Ditari i Shvejkut
Arkeologët kane zbuluar pergamenat e Beslidhjes së Fikut në Liqenin e Tharë të Tiranës pranë Parkut të betonizuar. Mësohet se fisi i Vajgurëve dhe skribët e Judujve kanë shkruar sa më poshtë…
Pra o pasardhës të pellazgëve! Përhapni librin e dytë të Beslidhjes së Fikut! Eksodin!
Pra o pasardhës të pellazgëve! Përhapni librin e dytë të Beslidhjes së Fikut! Eksodin!
1. Këta janë emrat e bijve të Sorosit, fisit të Mjaftit, linjës së Lalit, që erdhën në pushtet me faraon Ed Ramsesin e I-rë të Kristaqit para luftës së dytë hitite me Xhalalin e Tretë, birin e Mziut. Secili erdhi me shokët e tij:
2. Erioni, Endri, Arbri dhe Ervini,
3. Laerti, Andi, dhe Olta,
4. Eliza, Eltoni dhe Aldo.
5. I gjithë fisi i Mjaftit, bijve të Sorosit, të gjakut të Jakobit, të linjës së Lalit, megjithë sojin, sorollopin, shoqninë, dashnoret, stazhierët dhe burrat e tyre arrinte rreth tridhjetë shpirt. Kur Fatosi i Thanasit la udhëheqjen e Partisë, ai mori me vete shumë nga vëllezërit e tij nga mbarë ajo brezni.
6. Bijtë e Mjaftit qenë frytdhënës. Ata grabitën me zell projektet e asistencës së huaj, u rritën, u shtuan, u shumuan, u forcuan së tepërmi dhe e mbushën dheun.
7. Ndërkaq në Shqipëri nisi të ngrihej Piktori i Madh, që do të bëhej faraoni i Shqiptarëve. Ky i tha popullit të vet: “O pasardhës të Partisë dhe luftëtarë të malokëve, ju u shumuat së tepërmi dhe u bëtë të fuqishëm por ju duhet një prijës. Të jem, pra unë ai që do t’ju udhëheq si lider global! Të jeni ju, ata që do më kini mua udhëheqësin tuaj që njësoj si patriarku Alfred Moisiu të dalë nga errësira e pensionit të parakohshëm në dritën e Presidencës së Premtuar”.
8. Dhe kështu ndodhi! Ed Ramsesi u bë faraoni i parë i Tiranës. Në vitin e parë ai shembi kioskat, dhe leu muret.
9. Në vitin e dytë ai bëri një videoklip dhe i ra me sëpatë një shtylle.
10. Në vitin e tretë mbolli gjithë Tiranën me beton nga Betlehemi në Hebron.
11. Në vitin e katërt shkroi fjalimet e At Like Metusalemit, Kryerabin i Integrimit.
12. Në vitin e parë të mandatit të dytë, ai pushoi, pastaj një të dielë krijoi Mjaftin, ngase pa që nuk ishte lodhur shumë.
Pastaj Faraon Ramsesi i Tiranës thirri mamitë e qyetit.
13. Dhe i urdhëroi: “Më sillni këtu bijtë e Mjaftit të stërviten në arenën e gladiatorëve në debatet e SOROS sipas formatit Karl Poper”!
14. Mamitë i sollën më të dalluarit dhe shtuan: “Mbreti ynë, njëri prej tyre është më i dashuri për ne!” Dhe ai u tha: “Cili është ai?”
15. Ata i treguan me gisht një djalë me fik në dorë.
16. Ramsesi bekoi mamitë dhe nisi ti rriste me duart e tij levitët e rinj. Dera e Mjaftit nisi të forcohej përditë ndërsa faraoni u mësoi se si ta mbushin shtëpinë me trashëgimtarë, familjarë, media dhe oborrtarë.
17. Pas një kohe të gjatë, Fatosi biri i Thanasit, mërgoi në gadishullin Sinai ku u end nëpër buzuqe nën peshën dhe dënimin e pasurisë së madhe që kishte marrë gjatë mandatit të parë të gruas së dytë.
18. Atëherë faraonit Ramses të Tiranës iu kujtua besëlidhja që e lidhi me Atin Soros, premtimi që i pat bërë djalit me fik në dorë si dhe diskutimet me Endrin e vogël.
19. Ai u dëftoi atyre çdo duhet të bëjnë “ Pashë urinë në sytë tuaj dhe e dëgjova klithjen tuaj për ndihmë për shkak të pashpirtësisë së mbikëqyrësve tuaj”.
20. “Dhe, duke u njohur epshet tuaja, vendosa t’i futem çlirimit të kësaj shoqërie nga duart e padijes, ta nxjerr nga kjo kotësi ku ndodhet dhe ta çoj në një vend të mirë e të gjerë, në dheun ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, në dheun e Rilindjes, artit kontemporan, kërpudhave gjigande, markive vezulluese, instalacioneve, progresit, bunkartit dhe mirëqenies.”
21. Kështu, pra, klithma e Ramsesit arriti në veshët e djalit me fik në dorë i cili u ngrit si pizgë dhe tha: “Qofsh ti pagëzori im”! Dhe faraoni tha: ”Unë qofsha o Mesia ynë!” dhe në byth u ul dhe dorën ia puthi atij.
22. Eri i Fikut i tha Ramsesit: “Merr ti për këshillues njeriun e mirë Endri gazmorin”. Dhe ashtu u bë.
23. Jepua Mjaftin rioshave premtues Leart dhe And të tokës së Kanaanit, jepu atyre liri të të kritikojnë! Dhe ashtu u bë.
24. Merre Oltën e kaçurreleve të arta dhe Elizën e Spiros së Palajve me vete! Dhe ashtu u bë.
25. Lërmë mua të krijojë partinë time dhe në PS! Më lër Arbrin dhe Ervinin! Dhe ashtu u bë.
26. Jepmë mua Ajolën si bashkëshorte dhe mbretereshën e Më të Mirës së Botëve. Dhe ashtu u bë.
27. Pastaj Lali Eri i Fikut iu drejtua rishtarëve të tij flokëgjatë: “Bij, bekoni në emrin tim këdo që hyn në shtëpinë tonë! Kujdesuni të më adhuroni në ditët e shënuara, në më të mirën e botëve unë do jem mbreti juaj!”.
28. Ai i tha Ramsesit: “O Ed, populli i bijve të malokëve është më i shumtë dhe më i fortë se ne.”
29. Të përdorim, pra, dinakëri ndaj tyre, me qëllim që të mos shumëzohen dhe, në rast lufte të mos bashkohen me armiqtë tanë dhe të luftojnë në rrjetet sociale kundër nesh, dhe pastaj të mos largohen nga vendi”. Dhe kështu i punësuan të gjithë si skllevër nëpër call-centres.
30. Por sa më tepër i shtypnin, aq më shumë shtoheshin dhe përhapeshin ata nëpër Facebook; andaj Bijtë e Mjaftit nisën të kenë frikë nga populli i Mziut.
(Eksodi vazhdon)