Nicholas Kristof
The New York Times
Në vitet 1830, bota e civilizuar nisi të mbyllte burgjet e debitorëve, duke i pranuar si barbare dhe budallallëk, sepse mënyra e vetme që garanton që qytetarët të mos shlyejnë borxhet është burgosja e tyre.
Në shekullin e 21, SHBA ka rikthyer një sistem të gjerë burgjesh për debitorët, për pasojë duke e klasifikuar krim të jesh i varfër.
Nëse nuk më besoni, ejani me mua në burgun lokal në Tusla [Oklahoma]. Ditën e vizitës sime, 23 persona u burgosën sepse nuk kishin paguar gjoba dhe fatura shtetërore, përfshi një grua që ishte burgosur sepse nuk mund të paguante një gjobë për mungesën e targës së makinës.
Qëndrova në qeli me Rosalind Hall, 53, një grua e dashur, e shtruar, e thinjur, që kishte vuajtur gati 18 muaj burg, me periudha të shkurtra, thjesht se nuk kishte paguar disa fatura dhe gjoba lidhur me krime të vogla (për të cilat ajo kishte vuajtur burg, veç burgut të gjobave). Hall ka vuajtur për tre dekada me sëmundje mendore dhe varësi ndaj drogës dhe ka një histori të gjatë vjedhjeje nëpër dyqane për të siguruar lekët e drogës, por jo rekord dhune.
Sytë iu mbushën me lot ndërsa më tregonte që po përpiqej të ndryshonte drejtimin e jetës, duke mos vjedhur më e duke qëndruar larg drogës – por gjobat e faturat e saj rriten gjithnjë dhe tani kanë arritur vlerën e përgjithshme 11 258 dollarë. Me depresion dhe çrregullim bipolar, ajo i kishte të pakta shpresat për të gjetur një punë të rregullt, kështu që ajo arrestohet rregullisht sepse nuk arrin të paguajë.
Kësaj here, ajo kishte kaluar 10 ditë në burg sepse nuk kishte shlyer ende pesë çeqe të këqija që ajo kishte mbushur tetë vite më parë për një dyqan perimesh. Çeqet e këqija arrinin një shumë rreth 100 dollarë, por duke shtuar gjobat ajo kishte ende pa shlyer 1200 dollarë – dhe kjo ndodhte pasi gjatë tetë vjetëve kishte kryer pagesa.
“Unë s‘kam para ta shlyej, si mundem ta shlyej?”, – më pyeti Hall, ndërsa qëndronim në dhomën e vizitave në burg. “Nuk mundem.”
Hall jeton me triska, rroba të përdorura që i japin kishat, zemërgjerësia e një mikeshe për t’i ofruar një dhomë, dhe 50 dollarë në muaj që i fiton duke pastruar shtëpinë e një gruaje. 40 dollarë ajo i përdor të shlyejë gjobat, dhe 10 dollarë në muaj i mbeten për vete dhe qenin e saj të dashur (për të cilin kujdeset fqinja e saj gjatë kohës që ajo është në burg për borxhet).
“Është 100 për qind e vërtetë që ne kemi të burgosur për borxhe në 2016-ën”, thotë Jill Webb, një avokat kryesisht [paguhet nga shteti, mbron të varfrit]. “E vetmja arsye përse këta njerëz janë në burg është sepse nuk munden të paguajnë gjobat. Jo vetëm kaq, ne paguajmë 64 dollarë në ditë t’i mbajmë në burg – jo për atë që kanë bërë, por sepse janë të varfër.”
Kjo është po aq e parsyeshme sa ishte në vitet 1830, dhe është një sistem që shtrihet në gjithë vendin. Gjatë 25 vjetëve të fundit, ndërsa burgosja nisi të shtrenjtohej gjithnjë e më shumë, autoritetet shtetërore dhe lokale e kaluan barrën e shkelësve të ligjit në gjoba speciale që u shtuan shumë. Këtu në Oklahoma, të burgosurit gjenden këtu për 66 lloj gjobash të ndryshme, nga “gjobë për sigurinë e gjykatës” te “gjoba e sherifit për ndjekjen e një të akuzuari në arrati”, madje dhe një gjobë për një të vobektë se kishte aplikuar për një avokat kryesisht (Nuk tallem: Një person i vobektë është gjobitur se ka kërkuar një avokat kryesisht, dhe nëse nuk e paguan, atëherë për të do të lëshohet një fletarrest).
Edhe prokurori i Qarkut të Tuslas, Stephen Kunzweiler, mendon se këto gjoba janë një mënyrë qesharake për të financuar zyrën e tij. “Ky është një sistem jo funksional,” thotë ai.
Një libër i ri i Alexes Harris nga Universiteti i Uashingtonit thekson se burgjet moderne për debitorët tani ekzistojnë në gjithë Amerikën. Harris shkruan se në Rhode Island në 2007-ën burgoseshin 18 persona në ditë, mesatarisht, sepse nuk kishin paguar gjobat e gjykatës, ndërsa në Ferguson, Missuri, mesatarja e familjeve që u pagua për gjoba në 2012 ishte 272 dollarë, dhe për çdo person të rritur u lëshuan mesatarisht 1.6 fletarreste.
“Të dënuarit e varfër nuk kanë çfarë japin,” thotë Harris, dhe rezultati është një sistem që dënon në mënyrë jo proporcionale të varfrit dhe pakicat, duke i zhytur ata në një borxh prej të cilit nuk dalin dot kurrë.
Gjykata e Supreme ka vendosur që njerëzit duhet të burgosen kur ata nuk pranojnë të paguajnë, jo kur nuk munden, dhe në teori mbron të vobektit. Në praktikë të varfrit burgosen në mënyrë të vazhdueshme. Rruga përpara është që këto gjoba të zvogëlohen, t’u jepet fund kompanive private që mbledhin borxhet duke shtuar dhe pagesën e tyre, dhe të kufizohet borxhi i gjykatës në një përqindje të caktuar të të ardhurave të personit.
Për tani, disa shumat janë tronditëse. Job Fields III më tha se ai ka borxh 70 000 dollarë gjoba. “Duket e pamundur,” tha ai, “por më duhet të mendoj pozitivisht.” Cynthia Odom më tha se ajo ka broxh 170 000 dollarë dhe vazhdimisht vuan për pagimin e faturave të energjisë, të blejë ushqime për dy fëmijët, apo të paguajë borxhin dhe të qëndrojë jashtë burgut.
Kur fëmijët preken kështu, siç ndodh shpesh, sistemi i burgosjes së nejçëve për borxhet e gjobave bëhet grotesk dhe kafkesk njëkohësisht.
Amanda Goleman, 29, u rrit në një shtëpi me drogxhinj dhe filloi të merrte drogë në moshën 12 vjeçe, dhe mësimet i la pasi ngeli shtatzënë në klasën e nëntë. Për një kohë, ajo dhe e bija ishin pa shtëpi.
Por Goleman e ndryshuar jetën. Ajo nuk ka pasur shkelje të ligjit për thuajse katër vjet dhe ka tre vjet që ka hequr dorë nga droga. Për vitin e katërt, siç tregoi ajo dhe punëdhënësi i saj, ajo ka mbajtur një punë të qëndrueshme, por ajo ende është nënë e vetme dhe ka vështirësi në pagimin e gjobave të vjetra, ndërsa rrit tre fëmijët e saj, 2, 10 dhe 13 vjeç.
“Ose duhet të ushqej fëmijët, ose të paguaj gjobat,” thotë Goleman, “por nëse nuk i paguaj më vjen fletarresti.” Ajo është arrestuar katër herë dhe është burgosur për pak ditë për shkak të mospagimit të borxheve. Kjo i krijonte probleme me fëmijët dhe punën.
Webb mendon se burgjet moderne për debitorët janë aq të ashpër saqë motivi bazë është stigmatizimi dhe ndëshkimi i të varfërve. “Kjo dëmton familjet e tyre, nuk na bën ne më të sigurt, dhe është me shumë shpenzime,” thotë ai. “Nuk më vjen ndërmend ndonjë arsye tjetër veç armiqësisë ndaj të varfërve.”