Pesëdhjetë vjetë më parë këtë muaj, Mao Ceduni nisi Revolucionin Kulturor të Kinës – një dekadë kaosi, persekutimi, dhe dhune, të ushtruara në emër të ideologjisë dhe interesit të Maos për të zgjeruar pushtetin personal. Megjithatë, në vend të reflektimit mbi trashëgiminë shkatërrimtare të atij episodi, qeveria kineze po kufizon gjithë diskutimin për të, dhe qytetarët kinezë, të fokusuar te pasuria që sollën tre dekada reforma me orientim tregun, janë të kënaqur ta ndjekin. Por në një kohë që presidenti Xi Jinping po kryen spastrime të egra dhe po krijon kultin e tij të personalitetit, fshehja e të shkuarës e ka një çmim.
Në gusht 1966, Mao publikoi Bombardoni Zyrat – Parrulla ime me Shkronja të Mëdha, një dokument që synonte të ndihmonte në pastrimin e Partisë Komuniste Kineze nga “drejtuesit kapitalistë”: presidenti i atëhershëm Liu Shaoki. Në “parrullë”, Mao i bëri thirrje rinisë kineze të “rrëzonte perandorin nga kali” dhe të niste një rebelim të bazës.
Të rinjtë iu përgjigjën me entuziazëm. Grupet paramilitare sturdentore, Garda e Kuqe, mbinë menjëherë në gjithë vendin për të çuar përpara vullnetin e Maos. Brenda 100 ditëve, Mao arriti të spastronte një pjesë të madhe të udhëheqjes së partisë, përfshi Liun dhe Ten Siaopinin.
Por nuk u sulmuan vetëm kundërshtarët politikë të Maos. Vetëm në gusht dhe shtator, Garda e Kuqe vrau më shumë se 1700 persona, ose me rrahje ose vetëvrasje e detyruar, dhe dëboi nga Pekini rreth 100 000 banorë, pasi iu dogjën shtëpitë dhe sendet personale. Arsimtarët ishin objektiv delikat. Në çdo shkollë, gjimnaz ose univeristet që shfaqeshin Gardistët e Kuq, kjo përfundonte me heqjen e mësuesve.
Nuk u desh shumë kohë që Mao t’i kthehej Gardës së Kuqe, duke i quajtur anëtarët e saj si “shërbëtorë” të drejtuesve kapitalistë. Pasi vendosi regjimin ushtarak në gjithë Kinën, Mao e mbushti Gradën e Kuqe me rebelë të rinj proletarë, shpesh duke i përzënë anëtarët fillestarë drejt fshatrave të largëta për “riedukim.”
Për Xi, ngjarjet e Revolucionit Kulturor janë kujtime familjare. Babai i tij, Xi Zhongxun, një zyrtar i lartë partisë komuniste, u largua nga posti, u burgos, dhe në fund u dërgua të punonte në një fabrikë prodhimi traktorësh, ndërsa familja e tij u përhap në fshatra.
Megjithatë, në vend t’i largohet ideologjisë dhe organizatës që shkatërruan familjen dhe vendin e tij, Xi i përqafoi instrumentet e Revolucionit Kulturor si të vetat. Xi duket se ka ruajtur brenda vetes dhe agresivitetin e rinisë së periudhës së Revolucionit Kulturor. Pushteti është fanar ndriçues, dhe ai duket i gatshëm të bëjë gjithçka për ta siguruar. Në këtë përpjekje, ai ka një përparësi të rëndësishme: trashëgiminë e Maos.
Për dekada, Mao promovoi një formë të luftës së klasave në të cilën qytetarët spiunonin njëri-tjetrin, edhe shokët e ngushtë, fqinjët dhe anëtarët e familjes. Pa një vend të sigurt, të gjithë – edhe ata që s’ishin anëtarë të partisë – u bënë shërbëtorë të partisë. Në këtë mjedis frike, me qetësi dhe efikasitet shteti e nënshtroi individualitetin personal.
Egërsia kërkoi të vendoste pushtetin absolut mbi popullsinë, ky është një leksion i Revolucionit Kulturor ndaj të cilit Xi është indiferent. Atij i intereson vetëm pjesa e “pushtetit absolut”. Dhe në përpjekje për ta zotëruar atë, ata që kanë mbetur gjallë nga Revolucioni Kulturor – janë bërë kapitali më i besueshëm i Xi.
Xi e di që ka arritur të forcojë autoritetin e partisë dhe pozicionin e tij si udhëheqës i saj. Ai i ka paraqitur narrativën sikur Kina përballet me një rrezik të madh nga brenda – një kërcënim i ardhur nga drejtues tradhtarë dhe të korruptuar – dhe ka deklaruar që besnikëria ndaj partisë ka rëndësi parësore.
Në Kinë ka vetëm dy lloje njerëzish: Ata që përkrahin partinë dhe ata që nuk e përkrahin. Ashtu si Mao më 1966, Xi beson që pushteti i tij synon t’i bëjë gjithë kinezët – zyrtarët e qeverisë e qytetarët e thjeshtë – besnikë dhe të bindur me çdo mjet të mundshëm. Pushteti bazohet në shtypjen e kundërshtarëve, si fituesi i Çmimit Nobel për Paqen Liu Xiaobo dhe dhjetëra mijëra shkrimtarë e studiues të burgosur.
Por Xi nuk bazohet vetëm te frika për të çimentuar sundimin e tij. Ai përpiqet gjithashtu të fitojë mbështetje popullore me një ideologji të re unifikuese bazuar në të ashtuquajturën Ëndërr Kineze, një set vlerash dhe qëllimesh socialiste për të realizuar “rilindjen e madhe të kombit kinez.” Kjo është e shoqëruar nga një formë galvanizuese e nacionalizmit që e portretizon botën, veçanërisht SHBA, sikur përpiqet ta frenojë nga marrja e vendit që i takon në krye të rendit botëror. Ai ka kultivuar gjithashtu një kult individi të pa parë që nga koha e Maos.
Pesëdhjetë vjet pas Revolucionit Kulturor, krimet dhe mëkatet kanë mbetur të pazbardhura. Përkundrazi, ai përdoret për të justifikuar më shumë shtypje politike dhe sociale. por, pavarësisht përpjekjeve të mëdha të Xi, përpjekjet e tij për siguruar një autoritet në stilin e Maos me gjasë do të kenë një fund krejt të ndryshëm për të, me sundimin e tij ekonomik jo kompetent dhe spastrimet e shtypjen politike gradualisht prodhon më shumë komunistë që do ta kundërshtojnë. Dështimet ekonomike shpërthejnë në trazira politike, Garda e Kuqe e vjetër mund të marrë sërish rolin e saj qendror në Revolucionin Kulturor, e mbështetur nga një brez i ri që nuk e njeh historinë. Kësaj here, “perandori” që ata do të rrëzojnë nga kali do të jetë Xi.