1912, është festa kombëtare më e shenjtë e regjimit. Vendi i tij i lindjes, Mangyondae, adhurohet si qendra sakrale e atdheut. Statuja gjigante janë ngritur para dhe pas vdekjes se tij, për ta përjetësuar imazhin e “Udhëheqësit të Madh”, që çdo koreano-verior duhet të mbajë me vete si ikonë të shenjtë. Muze, skulptura, piktura dhe poezi paraqesin jetën e tij si një epope mitike përpjekjesh heroike për çlirimin e Koresë nga Japonia dhe realizimin e socializmit. “Të gjitha veprimet e tij – shkruhet në një biografi të vonë – ishin destinuar të realizonin projektin e ndërtimit të një parajse komuniste”[1]. “Ati ynë është Mareshali Kim il-Sung, shtëpia jonë është Partia, të gjithë jemi vëllezër të vërtetë, jemi më të lumturit në botë”: kështu këndojnë fëmijët e rritur në laboratorin totalitar. Përzierjes me komunizëm e nacionalizëm, feja kimilsungiste i shton krenarinë raciste, duke ekzaltuar Korenë si një “komb etnikisht homogjen”[2]. Edhe kimilsungizmi është konsakruar në doktrinë e pavdekshme, për popullin korean dhe për të gjithë njerëzimin[3]. Misioni i tij i “rrëzëllimit” universal celebrohet simbolikisht nga kulla gjigante prej 150 metrash në zemër të Pjongiangut, në kulmin e së cilës ndodhet fari në formë flake, i lartë 20 metra, simbol i përhapjes në botë i doktrinës së Kim il-Sung-ut. Një libër i detyrueshëm, Kim il-Sung, njeri i madh i shekullit, ofron statistika plot fantazi rreth përhapjes botërore të doktrinës Juche:
Sot, në universitetet e shumë vendeve zhvillohen leksione mbi idetë Juche. […] Në rreth njëqind vende ka më shumë se 400 institucione, organizata e rrugë me emrin Kim il-Sung dhe të sekretarit Kim Jong-il. Portretet e tyre ndodhen në shumë banesa kudo nëpër botë. Në këtë mënyrë rrezet e kullës Juche kanë depërtuar në zemrat një pafundësie njerëzish, duke shtuar masën e ithtarëve të tij. […] Çdo vit veprat [e Kim il-Sung-ut] përkthehen e botohen në shumë gjuhë, në më shumë se njëqind vende, me tirazhe prej qindra milionë kopjesh. […] Siç nuk mund të fshihet dielli me pëllëmbën e dorës, ashtu edhe përhapja e të vërtetës nuk ndalet dot. E njëjta gjë ndodh edhe me idetë Juche. Burim jete që ripërtërin shpirtin e gjithë popujve, idetë Juche konsiderohen nga njerëzimi si e vërteta e të vërtetës.[4]
Hyjnizimi i Kim il-Sung-ut u shtri tek i biri i tij Kim Jong-il, trashëgimtari i zgjedhur i dinastisë së parë komuniste: që prej 1982, ditëlindja e tij celebrohej si festë kombëtare. Pas vdekjes së “Liderit të Madh”, i shpallur Presidenti i Përjetshëm, i bri ka trashëguar pushtetin absolut dhe është adhuruar nga liturgjia e regjimit si “Dielli i shekullit XXI”, vazhdimësi e gjallë e të atit, me të cilin identifikohet: “Kim il-Sung-u jeton mes nesh. Kim il-Sung-u është Kim Jong-il-i dhe Kim Jong-il-i është Kim il-Sung-u” shkruhet në një slogan aktual të liturgjisë koreane. Nuk është i rastësishëm identifikimi i krishterë i Atit me të Birin, që slogani evokon. Kim il-Sung-u ka persekutuar fetë tradicionale dhe ka shkatërruar institucionet e tempujt e tyre, por gjurmë të traditës së krishterë janë të dukshme në mitet dhe ritet e fesë së tij politike. Sipas vëzhgimeve të një gazetari francez, i cili, i hequr si turist, ka qenë ndër të paktët vizitorë të huaj të lejuar në 2000 në Korenë e Veriut, “liturgjia e krishterë duket sikur është shkrirë në modelin politik, që moral të vetëm ka atë të shtetit”:
Ngjashmëria mes kësaj liturgjie pagane dhe riteve katoliko-protestante është mahnitëse. Ajo ka një aspekt karikaturor: Kim-il-ati i pavdekshëm, Kim-il-biri mbartësi i lajmit të mirë në këtë vend të quajtur “parajsë tokësore”. Por ka edhe një aspekt të qartë: tablotë gjigante të panumërta janë si ikona, statujat si tempuj, sloganet si urdhëresa, ritet e pastrimit, shkrimet e shenjta të “Liderit të Madh”, e mbi të gjitha “testamenti” i tij i ribashkimit, konsiderohen si biblike. Kësaj “detyre të shenjtë” të ribashkimit të dy Koreve, propaganda shtetërore i shton premtimin për një të ardhme të çliruar nga e çdo e keqe. Krahasimi me krishterimin nuk është aspak i pavend. Përveç Filipineve, në tërësinë e saj Koreja është vendi aziatik ku pas shek. XVIII depërtimi i krishterimit ka qenë më i fortë. […] Krishterimi ka qenë motori kryesor i modernizimit të Koresë, ku misionarët kanë ngritur mijëra shkolla e ambulatorë.[5]
Akoma sot, kur uria, zia dhe epidemitë, pasojë e një sërë eksperimentesh ekonomike të dështuara, kanë shkaktuar vdekjen e qindra mijëra koreanëve, regjimi i udhëhequr nga “Dielli i shekullit XXI” vijon të madhërohet në sytë e banorëve të tij si një parajsë tokësore.
_____________________________________________________________________________________________________
[1] E. Seuk Houm, Les brillantes empreintes, Pyongyang 1990, f. 161.
[2] P. Grangereau, Au Pays du Grande Mensonge. Voyage en Corée du Nord, Paris 2000, f. 39.
[3] Houm, Les brillantes, vep. e cit., f. 145 e në vijim.
[4] Grangereau, Au Pays, vep. e cit., f. 38.
[5] Po aty, f. 51.
*Fragment nga libri Fetë e politikës: mes demokrcive dhe totalitarizmave, i autroit Emilio Gentile,
së shpejti në botim nga Pika pa Sipërfaqe.