Te Kombet dhe nacionalizmi, duke interpretuar çështjen e koklavitur të inditetit etnik malazez, megjithëse nga këndvështrimi i një profesionisti si Ivo Banac, Eric Hobsbawm lë një shënim më tepër sesa sqarues (si referencë bibliografike), i cili përmbledh gjykimin e tij mbi historiografinë ballkanike dhe paralajmëron lexuesin për të qenë i vëmendshëm, si kurdoherë përpara kësaj tradite, ndaj tingullit të çdo krikëllime. I bazuar ose jo, dyshimi i tij i ilustruar me Istorija Crne Gore në fakt përgjithëson, nëpërmjet «kurdoherë», vëllime historiografike që fillimisht qëndisin përfundimin dhe më pas i japin arsyetim, argumente e referenca. Në rast se këta të fundit nuk janë të përshtatshme për objektivin e paracaktuar, atëherë pësojnë ndërhyrje kirurgjike. Rezultati është transformimi dhe copëtimi i burimeve, që, sikur të mos mjaftonte, nga ana e tyre janë mjaftueshëm subjektive.
Një ndër metodat më të aplikuara sintetizohet me gjarpërimet brenda tekstit, nganjëherë brenda një faqeje ose edhe një fjalie, duke legjitimuar si fakt historik atë çka funksionon dhe duke maskuar me indiferencë ose me ndonjë likuidim të paarsyetuar atë çka do ta përmbyste qëllimin e parafabrikuar të artizanit. Kristo Frashërin e lexon Skënderbeun si të moralshëm, mëshirëplotë, zemërbutë: «dukej se nuk puqej me edukatën e djallëzuar që merrnin fëmijët e princërve mesjetarë», «shpirtgjerë», «një kryetar shteti që i dominonte pasionet inatçore apo hakmarrëse dhe nuk dominohej prej tyre, siç vihet re poshtë e përpjetë akoma sot», «hante shumë pak dhe i mjaftonin pesë orë gjumë», «e duronte vapën dhe acarin», «flinte përdhe mbi qilim», «duronte çdo lloj vuajtjeje fizike». Por në rastin e vetëm kur historiani pranon implikimin e mundshëm të heroit në vrasjen e robërve, ndodh që Barleti, burimi i këtyre përshkrimeve hagjografike, bëhet dëshmi jo më e besueshme.
Një tjetër zhanër mjaft i suksesshëm është konsoliduar me përkthimet. Kështu shqipëron Pëllumb Xhufi dy fragmente nga memoriet e Muzakës:
a) et anco Bardi Fachiemiri ch’hebbe due altri casali che si chiamavano Barci, […] fù uno Condi Balguri, ch’hebbe un casale nomine Guerbisi e fù Voivoda de Tomorniza. E com’e detto, lo sopra detto paese Tomorniza fù de nostra casa, e detti baroni erano suggetti e sudditi ostri / ishte gjithashtu Bardh Faqemiri, që zotëronte dy feude të tjerë që quheshin Barçi, […] një i quajtur Kont Ballguri, që zotëronte një feud me emrin Gjerbës dhe që ishte vojvodë i Tomorricës. Dhe siç thashë, krahina e Tomorricës i përket familjes sonë dhe krerët e mësipërm ishin vartësit e vasalët tanë».
b) «Signor Andrea fece uno bello esercito in detto suo paese e menò seco tutti i baroni e gentilhuomini et anco parenti e amici et andò in incontro del detto Rè / Zot Andrea […] formoi një ushtri të fortë në zotërimet e tij dhe së bashku me të gjithë baronët, feudalët dhe gjithashtu të afërmit e miqtë e tij, i doli përpara Mbretit.
Termi ‘suggetti’ është shqipëruar një herë si ‘vartës’ e një herë si ‘vasal’, duke e shndërruar vartësin automatikisht e përherë në vasal, diçka që nuk vërehet, për shembull, te trajtimi i Skënderbeut nga po i njëjti autor. Për t’u nënvizuar këtu është vendosja e shenjës së barazisë në çiftet vartës = vasal, zotëri = feudal, fshat = feud, çka i mundëson historianit të pohojë me bindje: «pra, në këtë rast shfaqet edhe raporti i vasalitetit të mirëfilltë feudal». Dihet që vasali ishte përherë vartës, kurse vartësi nuk ishte përherë vasal, dhe format e vartësisë paraqiteshin mjaft të larmishme, por interesi i Xhufit nuk është aq saktësia sesa argumentimi i marrëdhënieve feudale në Arbërinë mesjetare, në mënyrë që ky territor t’i përmbahet skemës marksiste të zhvillimit historik, ku ‘rendi feudal’ dëshmon për ekzistencën e një faze më të avancuar (krahasuar me ‘rendin skllavopronar’) ose, sidoqoftë, për një vijimësi në evolucionin paralel me botën e civilizuar. Thënë ndryshe, gjurmimi i feudalizmit në atë periudhë garanton përkatësi në botën e civilizuar. Përkundër, mungesa e këtyre gjurmëve konsiderohet prapambetje, prandaj kalimi i doganës ndërmjet dy botëve/stadeve bëhet i detyrueshëm, edhe duke shtrembëruar me vetëdije burimin historik, për ta tregtuar pastaj interpretimin si të vërtetë të legjitimuar nga ky burim.
Koço Bozhori, historiani i angazhuar në shqipërimin e burimeve bizantine gjate viteve ’60-‘70, aplikon një model tjetër ndërhyrjeje, akoma më të thjeshtë. Ai nuk anashkalon asnjë përçmim të këtyre referencave ndaj të huajit osman, por kur ky gjykim i drejtohet arbërve historiani zgjedh censurën. Kështu vepron kur trajton dëshmitë e Sfrantzes, nga e cila është përjashtuar fragmenti vijues:
Edhe raca e mallkuar dhe shumë e paturpshme e arbërve, duke shfrytëzuar rastin e përputhshëm me natyrën e tyre të babëzitur, të pangopur e të padrejtë, çfarë ligësish nuk kryen? Duke tradhtuar besimin dy herë në të njëjtën të shtune, kalonin nga njëri zotëri te tjetri dhe kërkonin castella (siç thuhet në dialektin e tyre) si guvernatorë; përndryshe kalonin te tjetri, e të tjerët bënin të njëjtën gjë me të parin. Ndërkohë, nëse gjenin ndonjë pasuri të romejve të gjorë ose edhe të vetë arbërve (shpeshherë të një farefisi ose familjeje), grabisnin e shkatërronin çdo gjë. Aq shumë gjëra të tilla ndodhën sa kush mund ta përshkruajë fatkeqësinë në mënyrë të plotë?.
Arsyeja është e qartë. Dogma e kanonizuar gjatë atyre viteve synonte tëhuajësimin e të keqes dhe identifikimin me heroizmin, viktimizmin apo një sërë virtytesh kolektive, të kundërtën e asaj çka ilustron ky fragment. Aq më tepër kur interpretimi zyrtar pas 1944 i rezistencës antiosmane në shek. XV anonte drejt panballkanizmit.
Nëse Bozhori fshin një paragraf, Piro Misha, botuesi i veprës së Tursun Beut (ndër të tjera e modifikuar ndjeshëm që në titull), i heq një kapitull prej më shumë se njëzet faqesh (referuar botimit italian prej nga është shqipëruar), konkretisht atë të cilin orientalisti Alessio Bombaci e përshkruan kështu:
Vepra ka të veçantën e prezantimit të një skeme të përgjithshme filozofike, ngaqë në fillim rezulton një ekspozim mjaft i gjatë mbi etikën politike, ku renditen disa virtyte të domosdoshme për sundimtarët; dhe është thënë që libri vlen për të treguar se virtyte të tilla zotëroheshin në nivelin më të lartë nga Mehmeti II, mishërimi i princit perfekt. Megjithatë, një angazhim i tillë moralizues mbetet i izoluar te pjesa hyrëse.
Në këtë mënyrë botuesi, njëherësh edhe recensues me kompetencën e portofolit, e ka cunguar veprën rëndë. Arsyeja e shprehur te parathënia pasqyron vullnetin për të diktuar këtë lexim të produktit, duke mos i lënë autorit, as te vepra e tij, të drejtën e fjalës. Kjo nuk është as ndërhyrje kirurgjike as makijazh, por përdhosje e burimit dhe ilustrim i vulgarizimit të studimeve historike në Shqipërinë paskomuniste.