Vetëm pas përfundimit të suksesshëm të ndonjë ndeshje futbolli të kombëtares, tek shumë kokëshkretë shndërrin e feks kandili i gjymtuar i nacionalizmit. Në këto raste nuk gjenden mjete dhe ide të mesme. Nacionalizmi shkon e shndërrohet në ultranacionalizëm deri në thirrje me gulç, për Shqipëri etnike.
E vërteta është se ne jemi nje komb i djegur për liri. Emocionet tona i ndez ai topi i vogël që rrokulliset sa tek njëra këmbë tek tjetra dhe me aftësi e shumë fat, mbërrin të preki rrjetën. Sporti i jep mundësinë të voglit të ndihet i madh për 90 minuta dhe kjo është një ndjenjë që e kapërcen në vlerë me mijëra herë çmimin e biletës.
E vërteta është se ne jemi një komb i shkrumbuar nga dëshira e madhe për tu ndjerë mirë me atë çfarë jemi e çfarë përfaqësojmë. Ndaj dhe britma e parapëlqyer nëpër stadiume thotë saktësisht “Oh sa mirë me qenë shqiptar!”.
Të gjithë e dinë shumë mirë se sa mirë dhe jo mirë është të jesh shqiptar. Po të bësh një sondazh të të pranishmëve në stadium ku valon festa, të gjithë do të thonë se është një mrekulli të jesh shqiptar. Ndërsa po të zhvillosh një sondazh në rrugë, në një ditë të zakonshme, në të njëjtën mënyrë, do të përgjigjen ndoshta dhjetë në 1mijë veta të pyetur. Këta të dhjetë, janë pjesë e gëlqeres së pashuar që po gërryen 990 të tjerët dhe jo vetëm.
Sot pozitivisht do t’i përgjigjeshin kësaj pyetje, në renditje për nga rëndësia sociale, politikanët, biznesmenët dhe kriminelët. Ata ndihen vërtet mirë që janë shqipëtarë sepse Shqipëria është sheshi më i përshtatshëm për të bërë një përshesh të mrekullueshëm dhe i gjithi vetëm në dispozicion të kategorisë në fjalë e të askujt tjetër. Kjo kategori, pra bashkësia politikanë, biznesmenë dhe kriminelë e kanë aq për krenari veprimtarinë e tyre sa nuk mungojnë të mburren për bëmat e vetes e të shokut si vetja. Ndjejnë thuajse një hipereksitim lemerisht të papërmbajtshëm, kur i konkludojnë me sukses veprat e tyre mënxyra në kurriz të popullit të thjeshtë të papërkrahur. Ky i fundit bie kurdoherë viktike dhe fle i dorëzuar, duke ëndërruar se si të bëhet politikan, biznesmen apo kriminel.
Shumkush mund të thotë, unë jam politikan apo biznesmen i ndershëm, paguaj taksat, zbatoj ligjin e nuk bëj asnjë shkelje. Vetë fakti që një sipërmarrës i paguan punëtorit të zakonshëm thjesht dhe vetëm minimumin jetik, në ekonomine e sotme të tregut, duhet të përbente krim. Fakti tjetër që kjo gjë nuk përbën krim, është përgjegjësi dhe bashkfajësi e politikbërësve. Jemi një popull në mes të Europës e ushqehemi si të ishim në fund të Afrikës. Ushqehemi… jo më të tjerat! Përpos kësaj politikanë dhe biznesmenë të kalibrit “të ndërshëm”, nuk gjenden edhe sikur t’i kërkosh me pishtar.
E njëjta gjë vlen edhe për shtetin e dytë me shqipëtarë, në Ballkan, të cilin e konsumon dita-ditës korrupsioni dhe papunësia. Por mbi të tjera e tkurr pamundësia për t’i dalë zotë vetës, saktësisht siç ndodh edhe në anën e këtejme të kufirit.
Jemi një komb i shkrumbuar nga dashakeqët që na rrethojnë gjeografikisht dhe nga “dashamirët” mes nesh, që na sjellin në prag të së keqes. Në rastin e parë, dimë të reagojmë sepse dallimin e bëjmë nga gjuha, zakonet e traditat. Por në rastin e dytë… kur flasim të njëjtën gjuhë e kemi të njëjtat zakone?! …Përpos zakonit të abuzimit me vjedhje e keqbërie, që nuk e kemi të gjithë. Si i bëhet?! Siç thotë me plotë të drejtë një ambasador që ka lënë gjurmë në këtë vend : “E marrim për flori safi, ç’do gërmë që nxjerrin nga goja përfaqësues të superfuqive të huaja.” Kjo ndoshta sepse burrat e gratë që na përfaqësojnë, nuk kanë atë që në shqip i themi burrni.
E ne ç’bëjmë? Bëjmë vetëm atë që na lejohet të bëjmë. Tifozllëk, në stadium, tifozllëk në televizor, tifozllëk për partinë, tifozllëk për individin… Vendosim me votën tonë të sjellim në fuqi një forcë politike e më pas është në dorën e saj pushtetizimi i gjithsekujt që mund t’i vijë për mbare “asaj” force. Sprovojmë me pushtet burrat që na duken më të mirët e të mirëve dhe zhgënjehemi nga dekadat që lëmë pas bashkë me jetën.
Ndikimi i abuzimit si pjesë e pushtetit të fituar me poaq abuzim, është bërë pjesë e mendësisë së përgjithshme kolektive. Tashmë politikanët, biznesmenët dhe hajdutët, janë ata që gëzojnë epitetin “të shkathët”, “të zotë”, “të kapur”. Sensi i drejtësisë po zhbëhet dita-ditës me shtimin e admiruesve dhe ndjekësve të atyre që e kanë vendin në koshin e mbeturinave historike.
Mik i dashur, ai që të ha edhe bukën e gojës, nuk është i shkathët. Është thjesht një abuzues dhe fakti që ti, unë, apo kushdo, nuk ka fuqi mbi të, është përgjegjësi e dikujt tjetër më lart. E nëse ky dikush atje lartë nuk i përmbahet detyrave të tija, sepse është i mbingarkuar me detyra të tjera, atëherë ç’ështja bie, ose duhet të bjerë në dorë të popullit. Por populli tashmë është duke bërë llotarinë amerikane, është duke kërkuar azil në Gjermani e Belgjikë, aplikon për pashaportë angleze, zviceriane, italiane, greke etj.
Eja mblidhuni këtu këtu, tingëllon, bukur, fortë, burrërisht, por mesazhi i madh, shndërrohet në subliminal, me vlerë vetëm nëpër stadiume. Atje ku Shqipëria Etnike ka mbetur si një emër i vetmuar në gojët dhe parullat e fukarenjve, që në jetët e tyre të përditshme flasin sa anglisht, italisht e greqisht, sa frëngjisht, spanjisht e turqisht. Në bredi të vetes ata brohorasin “Oh sa mirë me qenë shqiptar me pashaportë british, gjermane, zviceriane, italiane, greke, belge, frënge… ohee oheee!”
Kjo sepse shqiptarët dhe shqipëria kanë dalë haptazi kundër njëri-tjetrit.