Tre vjet më parë Edi Rama ulërinte në terma apokaliptikë kundër ligjit të plehrave, duke e konsideruar miratimin e tij si punë të mafias, e duke u zotuar se ky ligj nuk do të kalojë kurrë. Tre vjet më pas, kalimi në një pozicion krejt të kundërt ka shastisur mbarë opinionin, ku shumë njerëz kanë mbetur të shtangur nga lehtësia me të cilën njeriu mund ta kthejë pllakën. Ndryshimi i qendrimit është kaq flagrant sa nuk ka sofizëm që mund t’i vijë në ndihmë. Do të duhej një akrobaci e jashtëzakonshme logjike për të kaluar ylberin ndërsa kërkon të bindë të gjithë se ka mbetur në të njëjtat qendrime.
Dhe si gjithmonë, në ndihmë për truke të tilla vjen retorika. Duke demonstruar një sparkatë logjike, qeveria u rrek të na mbushë mendjen se asgjë nuk ka ndryshuar në qendrimin e saj dhe se ajo vazhdon të jetë kundër importit të plehrave, por ama jo kundër importit të mbetjeve. Për ditë me rradhë, Rama dhe një sërë deputetësh rreth tij, na ofruan një performancë argëtuese diskutimesh gjuhësore, sipas të cilave plehrat dhe mbetjet nuk qenkeshin e njëjta gjë. Kjo është vetëm një përpjekje e dëshpëruar për të luajtur bllofin, duke krijuar idenë se problemi është shumë i hollë nga ç’paraqitet prej “sharlatanëve” që gënjejnë turmat duke i frikësuar për rreziqe të kota.
Politika si art i fjalës
Ky në fakt ka qenë gjithmonë mjeti i Ramës për t’ia hedhur lumit dhe tregon për mënyrën e tij të qeverisjes. Motoja e kësaj politike është: Realiteti mundet me fjalë. Prodho fjalë, artikuloji ato në mënyrë të organizuar mirë estetikisht, ripërsëriti pa fund dhe… suksesi është i garantuar! Në fakt ky ka qenë vazhdimisht mjeti i vetëm i të bërit politikë për të.
Që në krye të herës ai u bë objekt vëmendjeje si ministër kulture nëpërmjet një projekti restaurimi godinash, të cilin e markoi nën siglën “Kthim në identitet”. Një projekt banal, rutinor për çdo zyrë bashkie, kthehet në spektakël nëpërmjet mekanizmave marketizues, si reklamat, promovimi, siglimi në terma të mëdha si identiteti etj. E njëjta gjë ka vazhduar gjatë mandatit të parë si kryebashkiak, me krijimin e profilit të njeriut punëtor nëpërmjet parrullës “punë, punë dhe vetëm punë”, ku të mbash gjithë ditën fjalime për punën do të krijosh patjetër përshtypjen e njeriut të palodhur. Krijimi i profilit të politikanit artist, është gjithashtu një përpjekje fantastike për të veshur me ambalazh vezullues boshllëkun e politikës reale, duke i dhënë një dimension mistik, aksionit politik të munguar, ndërsa vetë metafora e “rilindjes”, është gjithashtu një mjet mistifikues për t’i dhënë projektit të tij të që nuk ekziston vlera kombëtare mesianike.
Fjala është përherë streha më e mirë e dështakëve. Dështimet e tyre mundohen ti mbushin me retorikë, duke i paraqitur si sukses. Kjo mund të funksionojë jo pak në shoqëritë e sotme të hipermediatizuara, ku e vërteta ekziston vetëm në ekran, dhe ku, nëse një e vërtetë nuk ekspozohet, nuk ekziston.
Lufta për fjalët
Fjala në fakt ka aftësinë të prodhojë perceptime dhe bindje. Madje perceptimet tona për realitetin nuk janë gjë tjetër vetëm se konstruksione që prodhohen nga tërësia e ligjërimeve me të cilat hyjmë në komunikim. Shumë autorë të shkencave shoqërore, sidomos mendimtarë të tillë si Foucault, Derrida, Lyotard, apo Baudrillard kanë treguar sesi gjuha modifikon, shpesh edhe e asgjëson realitetin e vërtetë. Nga ky këndvështrim, këta autorë e shohin të folurit si një marrëdhënie apo edhe betejë, ku komunikuesit negociojnë ose imponojnë kuptimet e tyre mbi fjalët.
Që në lashtësi Konfuci pohonte se duhet të biem dakort për fjalët që të shmangim luftërat. Sokrati gjithashtu e shihte problemin e të vërtetës si keqkuptim mbi fjalët, ndërsa sugjeron që zgjidhja e problemeve të fillojë nga përkufizimet që përdorim për konceptet tona. Ndryshe prej tij, sofistët i shihnin fjalet si mjete të paafta për të na përcjellë të vërtetën, por të përkryera për të manipuluar turmat. Ata madje hapën shkolla ku u mësonin politikanëve artin e retorikës, që për ta ishte aftësia për të qenë bindës në pavarësi nga e vërteta.
Në fakt, për shumë autorë bashkohorë vetë të rënit dakort për fjalët perceptohet si akti më i rëndësishëm i luftës. Ai që zotëron mundësitë për të imponuar kuptime mbi termat, arrin të sundojë mendjet e njerëzve dhe të orientojë bindjet e tyre. Ideologjitë që na ngopin me projekte e programe për të rregulluar botën, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se e konstruktojnë përfytyrimin tonë mbi realitetin mbi bazë të disa pohimeve themelore të thjeshtëzuara, rrotull të cilëve prodhohet i gjithë mekanizmi retorik që na ndihmonë për të fjetur mendjen se e kemi rrokur të vërtetën mbi gjithëçka që na rrethon.
Plehrat janë flori
Qeverisja e Ramës mbështetet mbi dy armë të vetme: fjala dhe imazhi. Nëpërmjet tyre ai kërkon të mbijetojë, jo duke bërë politikë, por duke krijuar perceptimin publik që dëshiron. Një model i tillë është ai i një politike të retorikës, një vulgarizim i sofizmit të mediatizuar, i thjeshtëzuar për një publik që nuk mendon e që gënjehet kollaj, përveç se korruptohet me fare pak. Rama nuk bën asgjë që nuk duket e nuk bie në sy. Qeverisja e tij është e përqendruar tek spektakli dhe jo tek puna dhe ka si instrument bazë komunikimin, qoftë ky verbal apo vizual. Fjalët dhe pamjet janë mjetet që mbushin gjithmonë mungesën e veprimit.
Në fillim ishte fjala, thotë Bibla. Dhe rilindja ka arritur të rrokë magjinë e fjalës. Ajo e përdor atë si gjenerator të realitetit virtual që kërkon të imponojë duke asgjësuar të vërtetën reale. Nëpërmjet këtij instrumenti rilindja arrin të na i shndërrojë ditët tona të zeza në netë të bardha. Njësoj si në mrekullitë e Ungjillit, fjala bëhet mish dhe madje edhe peshk, ndërsa uji verë. E kështu populli mund të ngopet e të dehet i kënaqur në gostinë virtuale të qeverisë.
Kjo është mrekullia e rilindjes. Plehrat bëhen mbetje, mbetjet shndërrohen në lëndë të parë për industrinë e ëndërrave ambientaliste të Kryeministrit, e më pas riciklohen për t’u përdorur si mall me vlerë në bursën e petullave me ujë të imagjinatës së tij, të cilat mund ta ngopin plotësisht këtë popull barkbosh. Në teorinë ekonomike të rilindjes plehrat janë flori. Guri filozofik i Kryeministrit ka aftësinë ti shndërrojë ato në ar të zi apo të kaftë, i cili do të mund të vërë në qarkullim makinën imagjinare të pastrimit të Shqipërisë, jo vetëm pa kosto, por edhe me fitim.