Telashet nuk kanë të sosur për Kryetarin e Bashkisë së Kavajës Elivs apo Ervin Roshi. Fillimisht akuzat e për lidhje me krimin, më pas sëmundja e sklerozës dhe tani duket se ai po vuan nga halucinacionet dhe një krizë e fortë e vetëdijes. Prej kohësh, thuajse të gjithë njerëzit e lidhur me pushtetin në Shqipëri kanë shfaqur shenja skleroze, siç kemi bërë të ditur edhe më parë, por askush nuk duket në një gjendje kaq të rënduar sa Kryetari i Bashkisë së Kavajës. Të afërm të tij kanë treguar për FoxyLady News se ai qendron prej ditësh i mbyllur në zyrë, me perdet ulur ditën dhe dritën fikur gjatë natës, duke folur me vete: Kush jam unë? Kush jam unë?
Më parë Roshi është shprehur se ishte dënuar dikur në një gjykatë në Gjermani, po nuk mbante mend se sa dhe për çfarë. Ditën e djeshme, pas u kishte dërguar një kërkesë autoriteteve gjermane, Roshi mësoi se nuk paska qenë dënuar fare. Kështu gjermanët ia rikthyen kujtesën duke lehtësuar të gjithë opinionin publik dhe sidomos Partinë Socialiste. Ajo doli në një prononcim publik ku, nëpërmjet tellallit Alfred Peza, akuzoi opozitën se po shpif për gjithçka.
Mirpo kjo nuk ka mundur ta qetësojë përfundimisht vetë Roshin. Një mori pyetjesh mbi vetëdijen dhe pavetëdijen i janë kthyer tashmë në makthe të vërteta. Pyetja shtrohet: çfarë po ndodh me psiken e tij? Më parë nuk mbante mend se sa dhe për çfarë ishte dënuar, por ama mbante mend mirë se një dënim e kish marrë. Tani na del që as ka qenë dënuar fare dhe se gjithçka ka qenë thjesht një haluçinacion i prodhuar nga truri i tij. Kjo do të thotë se përveç harresës, ai sheh gjëra që nuk ekzistojnë.
Kjo e ka vënë atë tashmë në një krizë të thellë, e cila e ka bërë të dyshojë mbi gjithçka: A mos është gjithçka një iluzion, dhe në realitet nuk ekziston as PS-ja, as Rama, as Bashkia që drejton, e madje nuk ekziston as ai vetë?! A mos është gjithçka një ëndërr që e bën t’i duket si realitet? Një mendje i thotë se fakti që arriti të ngjitet kaq lart është kaq i pabesueshëm sa, edhe pa këto probleme me kujtesën, të bën të dyshosh seriozisht mbi vërtetësinë e realitetit. Një krizë e tillë karteziane duket një betejë e denjë për burra shteti që arrijnë të përballen me sfidat më të mëdha ekzistenciale që ka rrokur ndonjëherë mendja njerëzore.
Megjithatë Roshi është shprehur i vendosur t’i shkojë deri në fund të vërtetës së tij, reale apo virtuale qoftë. Ai ka marrë angazhim t’i shkruajë autoriteteve të të gjithë shteteve në botë, për të vërtetuar nëse ka qenë dënuar në ndonjë shtet tjetër apo jo. Ai tashmë është duke u përgatitur të nisë kërkesa në mbi 150 vende të botës, në dhjetëra gjuhë të ndryshme, për të vërtetuar pastërtinë e figurës së tij. Kjo do të thotë se do t’i duhet të formulojë rreth 600 kërkesa, duke pasur parasysh se do t’i duhet t’i dërgojë çdo shteti nga një kërkesë më vete për secilin nga tre-katër emrat e tij.
Por edhe këtu del një tjetër problem që përmbys gjithçka. Po sikur të ketë pasur një emër tjetër që as i vjen në mend fare? Beteja vazhdon…