Distanca prej 25 vitesh nga rënia e regjimit komunist, ka bërë që kujtesa jonë të venitet nga tmerri i asaj epoke. E mbushur me hallet e përdistshme, jeta shqiptarëve nuk gjen shumë vend për t’u preokupuar me të shkuarën, ndërsa problemet e shumta që shoqërojnë tranzicionin shqiptar, ka bërë që shumë nostalgjikë të marrin kurajon për të kuruar panoramën e së shkuarës, përballë mllefeve të së tashmes. Këta zëra nuk kanë munguar të ngjiten deri lart në politikë, e madje edhe në katedrat akademike. Gjithnjë e më shumë po shohim ceremonitë zyrtare që lidhen me Luftën Nacional-Çlirimtare, të mbushen me nostalgjikë që ekspozojnë portrete të Enver Hoxhes dhe figurave të tjera të komunizmit, ndërsa kemi parë edhe aktivitete pleqnore nga akademia e Shkencave ku historianë flokëbardhë si Paskal Milo, Kristo Frashëri, Arben Puto, Pëllumb Xhufi e të tjerë, nuk ngurrojnë të bëjnë haptazi apologjinë e regjimit dhe figurave të tij, kinse të nxitur nga nevoja për të treguar objektivitet e për ti parë gjërat “me të mirat dhe të këqijat e tyre”.
Shumë aktorë në debatin publik shprehin vendosmërisht nevojën e një angazhimi për të zbardhur në dimensionet “reale” figurën e diktatorit, ndërkohë që jo pak prej tyre nuk ngurrojnë të shfrytëzojnë diskutimin për rishikimin e historisë, duke e përdorur si klishe, për të kërkuar të njëjtën gjë edhe në trajtimin e figurës së tij. Ata kërkojnë një histori të diktaturës të zhveshur nga vlerësimet morale, duke e ngatërruar mendimin historik nëpër ferrishtet e kalkulimeve relativiste të dëmit dhe dobisë, ku diktatura paraqitet si një produkt historik që nuk mund dhe nuk duhet gjykuar. Këta zëra vijnë natyrisht nga e majta dhe masivisht nga aktorë të lidhur në një mënyrë apo një tjetër me regjimin. Nuk do shumë mend për tu kuptuar se qasjet e tyre janë më tepër përpjekje për të rehabilituar, sa të jetë e mundur, regjimin komunist, e për rrjedhojë edhe trashëgiminë e tij politike e ideologjike, të cilën ata e kanë mbajtur deri më tani si njollë në biografinë e tyre.
Dekonstruksion pa konstrukt
Dikujt mund t’i duket naive të besosh se bëhet fjalë për rehabilitim të figurës së diktatorit, por e vërteta është se një mori gjërash na mbajnë të lidhura fatalisht me atë regjim. Në një masë dërrmuese njerëzit që udhëheqin sot skenën politike, ekonomike, kulturore apo intelektuale janë në një mënyrë apo një tjetër trashëgimtarë të atij regjimi, ose në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke ruajtur ende të njëjtat privilegje të së shkuarës, ose në mënyrë të tërthortë duke përfituar nga privilegjet e dikurshme të prindërve apo lidhjet e tyre të ruajtura edhe pas rënies së regjimit.
Prej këndej, mund të themi se naivitet është pikërisht të besosh se enverizmi është varrosur njëherë e përgjithmonë dhe se ai nuk ka më asnjë ndikim në jetën politike e ideo-kulturore shqiptare, në një kohë kur ky vend trashëgon po ato elita kulturore e politike që i kanë shërbyer makinerisë ideologjike e propagandistike të diktaturës, duke i dhënë formë mendimit dhe vetëdijes shoqërore për vite me radhë. Naivitet është gjithashtu të besosh se zbutja e qëndrimit publik për diktatorin, nuk ka lidhje me nevojën për legjitimitet moral tek ish-shërbëtorët e atij regjimi që sot vijojnë të ruajnë pushtetin e tyre në sferat e kulturës dhe politikës. Naivitet është të besosh se relativizimi i kriminalitetit të xhelatit, nuk ndikon në lehtësimin e përgjegjësisë për ata që konstruktuan dhe mbajtën në efektivitet makinerinë propagandistike dhe mekanizmin ideologjik të regjimit të tij.
Mbrojtësit e këtyre tezave rreken ta paraqesin nevojën për ridimensionimin e diktatorit si një përpjekje për objektivitet dhe realizëm. Ata ftojnë të çlirohemi nga pasioni i gjykimeve morale që, sipas tyre, na pengojnë të jemi të kthjellët dhe të ftohtë në gjykim. Objektivitet për ta do të thotë ti shohësh gjërat në dritë-hijet e tyre duke i vlerësuar njerëzit e rëndësishëm të kombit me të mirat dhe të këqijat e tyre. Interesante është se ata nuk bëjnë të njëjtën gjë kur flasin për figurën e Ahmet Zogut apo për Luftën Nacional-Çlirimtare, e po e njëjta gjë vlen edhe për periudha më të hershme të historisë së Shqipërisë. Në mënyrë të përpiktë papërputhshmëria e standardeve vlerësuese është saktësisht e sinkronizuar, duke shpënë në qëndrime oportuniste në funksion të antagonizmit klasor e ideo-politik. Kjo na bën të kuptojmë se arsyeja përse sot ata e nxijnë kaq fort figurën e Zogut është e njëjtë me arsyen pse ata heshtin për Enver Hoxhën.
Në këtë linjë mendimi ka kategori historianësh dhe intelektualësh që dekonstruksionin e kërkojnë vetëm në çmitizimin e krimeve të komunizmit. Ndërsa bëhen tok për të linçuar çdo historian apo intektual që, duke iu referuar autorëve, postmodernistë si Derrida, Liotar apo Foucault, kërkojnë të vendosin heronjtë e kombit (si, bie fjala, Skënderbeun) në një dritë tjetër analize, përtej iluzioneve ideologjike, ata nuk ngurrojnë të bëhen dekonstruksionistë, pikërisht kur flitet për figurën më famëkeqe të historisë shqiptare, duke pohuar se kemi nevojë të dekonstruktojmë atë që ata e quajnë “mit” i kriminalitetit komunist.
Gjithçka bëhet akoma më absurde kur në fakt, ne akoma nuk e kemi formuar një gjykim të saktë e shterrues mbi krimet e komunizmit dhe rrënimin që ai solli në shoqërinë shqiptare. Në Shqipëri nuk janë dënuar ende me ligj krimet e komunizmit, nuk janë hapur ende dosjet, ende nuk janë pastruar nga pushteti bashkëpunëtorët e regjimit dhe ende nuk janë kompensuar dhe rehabilituar të persekutuarit e tij, ndërkohë kërkohet të zbutet gjykimi ndaj kasapëve që realizuan gjithë këtë mënxyrë. Pra kjo kategori akademikësh kërkon çmitizim aty ku nuk ka ende mit, siç presupozohet të jetë “miti” i kriminalitetit të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij. Ky model çmitizimi është më shumë një barrierë kundra sensibilizimit shoqëror ndaj kësaj problematike dhe ai synon të mbajë të fjetur ndërgjegjen shoqërore.
Interesant është gjithashtu fakti që debati për rolin e Enver Hoxhës zhvillohet pa u zbardhur ende shkencërisht figura e tij. Prej 25 vjetësh mungojnë në mënyrë dramatike studimet e kompletuara shkencore, debatet akademike, konferencat në lidhje me të. Gjithashtu arkivat nuk janë ende në dispozicion të studiuesve dhe për ironi, një biografi e ngritur mbi dokumentacionin e arkivit personal të diktatorit vjen nga pena e një gazetari, jo një studiuesi. Heshtja ka shoqëruar në mënyrë solemne qarqet akademike shqiptare, si efekt i ekuilibrave latentë mes komplekseve mbi të kaluarën dhe presionit të juntës kulturore në pushtet. Enver Hoxha është kështu paradoksalisht figura më e harruar e historiografisë shqiptare. Në këto kushte historianët e oborrit diktatorial kërkojnë sot rishikimin e një historie që nuk është shkruar ende.
Përpjekja për të ridimensionuar figurën e Enver Hoxhës mbështetet mbi disa argumente krejtësisht naive. Intelektualë të shumtë kanë riformuluar në mënyrë të ripërsëritur të njëjtën patericë logjike që priret të relativizojë kriminalitetin e udhëheqjes komuniste dhe regjimit të instaluar prej saj. Sipas tyre, është në dobi të një gjykimi të shëndoshë njohja e të mirave krahas të këqijave të atij sistemi, ndërkohë që duhet vlerësuar doemos qëndresa antifashiste e Partisë Komuniste dhe udhëheqësit të saj gjatë luftës së dytë botërore. Ata ftojnë të ndajmë periudhën e luftës nga regjimi komunist, si dhe, nga ana tjetër të njohim një sërë zhvillimesh të këtij regjimit në planin ekonomik e social, në rindërtimin e vendit, siç është ai i elektrifikimit dhe industrializimit, alfabetizimit apo edhe emancipimit të gruas, barazisë sociale etj.
Përdorimi i luftës antifashiste, si një vlerë që i duhet njohur Enver Hoxhës dhe Partisë Komuniste, është një naivitet logjik që pengon arritjen e një vlerësimi përfundimtar. Pse jo, nëse është kështu, merita për qëndresën e popullit shqiptar ndaj fashizmit i duhet njohur edhe Titos dhe Miladin Popoviçit apo Stefan Mugoshës, si organizatorët e vërtetë i Partisë Komuniste Shqiptare. Vetëm kjo racë intelektualësh mund të arrijë vlerësojë një figurë që kryen disa veprime në shërbim të kombit (edhe këto mjaft të diskutueshme në të vërtetë) në funksion të një projekti kriminal për kombin, i cili u realizua më vonë. Ky distancim i individit nga thelbi i vet, dhe ky copëzim i tij në dy anë të kundërta, përbën një analfabetizëm logjik krejtësisht fëminor. Çdo gjë mund të ketë të mirat dhe të këqijat e veta, por në fund na duhet të dalim në një përfundim, nëse diçka mbetet e mirë apo e keqe në thelbin apo tërësinë e saj. Relativizimi absolut i vlerave sjell mohimin dhe përjashtimin e tyre, duke asgjësuar çdo mundësi vlerësimi. Historia përtej të mirës dhe të keqes shndërrohet në një narrativë pa qëllim e pa funksion.
Kjo logjikë sjell shterpësi analitike, pasi sterilizon mundësitë për të dalë në konkluzione. Me të njëjtën logjikë, mund të themi se edhe Hitleri duhet vlerësuar për pavarësimin e Gjermanisë nga politikat poshtëruese të Anglisë dhe Francës, për rrëzimin e qeverisë së Vajmarit që ishte një kukull në duart e tyre në kurriz të popullit gjerman. Mbi të gjitha, e ashtuquajtura Luftë Nacional-Çlirimtare mbetet një periudhë historike që duhet të ridimensionohet në vlerat reale dhe historisë i mbetet të dëshmojë efektin e vërtetë të Partisë Komuniste në dëm të çështjes kombëtare. Por gjithsesi ky është një tjetër debat. Thelbësore mbetet të pohohet se një objekt historik i diskutueshëm, nuk mund të përdoret si provë e argument për një vlerë historike, edhe sikur logjika e legjitimuesve të komunizmit të jetë e drejtë.
Komisarët e dritës
Po kaq shterp është edhe arsyetimi se regjimi ofroi një sërë kontributesh në rindërtimin e vendit pas luftës. Në këtë pikë analiza mjaftohet duke numëruar “veprat e mëdha” të realizuara nga sistemi komunist, dhe nuk ndalet t’i kontekstualizojë faktet në një plan krahasues me vende të tjera. Pa u ndalur në argumentet që tregojnë se komunizmi thelloi me disa fish varfërinë në vend, duke shkuar deri në kufijtë e mbijetesës, evidentojmë se edhe ato që i njihen si arritje, vlerësohen në mënyrë krejtësisht të dekontekstualizuar dhe, nëse do të bënim një analizë krahasuese do të pohonim se arritjet industrial të sistemit komunist në Shqipëri ishin qesharake përballë atyre të vendeve të tjera të Europës, por gjithashtu shumë larg atyre të vendeve në rajon.
Nëse u ndërtuan disa fabrika dhe ndërmarrje ato rezultuan joefiçente dhe krejtësisht jokonkurruese qoftë edhe në tregun rajonal, ndërkohë që elektrifikimi mbetet një përrallë, në kushtet e mungesës së zhvillimit teknologjik, që krijonte një konsum minimal të energjisë. E destinuar vetëm për ndriçim të banesave dhe tek-tuk ndonjë pajisjeje të lehtë shtëpiake si radio, apo televizori, «drita e partisë» mbetet thjesht një barcaletë bajate pa shije, që thjesht ka rritur disi rrezen e veprimit të qiririt. Edhe sot e kësaj dite shqiptarët vijojnë ta quajnë «drita» shpenzimin për konsumin e energjisë elektrike, sepse, për vite me radhë, energjia elektrike është përdorur thuajse vetëm për ndriçim. Kjo fluskë plasi menjëherë pas vitit 1990, sapo shqiptarët filluan të kenë akses në blerjen e pajisjeve elektroshtëpiake si frigoriferë, lavatriçe, sobë elektrike, reflektorë e kaloriferë ngrohës, kur prodhimi kombëtar i energjisë doli i pamjaftueshëm për të mbuluar as nevojat e ekonomisë shtëpiake. Vlerësimi bëhet akoma edhe më i pavërtetë, nëse krahasojmë prodhimin e energjisë me vende të tjera të rajonit, e të mos i shtojmë kësaj edhe krahasimin e resurseve natyrore dhe përqindjes së shfrytëzimit të tyre.
Ndër të tjera, arsimimi i vendit është një nga arritjet më të mëdha që i faturohen regjimit komunist në Shqipëri. Apologjetët e tij, e paraqesin këtë proces si diçka të nisur nga hiçi dhe harrojnë të tregojnë se arsimimi mori një hov të madh fillimisht gjatë mbretërimit të Mbretit Zog. Por, edhe në këtë pikë, arsimi gjatë regjimit komunist ka qenë një proces që u ngrit në funksion të një mbrapshtie në përmasa të frikshme që ka lënë pasoja të mëdha që i vuajmë ende edhe sot.
Regjimi komunist ngriti një sistem jo arsimdashës, një sistem që mohonte dijen dhe zhvillimet shkencore moderne, që eliminonte shkencat shoqërore nga fokusi i kërkimit dhe mendimit, që injektonte helmin e doktrinës së vet në çdo qelizë të shoqërisë. Arsimi komunist në Shqipëri ishte industria më e madhe në vend, industria e prodhimit të njeriut të ri, qenies me shkollë e pa mend, që i shërbente më së miri instalimit të paditurisë së ngritur në sistem. Nuk ka sesi të dojë arsimin, një regjim që vret e masakron pa shkak inteligjencën e shoqërisë, duke e perceptuar atë si kërcënim për “pushtetin popullor” alfabetik.
Nga njëra anë, diktatura duket se arsimoi popullsinë, duke alfabetizuar shtetasit e saj deri në skaje të largëta të vendit, por nga ana tjetër, ajo pengoi zhvillimin e arsimit në nivelet shkencore, dhunoi dhe përçudnoi mendimin shkencor nëpër standarde ideologjike karikatureske. Në fakt që herët, për të propaganduar marrëzitë e veta, komunizmi ka shfrytëzuar zgjerimin e masës së njerëzve të alfabetizuar, në kushtet e krijimit të shoqërive moderne dhe paditurisë së alfabetizuar që moderniteti e mban në funksionim nëpërmjet ideologjisë. Alfabetizimi masiv shndërrohet kështu në mjetin më efikas për lavazhin e trurit të popullit, në mënyrë që të sundohet më lehtë. Arsimi komunist në Shqipëri ka shërbyer më shumë për deformimin e individit sesa për formimin e tij, ndonëse, patjetër që ka sjellë edhe vlera pozitive, si efekte anësore.
I gjallë në mendjet tona
Përpara se të fillojmë të mendojmë për Enver Hoxhën, duhet fillimisht të ndërgjegjësohemi për enverizmin që vazhdon të jetë brenda nesh. Ai është brenda nesh në mentalitetin dhe mënyrën tonë të menduarit dhe është ende shumë e vështirë për t’u dezinfektuar. Për të rivlerësuar Enver Hoxhën, duhet së pari ta zhbëjmë atë, ta nxjerrim nga vetja. Hapi i parë i çdo ndërmarrjeje studimore është krijimi i distancës së duhur midis objektit nga subjekti. Enverizmi, mbetet ende i gjallë në rrjetën e neuroneve që përcjellin impulset kuptimore të botës shqiptare, ndaj Enver Hoxha nuk mund ta studiohet pa shpëlarë më parë enverizmin.
Si çdo sëmundje nervore, enverizmi ka edhe një problem themelor: pavetëdijen e të sëmurit për sëmundjen. Inteligjenca shqiptare, e formuar në një mjedis ideo-kulturor të ngarkuar ekstremisht me flukse të tilla ideologjike, edhe sikur të gjejë kurajën morale për të pranuar fajet e veta, e ka të pamundur biologjikisht të çlirohet nga rrjeta konceptuale ku është ushqyer prej së vogli. Për këtë arsye, jo pa cinizëm na duhet të pranojmë se më mirë që figura e Enver Hoxhës është lënë në heshtje. Subjekti njohës, nuk është ende gati për të zbardhur babanë e vet, ashtu siç nuk është gati për të zbardhur shumë gjëra nga historia shqiptare.
Që ky proces të vihet në funksionim, duhet fillimisht që Enver Hoxha të formulohet si objekt studimor, përtej fijeve të pafundme që na lidhin fuqishëm me të, qoftë nëpërmjet përfitimeve personale që një pjesë e elitës shqiptare trashëgon prej tij, qoftë nëpërmjet përshkallëzimit të efekteve politike që ende gjallojnë në Shqipëri. Për të njohur Enver Hoxhën, duhet fillimisht të demontojmë enverizmin nga botëkuptimet e elitave intelektuale. Zhvendosja e tij përtej subjektit njohës dhe projektimi i tij si një objekt i njohshëm në mënyrë të pavarur, është ndoshta ndërmarrja më e vështirë për mendimin shqiptar.