Pas skandalit të përgjimeve të shpërthyer në Ministrinë e Brendshme, ku ajo u kap me presh në duar, me një pajisje përgjimi të futur në Shqipëri në mënyrë të padeklaruar në kundërshtim me ligjin, qeveria u përpoq të përgjigjej duke sajuar një tjetër skandal përgjimesh në drejtim të opozitës. Nëpërmjet disa gazetarëve ajo riktheu në vëmendje një hetim parlamentar të para 5 viteve ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, të kohës së Berishës. Disa portale online, nxituan më pas të bëjnë “zbulimin e madh” të skandalit të vjetër, duke paraqitur foto që, sipas tyre e vërtetojnë implikimin e qeverisë së shkuar në përgjime të paautorizuara. Interesante është se, ashtu si në rastin e Nokës, këto zbulime bëhen sa herë që qeverisë i plas qelbi në dorë. Politika mediatike e saj, mesa duket është: pisllëqet nuk i bëjmë vetëm ne.
Por në të vërtetë, ky rast është një mashtrim i shëmtuar, që mundohet të riciklojë një fiasko të vjetër, të mbyllur dëshpërueshëm nga kjo qeveri pasi nuk i doli asgjë.
Pajisja e vendosur tek Shërbimi Informativ i Ushtrisë ishte një detyrim i ardhur pas antarësimit në NATO të Shqipërisë, e cila ka si qëllim përdorjen vetëm në rastet kur cënohet siguria kombëtare ose siguria e vendeve antare si rrjedhojë e terrorizmit. Në atë kohë PS, me anë të nënkryetarit Ilir Gjoni, e ktheu komisionin e sigurisë në një komision mirfilli hetimor parlamentar. Madje aq shumë u investua Gjoni në këtë çështje sa dështimi apo susksesi do t’i siguronte atij mandantin e ardhshëm për deputet. Pas dështimit, Gjoni nuk u bë më pjesë e grupit parlamentar të PS në zgjdhjet e 2013. Aso kohe në këtë çështje u investua jo pak dhe prokuria, në krye të së cilës ishte Ina Rama, si dhe avokati i popullit Igli Totozani.
Pas fitores në 2013 të 1 milion shuplakave, në këtë çështje u investua personalisht edhe Mimi Kodheli, e cila u vu në këtë dikaster si e besuara e Ramës për të gjetur dosjet e Imamit, të cilit Rama personalisht nuk i falte deklaratat e pas 21 janarit. Për tre vjet rresht, nuk ka ngelur specialist pa vizituar Ministrinë e Mbrojtjes, për të bërë kontrollin e paisjes, që sado tia fshish rekordet le gjurmë në server. Megjithatë nuk u gjet asgjë, as nga specialistët, as nga Ina Rama, as nga Totozani dhe as nga Ilir Gjoni, të cilit kjo çështje i dogji mandatin e shpresuar.
Pas 5 vjetësh, del një portal dhe, i mbështetur në një kakofoni të pakuptimtë dhe nga një sërë portalesh të tjerë (nga ato që bënë edhe Flamur Nokën agjent të UDB-së), nxjerrin ca foto duke na treguar se si na paska përgjuar SHIU, po se kush, si, qysh e tek është përgjuar ska asnjë fjalë. Nga ana tjetër, portali “Skandal.al” hedh aludime se gjurmët janë fshirë, por fotot na paskan mbetur, dhe servir një sërë letrash të cilat mund të jenë edhe manualet e përdorimit të aparaturave të përgjimit. Si dëshmi ky portal tregon një foto ku paraqiten punonjësit e ministrisë duke transportuar pajisjen, e cila, në fakt, nuk na thotë asgjë. Ato foto ka qenë aty që prej fillimit të herës për të dokumentuar aparatin. Pra punonjësit kanë pozuar vetë dhe fotot kanë qenë në dosje kur ajo është marrë në dorëzim ose magazinuar.
Për idiotët e skandaleve duhet sqaruar se ndryshimi me IMSI Catcher në këtë rast është thelbësor. Pajisja e Ministrisë së Mbrojtjes ka hyrë sipas të gjitha rregullave dhe ligjeve të përcaktuara, pra ka kaluar në doganë dhe ka marrë miratimin e prokurorisë, siç ka hyrë dhe paisja e SHISH, apo dhe e vetë prokurorisë fundja. Hajt po e besojmë se IMSI Catcher nuk ka kryër përgjime. Po përse duhet të hynte pa doganë dhe në kundërshtim me ligjin?
Natyrisht një pjesë e madhe e këzaj zhurmënaje, që na servir si zubulim të madh, tre vjet pasi ministrinë e ka marrë Kodheli, shumëfishohet nga individë e gazetarë axhamij, që nuk i kuptojnë dot këto punë.Por është e shëmtuar kur sheh t’i fryjnë kësaj loje portale dhe media që drejtohen nga gazetarë me experience, që i dinë dhe kuptojnë shumë mirë gjërat. Duke pranuar të përdoren në këtë farë feje, ata dëshmojnë vetëm imoralitetin e tyre përballë publikut.