Në lule të rinisë Sot, më 28 tetor, u mbajt në Tiranë një konferencë, organizuar nga Instituti Adenhauer e disa OJQ shqiptare mbi temën “Hapja e dosjeve të komunizmit”. Pa dyshim një inisiativë për tu lavdëuar e për tu mbështetur. Binte në sy pjesmarrja: shumë shoqata të ish të persekutuarve të regjimit komunist, dy ambasadorë, iniciatorë të eventit, e dy politikanë gati periferikë në vendimarrje. Ndërsa ndiqja me vëmendje diskutimet, në të shumtën e rasteve jashtë realitetit shqiptar, reflektoja mbi raportin midis temës dhe pjesmarrësve… mes këtyre te fundit kishte disa në moshë të thyer.
Dy prej tyre morën fjalën. Vura re, jo pa një farë subjektivizmi, qartësi mendimi e dëshirë për të zbuluar të vërtetën mbi krimet e komunizmit, në diskutimet e tyre. Në gjithçka thanë kishin një dëshirë e qëllim të vetëm: Shqipëria meriton drejtësi, meriton te jetë e lirë nga e keqja, demokratike si edhe me një të ardhme të mirë për brezat që do vijnë. Krejt rastësisht mësova që të dy kishin qenë në rininë e tyre, gati adoleshencë, pjestarë të rinisë së Ballit Kombëtar.
Qe gati automatik spostimi i mendimeve mbi argumentin e para disa ditëve. Dekorimi i bërë nga Presidenti i të pushkatuarve të kësaj organizate në Golem të Lushnjës, nga anëtarë të brigadës së parë të drejtuar nga Mehmet Shehu e Dushan Mugosha. Furtuna mediatike qe e madhe. Disa historianë në zë të ish sistemit komunist e shumë të sotëm edhe në këto vite trazicioni demokratik, u lëshuan me gjithë arsenalin, të themi profesional, në kundërshtim e shpesh në fyerje, të figurës së presidentit dhe jo vetëm të tij. Bëhët fjalë për 67 të vrarë, të kapur rob e të masakruar, sipas gjithë dokumenteve, pa gjyq. Historianët e ndonjë politikan nuk u mjaftuan me kaq. Mbërritën deri aty, sa në kundërshtim me mentorin e tyre, diktatorin Hoxha, të ngrinin lart figurën e ish komandantit të brigadës së I, më vonë kryeministër i Shqipërisë komuniste për 35 vjet, Mehmet Shehut.
Nuk do të hyja në detajet historike të luftës kundër pushtuesit e asaj vllavrasësë që u zhvillua në Shqipërinë e viteve 41 – 44, por më bën përshtypje një detaj: Masakra është kryer në tetor të vitit 43. Në marrëveshjen e Mukjes, dy muaj më parë, ishte vendosur e firmosur të luftohej pushtuesi bashkarisht, si nga nacionalistët ashtu edhe nga të majtët. Me sa di, në tetor nuk kish më italianë në Shqipëri. Për çfarë arsye u masakruan 67 vetë pa gjyqe e, për më shumë, të dorëzuar tek forcat partizane!?
Ekzistojnë Konventa që ndalojnë vrasjen pa gjyq të robërve të luftës. Gjithmonë, kam imagjinuar robërit e një lufte si kundërshtarët armiq, pushtues të huaj të një vendi. Ky rast ishte unikal. Shqiptarë, të proklamuar që do të luftonin pushtuesin, vrisnin të tjerë shqiptarë, me të cilët së bashku, sapo kishin marrë të njëjtin vendim: të luftonin për çlirimin e vendit. Gjithshka duket absurde deri dhe vetë lufta.
M’u desh të sillja në mendje episode të tjera të kësaj lufte. Pothuajse me të njëjtën “procedurë barbare”, ish kryeministri, komandantë të forcave NÇ, kanë kryer krime të ngjashme në jug e veri të vendit. Vrasje masive, pa gjyq, të robërve, kryesisht bashkombas. Mendja lëviz me shpejtësi për të kuptuar arsyen e këtyre krimeve. Të qe veç natyra kriminele e personave që urdhëruan vrasjet? Të qe lufta që në vetvete sjell veç shkaterrim, jo vetëm material po edhe të vetë njeriut, edhe kur ky mendon se është në anën e duhur të barrikadës? Të qe kundërpërgjigjja kaq e ashpër e mizore e kundërshtarit gjatë luftës? Apo, ideologjia e cila frymëzonte, nxirrte nga brendësia e shpirtit njerëzor, pjesën më të keqe?
Mendimet erdhën të shpejta. Të vrasësh dikë duhet pa dyshim të kesh një karakter të caktuar si edhe një motiv personal. Të vrasësh një grup të madh, shpesh me dorën tënde, pa dyshim që duhet të kesh një shtysë kriminale të brendshme. Lufta, me ashpërsinë e vet, përkeqson – besoj – karakterin njerëzor por, kam lexuar e dëgjuar shembuj trimërie, bujarie e shpirti të lartë po aq sa kam lexuar e dëgjuar për të kundërtën.
Të qe ideologjia komuniste që lëvizte shpirtin e dorën në kryerjen e këtij krimi!? Duke konsideruar numrin e lartë, natyrën masive, kryerjen krimeve të frymëzuara e të ekzekutuara nga kjo ideologji kryesisht në kohë paqeje, kudo në botë ku u vendos e vendosi, pyetja filloj të marrë një përgjigje. Tek ne, kjo ideologji projektoi, në kohë paqeje, krime nga më mizoret, masive e individuale. Krijoi përbindësha nga më mostruozët individualisht ose në cilësi entitesh institucionale, tjetërsoi në rrënjë gjithçka humane kishte ngelur në njerëz ose tentoi t’a bënte.
Pa dyshim ajo është gërrmuesja e shpirtrave të zinj që gëlojnë në substraktin e vendeve ku dominoi. I bën të ndihen të pushtetshëm. Motivon e justifikon sadizmin e tyre e, nëpërmjet tyre, sundon. Nuk gjej asnjë shpjegim tjetër bindës veç këtij për të kuptuar dëshirën për gjak në masakrën e Golemit. Të njëjtën dëshirë për të justifikuar krimin e shoh edhe tek moria e kundërshtarëve historianë a politikan të këtij dekorimi: “njeriu i ri”, krijesa të asaj ideologjie.
Për një çast u përmenda. Një nga personat në panel, ndoshta duke dashur të rregullonte zërin në mikrofon, më tërhoqi vemendjen me frazën e stërpërsëritur: “sigurimi i shtetit…”. Gjendesha në një konferencë ku flitej për dosjet e sigurimit e për krimet e kryera prej tij por, kisha më se të qartë fienezën e së keqes. Për mendimin tim, është dikotomizuar në dy entitete: njëri i organizuar e tjetri personal: Partia komuniste dhe Enver Hoxha. I ktheja e i riktheja e më dukej se njëra kish pjellur tjetrin dhe ansjelltas. Kishte e ka pak rëndësi për mua dënimi apo hapja e dosjeve. Nëse do vazhdojmë të mos dënojmë nënën e së keqes, ideologjinë komuniste e pjellën e saj, PPSH-në dhe Enver Hoxhën, gjithçka do ngelet e paprekur në trupin tonë si komb, i drobitur nga e keqja.
Burrat e moshuar kishin përfunduar ligjëratën e tyre. I shihja nga pas. Të plakur e të thinjur, vite të tëra mbi supe vuajtjeje. E në çast mu shfaqen dy imazhe: Një foto e parë, nuk di se ku, në një portal, të dy kamionçinave plot me djem me kësulë të bardhë me shkabën e flamurit të qendisur e me armë në dorë. Shkonin për të luftuar në Kosovë, për të mbrojtur tokë shqiptare. Të rinj të tjerë, diku me yll pesë cepash në ballë e diku pa të, me armë në sup e të buzëqeshur si të parët. Nuk mund të mos mendoja në çast që, shumë prej tyre kishin humbur jetën duke luftuar për çlirimin e vendit. Mu rrënqeth mishi.
Ndërsa të mbijetuarit e luftës nga njëra anë i shihja të drobitur e me vite burgjesh e privacionesh aty… të tjerët nuk ishin në atë sallë. Shumë prej tyre ndoshta janë krenarë për luftën kundër armikut pushtues, të tjerë të penduar për vrasjet mes vëllezërve të një gjaku, të tjerë akoma të zhbërë nga ideologjia që i pat frymëzuar, numërojnë të entuziasmuar medaljet e marra për vrasjen e bashkombasve… të gjitha palët – atëherë – në lule të rinisë.